Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 14 vite burg për Samir Rosales Rodriguez, kimistit kolumbian që do të ekstradonte kokainën nga laboratori i Frakullës në Fier.

Rosales është arrestuar në Ekuador dhe pritet arrestimi i tij.

Ndaj Rodriguez rëndojnë akuza për kryerjen e veprave penale "trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "grup i strukturuar kriminal", dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".

Kokaina, e përllogaritur në një sasi prej 480 kilogramësh, fshihej në pleh artificial. Ajo vinte nga Kolumbia, ndërsa në Shqipëri do të bëhej ekstraktimi i saj nga plehu.

Hetimi i nisur në vitin 2022, e zbuloi lëndën narkotike në magazinën e familjes Çervanaku.

Në këtë operacion u arrestua ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanaku, Redion Meshi, Enxhi Ferhati, Marildo Rona, Bledar Matoshi dhe Julian Malaj. Ata janë dënuar në total me 89 vite burg.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.