Kokëdashi për dyert e PD-së

Kokëdashi për dyert e PD-së

Saga e humorit në PD vijon të mos zhgënjejë edhe këtë fillim viti. Ndërsa i ish vënë ultimatum data 5 janar për të lëshuar zyrat, grupi i deputetëve të Foltores duket se ishte i paduruar për të konstatuar që në orët e mesditës nëse Basha e kish “rrokullisur qafën” nga ambientet e PD-së apo jo. Në fakt ajo çfarë konstatuan ishte nëse dyert ishin të blinduara dhe sa trysni duhet për ti shqyer. Mjafton një shkelm për ti shkalafitur? Duhet një kokëdashi për ti shpartalluar apo gjyle topi për ti shpërthyer? Konkluzioni sipas Nokës ishte se Basha e ka kthyer PD-në në Alkatraz, simbol i burgut famëkeq në ishullin përballë San Franciskos.

Ajo çfarë nuk shkonte në këtë krahasim është se pse duhej që dyert e një burgu të jenë të përforcuara nga jashtë kur zakonisht blindimi i tyre bëhet që të burgosurit të mos dalin dot jashtë. Dhe e dyta çne Noka kërkon me kaq ngulm të futet brenda në burg kur është vetë në ajër të pastër? Vetëm nëse ka dijeni se Basha ka mbyllur me zor dhe mban në izolim Bardhin brenda burgut të PD-së.

Loja e deklaratave në këtë rast nuk ish e goditur. Nokës nuk i ka pëlqyer të pranojë se Basha e ka shndërruar PD si kështjellë të blinduar për të ruajtur fronin e tij çka nuk ka të bëjë fare me burgun. Vetë vajtja e deputetëve në oborrin e PD ishte një kalërim për ta parë nëse nga kështjella është ngritur faluri i bardhë ndërsa skadonte afati i ultimatumit. Pasi kjo është dhe panorama që shohim në kampin e demokratëve ku gjysma është mbyllur në kështjellë dhe gjysma tjetër që e ka rrethuar për ta marrë për hesap të vet. Dhe një kala për tu marrë nuk mund të arrihet veç me sulm. Ca më tepër kur as ka ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit dhe ca më tepër kur dyert blindohen për të përballuar sulmin me yrysh të jenicerëve që tundin kërcënueshëm mandatet e kuvendit të Doktorit. Deklaratat nga idhtarët e Foltores se do ta marrin PD-në në mënyrë paqësore duken larg realitetit dhe mund të shkaktojnë veç buzëqeshje sarkastike.

Gjithësesi, asgjë nuk është e lehtë për të ndodhur pavarësisht se çka po ravijëzohet të ngjasë në oborrin e PD-së në 8 janar duket si një sherr i brendshëm familjar. Duket e vështirë në kohët e sotme që të mendosh se ekzistojnë ende kamikazë që mund të bëhen therro për interesat e liderit që adhurojnë. Aq më tëpër në çështje që kanë të bëjnë me interesa të ngushta për të nxjerrë nga zyra Bashën që në të të vendoset Berisha. Sepse edhe nëse kjo ndodh, dhe Berisha do ndryshojë dekorin e zyrës, kjo pak do i hyjë në xhep gjithkujt që do sulmojë dyert e PD-së. Pasi edhe pas kësaj PD do të jetë sërish në opozitë e askush nuk do ti kompensojë angazhimin. Madje përkundrazi, angazhimi mund ti kushtojë të nesermen dyer të tjera të blinduara, dhe jo burgun e PD-së që u deklaroi Noka. Për vandalizëm përfundon në burgun e shtetit ndaj duket e tepërt kënaqësia të kalosh ca kohë aty pse Basha e Berisha zihen për karriken. Ndaj llogarië i bën vet gjithkush. Që nga nga ata që  shoqërojnë takimet e Foltores me makina 60 mijë euroshe, e deri tek ai demokrati i thjeshtë e pasionant që në fund të ditës e presin fëmijët në shtëpi.

Fatkeqësia e gjithë kësaj bufonade me dy palë që po shajnë gjithë ditën njëri tjetrin e që sot u kërkojnë mbështetje anëtarësisë si për të shpërthyer dyer ashtu dhe për të mbrojtur zyrën e kryetarit, është se po ravijëzohen qartë se kanë qënë prej kohësh fatkeqësia e vetë opozitës. Fatkeqësi nga dje, në ditët e sotme dhe në të ardhmen që e pret vetë PD-në. Jo më kot shumica e demokratëve po i rri larg këtij spektakli grotesk pasi nuk mund të përdoren në mënyrë kaq cinike për interesa të ngushta të atyre që ia kanë udhëhequr deri dje por që u zhvlerësuan kaq shumë në këto muaj. Kohë e vështrirë për katë demokratë, jo vetëm pse janë të detyruar të ndjekin nga larg këtë spektakël të shëmtuar, por pse ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar dickka e për të shpëtuar fytyrën e PD-së.  Në të gjitha rastet, çka po ndodh e pritet të ndoshë është se askush prej liderëve që zihen për karriken nuk mund ti meritojë më ti drejtojë këta demokratë./ Fjala.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin