Kokalari më 1945: Mbi 1 mijë të
pushkatuar, diktaturë e tmerrshme

Kokalari më 1945: Mbi 1 mijë të<br />pushkatuar, diktaturë e tmerrshme
Memorandumi dërguar aleatëve, hartuar nga Musine Kokalari, në mbledhjen e Bashkimit Demokratik Shqiptar, mbajtur në fund të nëntorit 1945 ën shtëpinë e Ali kavajës, pak ditë para zgjehdjeve të 2 dhjetorit ‘45 
    
Ky dokument, u përdor si një provë e pakundërshtueshme për të dënuar me pushkatim e burgime të gjata grupin e Bashkimit Demokratik Shqiptar. Memorandumi u hartua në fshehtësi, në shtëpinë e njërit prej të dënuarve me pushkatim nga ky grup (Ali Kavaja). Ishte fundi i nëntorit 1945. Pak ditë më vonë do të mbaheshin zgjedhjet e  shumëpërfolura, të 2 dhjetorit, të parat zgjedhje, të cilat vulosën përfundimisht vendosjen e regjimit komunist.

Për të parandaluar këtë skenar që u bë realitet, organizata Bashkimi Demokratik Shqiptar hartoi këtë Memorandum drejtuar Aleatëve, ku parashtronin realitetin e zymtë e të rrezikshëm ku ishte zhytur vendi duke theksuar se “Shqipëria ndodhej prej 13 muajsh nënë diktaturën më të tmerëshme që ka parë historija e saj” dhe se të pushkatuarit me gjyq e pa gjyq kishin kapun shifrën e 1 000 të vrarëve.

Teksti i memorandumit u shkrua nga Musine Kokalari në mbledhjen që Bashkimi Demokratik Shqiptar kishte zhvilluar në shtëpinë e Ali Kavajës në fund të nëntorit 1945. Në fund të dokumentit, shënohet që “të bëhet kujdes e të zhduket pasi të lexohet pasi, gjetja e tij do të rrezikonte jetën e të gjithë atyre që merrnin pjesë në atë mbledhje”.

Por për fat të keq ky memorandum nuk dihet se si ra në dorën e Sigurimit duke qenë një nga provat e akuzës ndaj të arrestuarve. Më poshtë e sjellim të plotë këtë memorandum.
Ad.Pe.
 
Memorandumi
***
Gjat okupacionit Italian dhe Gjerman në Shqipëri, komunistat luftuan kundër forcavet pushtonjese nënë zërin e “Frontit Nacional Çlirimtar” program politik i të cilit bazohej tërësisht në një sistem demokratik. Një thirrje kaqë gjeniale u dha mundësi të zgjerojnë në mënyre të konsiderueshme radhët e tyre duke regjistruar një pjesë të madhe të djalërisë, e cila luftonte me gëzim për çlirimin e atdheut.

Aresyeja që një pjesë e madhe e djalërisë u bashkua me komunistët qëndron në faktin që dy grupet e tjerë nacionaliste (Balli Kombetar dhe pasonjësit e Zogut) duke patur frikë nga komunizmi dhe duke qenë nënë influencë të një pjese të shtypit Aleat, nuk vazhduan luftën kundër forcave pushtonjëse.

Djalëria dhe nacionalistët e tjerë që muarën pjesë në Lëvizjen Nacional Çlirimtare nuk u shkoj ndërmend kurrë se po binin në një grackë, dhe të kujtonin ngritjen me forcë të një regjimi komunist në Shqipëri.

Në këtë mënyrë Fronti Nacional Çlirimtar u bë i vetmi grup politik i autorizuar nën direktivat dhe kontrollin komunist.

Nacionalistat që përbëjnë shumicën nuk lejohen të formojnë një parti të veçuar nga komunistët; ata nuk lejohen gjithashtu as të shkëputen prej Frontit duke formuar një parti jashtë frontit. Në të dy rastet akuzohen si sabotatorë, fashista dhe reaksionarë (rasti i Profesor Gjergj Kokoshit, më parë ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës e tregon çquar këtë gjë.)

2. PASQYRA E PERGJITHSHME E GJENDJES SE TANISHME
(a) Kryesija e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, qeverija, këshillat e Prefekturavet dhe të N/Prefekturavet si dhe lokaliteteve më të vogëla ndodhen të gjitha nënë drejtim dhe kontrollin komunist.
(b) të trija fuqitë, dmth. Pushteti legjislativ, egzekutiv dhe gjyqësor, ndarja e të cilave garanton një regjim me liri politike, në fakt janë një përzierje. Shemezimi i zyrave bëhet për këtë qellim. Si shembell është që kryetari i policies në të njëjtën kohë gjendet edhe anëtari i trupit gjykues (nënë president), Antar’ i Shtabit Përgjithëshme, Kryetar’ i gjyqit më të lartë, Kryetar i Komisarëvet politike në ushtëri, etj.
(c) të katër liritë (lirija e fjalës, e fesë, e nevojës dhe e frikës) janë shkelur nënë këmbë.
(d) i tërë legjislacioni është marrë prej atija të Jugosllavise; ligjet më të rëndësishme janë një perkthim besnik i ligjevet Jugosllave.
(e) në të gjitha problemet shtypi i ynë dhe radjoja paraqitin tërësisht pikëpamjet Ruse.
(f) Puna e policisë bëhet prej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, program dhe aktiviteti, i së cilës përbën një G.P.U. të dytë. Kryetari i saj Gjeneral Koçi Xoxe është një nga të dy sekretarët e përgjithëshme të Partis Komuniste Shqipëtare, duke qenë tjetri vetë Enver Hoxha.
(g) Numuri i atyre që janë vrarë egërsisht gjatë ditëve të para të regjimit (150 pa u gjykuar fare në Tiranë dhe Rrethe) si dhe ata që janë gjykuar, dendur me vdekje dhe pastaj egzekutuar, kapërxen të 1000-jen në të gjithe vendin. Në qoftë se merr shembull Francën popullata e së cilës është 45 here më e madhe se e jona, në të njëjtën kohë do të kishte 2321 dënime me vdekje, ahere mund të kuptonit tragjedinë e popullit Shqiptar. Shumë prej këtyre janë egzekutuar për shkak se po të qenë gjallë do të kanosnin unitetin e regjimit të tanishëm.
Ka rëndësi këtu të përmendet që ca muaj më parë në Durrës, disa njerëz i bënë qeverisë një telegram me anën e të cilit kërkonin mëshirë për ca persona që u dënuan me vdekje nga gjyqi lokal, ata u arrestuan menjëherë, u nxuar në gjyq dhe u dënuan me burgim pse me qëndrimin e tyre kishin shkuar kundër mejtimit gjyqsor, i cili konsiderohet si shprehje më e lartë e vullnetit të popullit(!)
Aktiviteti i Mbrojtjes Popullit dhe mënyra më të cilën u zhvillua drejtësija kanë krijuar një atmosferë frike dhe terrori në të gjithë vendin. Natyrisht kjo e ka shtuar më të tepërtë numurin e të pakënaqurvet po frika dhe vetëm frika i ka ndaluar ata që të organizohen në një opozitë.
Po të mos dish këtë gjë të nënëdheshme është e pamundur të marrësh vesh pse populli do të shkojë në votime me 2 Dhjetor si mund të bëjë ndryshe kurse Shqipëria ndodhet për 13 muaj nënë diktaturën më të tmerëshme që ka parë historija e saj. Shko në katundet dhe bisedo me popullin fshehtësisht dhe atherë do të konstatosh se një presion është ushtruar në favor të listës unike të Frontit Nacional Çlirimtar.
(h) Shqipërija nuk ka patur kurrë një ushtëri kaqë të madhe sa kjo e tanishmja; numuri i saj është dyfishuar qysh prej çlirimit të vendit dhe tani përbëhet rreth 60.000. Mbajtja e një ushtërije kaqë të madhe i kushtohet kryesisht faktit se autoritetet kanë frikë që numuri i vazhduar i të pakënaqurvet mund të përbëj një rrezik për regjimin. Kjo masë politike ka patur një efekt katastrofal jo vetem për financat tona qe permbledhin me teper se gjysmën e buxhetit për ushtërinë, por gjithashtu edhe për bujqësinë dhe blektorinë, në të cilat ndihet serjozisht mungesa e krahut të punës.
(i) në administratat t’ona gjenden tani katër herë më shumë funksionarë se përpara. Kjo i çpërgjigjet faktit se qeverija mundohet t’u gjejë punë të gjithë pasonjësvet besnikë pa marrë parasysh kapacitetin e tyre. Me gjithë atë për të patur një administratë të kënaqshme ata janë të detyruar të mbajnë disa nga teknikët më të mirë; dhe në fakt janë këta që bëjnë tërë punën. Po kjo situate ka krijuar një farë kaosi, dhe për këtë kjo është arsyeja që nëpër krahina punët sgjaten më të tepërtë.
(j) Ligji i bujqësisë është nga reformat më me rëndësi, për të cilën regjimi fryhet se lëvduari. Kjo është bërë dhe aplikuar në mënyrën më ekstreme:
1/ Toka që u është lënë pronarëvet të mëparëshme (15 hektare), është e pamjaftueshme tu sigurojë atyreve jetesën, megjithë që ka mjaft tokë për të gjithë.

2/ Ligji bujqësor, kështu siç egziston, është vetëm e vetëm një konfiskim pse e tërë toka është çpronësuar duke mos u shpërblyer aspak.
(k) Qeverija e ka humbur besimin e tregëtarëvet prej masavet që ka marrë ndër degët e ndryshme të aktivitetit ekonomik. Nisjativa private është shdukur pothuaj krejtësisht.
(l)Përsa i përket politikës së jashtëme, qeverija e tanishme i qëndron besnikë aksit Beograd-Moskë. Parulla “Enver-Tito” është bërë e zakonëshme.

3. CILëT JEMI NE,
Është nevoja të theksojmë që neve nuk jemi armiqtë e komunizmit. Edhe sikur të mos egzistonte komunizmi do të qe e nevojshme ta krijonim si një fuqi shtytëse drejt përparimit social. Po nga ana tjeter ne jemi kundërshtarët e tija politike deri sa ay shkel liritë politike dhe ngre një qeveri despotike në vend të asaj dempokratike.

4. A është E MUNDUR DEMOKRACIJA në SHQUPERI?
Do të jetë para kohe të bëhet fjalë në Shqipëri për një demokraci të tipit perëndimor. Po nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se është nevoja për një parti totalitare në vendin tonë. Ne besojmë se një demokraci relative me të paktën 2 parti është plotësisht e mundëshme në Shqipëri. Kjo do të jepte rast shumicës së popullit të cilët nuk janë komunistë të bashkohen me një organizatë me anën e së cilës të jenë në gjendje të shprehin idetë politike.

5. CILI është PROGRAMI YNE?
(a) Politika e brendëshme
Vendosja e menjehereshme e lirisë së plotë politike, lirija e fesë, liri shtypi, liri e personavet dhe mbrojtja përpara ligjit dhe përpara gjyqit me gjykatës të zgjedhur.

(b) Politika e jashtëme.
Pjesmarrja në të gjithë kombet e bashkuar në themelimin e një regulli internasional të bazuar mbi principin e sigurimit kolektiv. Mbajtja e relatavet miqsore më të gjithë aleatët tonë të mëdhenj dhe me të gjithë fqinjët tanë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat tona për të dhënë kontributin tonë për një të arthme paqësore dhe më të mirë në ballkan, dhe të sigurojmë integritetin tonë tokësor, konforme shpirtit dhe kartës së atllantikut.
(c) Politika sociale
Përmirësim materjal dhe moral i konditave të jetës së klasës punëtore. Pjesëmarrja e plotë e punëtorëvet dhe fshatarëvet në jetën politike lënija e lirë e organizatave të puntorëvet dhe pjesmarrja e tyre në vendosjen e konditave të punës. Demokratizimi i instruksionevet. Rivendosja e dinjitetit familjar.
(d) Politika ekonomike.
Respektimi i plotë i pasurive private brenda kufijve të funksioneve shoqërore. Kontroll i shtetit mbi industritë vitale dhe inkurajimi i inisjatives dhe i ndërmarrjeve private. Reforma agrare. Ngritja e shtëpijave modern për fshatarësinë dhe krijimi i kooperativave bujqësore.

6. DESHIRA JONE E NXEHTE
Duke konsideruar që misjoni i juaj në Shqipëri është i shenjtë, pse e kini për detyrë t’i thoni botës situatën e vërtetë të vendit t’onë, shpresojmë se do të konstatoni që në situatën e tanishme të flasësh për zgjedhje të lira do të thotë të errësosh të vërtetën. Me këtë frymë, në shpresojmë që ju do të bëheni interpret jo vetëm i opozitës po pothuaj i dëshirës së të gjithë kombit për shtytjen e zgjedhjeve, në mënyrë që t’i jepet rast popullit të shprehë lirisht vullnetin e tija dhe në ketë mënyrë të ngrejë një qeveri demokratike representative.
Do të shihni një numër të math realizimesh që do t’ju tregohen për llogari të qeverisë së tanishme. Ne nuk vëmë në dyshim vullnetin e mirë të qeverisë, por në të njëjtën kohë e quajmë të nevojshme të nënëvizojmë që të shumtët e këtyre realizimevet kanë egzistuar përpara Nëntorit 1944. Përsa u përket urravet dhe punimet e tjera të këtij lloji, çdo Shqiptar e di mirë që këto janë ndërtuar prej shoqërivet Italiane, nënë mbikqyrjen Shqiptare, me materjal që është sjellë më parë prej Italije.
P.S. LUTEM SHDUKNI KETE RAPORT ME NJEHERE PORSA TA KINI KENDUAR, në qoftë SE POLICIA OSE CDO SPIUN DO të MARRE VESH KETE GJE, JETA JONE DO të JETE në REZIK

kokalari

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Aksident i fortë në aksin Lezhë-Shëngjin, makinat ‘shkërmoqen’, 2 të plagosur 

VIDEO/ Aksident i fortë në aksin Lezhë-Shëngjin, makinat ‘shkërmoqen’, 2 të plagosur