'Kokë më kokë' me futbollistët e Kombëtares, Sylvinho: Kam udhëtuar shumë për t'i takuar, ekip profesionist

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Euro 2024 në qershor. Në Tiranë, kuqezinjtë presin Moldavinë në datën 17 dhe në 20 luajnë me Ishujt Faroe në transfertë. Humbja në ndeshjen e parë në Poloni nuk i ka zbehur shpresat e tanëve për një vend në fazën finale të Europianit të Gjermanisë. Për këtë, në faqen zyrtare të FSHF-së, trajneri Sylvinho ka treguar punën këto muaj si trajner i kuqezinjve.

“Ndihem shumë mirë në Tiranë, një qytet shumë i bukur, eksperiencë e madhe në jetën time. Ushqimi është shumë i mirë, njerëzit janë gjithashtu shumë të sjellshëm. Sa i përket punës, jemi gjithë ditën në zyrat e FSHF, e nisim ditën e punës në ora 9:00 dhe punojmë deri në ora 16:00 apo edhe deri në ora 18:00 të pasdites. Kemi pasur rastin të punojmë me djemtë e Kombëtares në fushë herën e parë për ndeshjen me Poloninë, janë seriozë në punë dhe profesionistë të nivelit të lartë. Jam i kënaqur prej tyre dhe nga e gjithë puna që kemi bërë këtu”,  thotë trajneri i Kombëtares.

Më pas braziliani tregon se ka udhëtuar në shumë vende të Europës për t'i takuar lojarët nga pranë, duke dashur të ketë një lidhje më të fortë me ta.

"Herë pas here shkojmë në Itali, Zvicër, Portugali, Spanjë apo Angli për të takuar dhe folur me lojtarët, për t’i dëgjuar ato. Besoj shumë te kjo punë, që të shkosh te lojtari aty ku është, të flasësh me të sy më sy dhe të dish se si është për të krijuar marrëdhënie të mira me ta. Kjo është ajo që ne po bëjmë. Kur shkojmë diku dhe flasim me lojtarët, për të folur dhe për t’i dëgjuar se si shkojnë gjërat, herë pas here takojmë edhe lojtarë të cilët janë të dëmtuar. Më vjen shumë keq kur një lojtar nuk mund të zbresë në fushë dhe të stërvitet, por edhe një përqafim dhe një takim për të folur me ta është një moment i rëndësishëm për ne në kuptimin që pas përfundimit të kampionateve duhet menaxhuar rikthimi i lojtarëve të ftuar në grumbullim për ndeshjet e Kombëtares, edhe kjo është shumë e rëndësishme", shprehet Sylvinho.

Më pas braziliani foli edhe për kundërshtarët, teksa kërkoi mbështetje në ndeshjen e "Air Albania-s" kundër Moldavisë.

"Ne e dimë që janë dy ndeshje të vështira, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, ne nisim rrugëtimin tonë dhe duhet të luftojmë fort për objektivin tonë. Në ndeshjen me Moldavinë me shumë mundësi do ta kemi stadiumin plot me tifozët tanë, një stadium i ri e i bukur dhe tifozët do të na mbështesin, të na motivojnë e të ndihmojnë skuadrën, kjo është diçka shumë e rëndësishme. Ne zbresim në fushë për të dhënë 100%, me shumë dëshirë dhe tifozët presin nga ne që të tregojmë në fushë zemrën dhe shpirtin e duhur, organizim i mirë, ritëm dhe atë që duam ne nga kjo skuadër", tha trajneri.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori