Kolaudimi i kalon shtetit, Report Tv zbardh draftin: Liberalizohet tregu! Procedurat e kontrollit të makinave

31 dhjetori do të jetë dita e fundit kur koncesionari SGS do të ofrojë shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve. Qeveria ka zyrtarizuar projektligjin që i hap rrugën kalimit të kolaudimit në shtet, konkretisht nën kompetencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Sipas projektligjit për disa ndryshime në ligjin e Kodit Rrugor, të cilin Report TV e disponon janë saktësuar edhe afatet e reja kur dhe si do të kryhet kontrolli teknik. Referuar nenit 3 të projektligjit i cili ndryshon nenin 78 të ligjit të kodit rrugor thuhet se për automjetet e reja kontrolli teknik do të kryhet brenda 3 vjetëve nga data e regjistrimit parë, pra jo çdo vit siç është aktualisht. Pas kësaj periudhe 3-vjeçare të përdorimit të automjetit, kontrolli teknik do të kryhet për çdo 2 vjet.

Për mjetet e përdorura të tilla si taksi, autobus, kamionë apo ambulanca kolaudimi do të kryhet çdo vit dhe jo çdo 6 muaj.

Sipas relacionit shoqërues këto ndryshime vijnë edhe si nevojë për të përafruar legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian, përveç objektivit që kanë në rritjen e sigurisë së automjeteve.

Por në këtë draft lihet e hapur mundësia për të licencuar kompani private të tjera të cilat mund të bëjnë kontrollin teknik të automjeteve. Konkretisht thuhet se “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hartojë kriteret dhe kushtet e licencimit të operatorëve të kontrollit teknik të mjeteve duke marrë mendime dhe nga komuniteti i biznesit të fushës”.  Ofrimi i këtij shërbimi nga disa operatorë do të sjellë edhe liberalizimin e plotë të tregut të monopolizuar deri më sot.

Në këtë projektligj është përfshirë edhe mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik, e cila do të bëhet nga kompani private që do të garojnë për të marrë me koncension mbikëqyrjen e procesit të kolaudimit,

“Monitorimi i qendrave teknike të kontrollit do të bëhet nga subjekte të autorizuara sipas kërkesave të neneve 234 dhe 234/1 të Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor Nr. 153, date 7.4.2000. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të vlerësojë procedurat për mënyrën e mbikëqyrjes së tregut të këtij shërbimi dhe përzgjedhjes së një subjekti që do të monitorojë përformancën e kryerjes së shërbimeve nga qendrat e kontrollit teknik”, thuhet në projektligj, që në buxhetin e vitit 2021 vlera e këtij koncensioni është parashikuar 20.2 miliardë lekëve.

Këto parashikime mund të ndryshojnë gjatë diskutimeve pasi drafti aktualisht është në fazë konsultimi publik.

Kontrata koncesionare me kompaninë SGS Automotiv Albania për kontrollin teknik të mjeteve është nënshkruar në shtator të vitit 2009 nga qeveria Berisha dhe është konsideruar korruptim nga socialistët dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndërsa në 1 dekadë ky koncension ra në kurriz të qytetarëve shqiptare me vonesa, radhë e shpesh herë shërbim me kosto të lartë.

Thirrja për konsultime dhe rekomandime: 

“Për disa ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”

Qëllimi i hartimit të projektligjit  “Për disa ndryshime në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”,  është  të ripërcaktojë afatet dhe frekuencën e kryerjes së kontrolleve teknike të mjeteve të reja rrugore dhe të përdorura në përputhje me ato të përcaktuara nga direktiva Evropiane 2014/45/EC e Parlamentit Evropian dhe Këshillit “Mbi kontrollin teknik periodik të mjeteve rrugore dhe rimorkiove të tyre” dhe Rregulloren e Zbatimit të Komisionit Evropian 2019/621 e 17 Prill 2019 “Mbi informacionin teknik të nevojshëm për kontrollin teknik të mjeteve rrugore/artikujt që do të testohen, duke përdorur metodat e rekomanduara të testimit dhe duke vendosur rregulla të detajuara në lidhje me formatin e të dhënave dhe procedurat për aksesimin në informacionin përkatës teknik.”

Kontrolli teknik është pjesë e një regjimi të gjerë të projektuar për të garantuar që mjetet rrugore të mbahen në një gjendje të sigurt dhe të pranueshme për mjedisin gjatë përdorimit të tyre. Ky regjim duhet të mbulojë kontrollin teknik të mjeteve dhe kontrollin teknik në rrugë të mjeteve të përdorura për aktivitete komerciale të transportit rrugor, si dhe sigurimin e një procedure që lejon pezullimin e autorizimit të një mjeti për t'u përdorur në trafikun rrugor, kur mjeti përbën një rrezik të menjëhershëm për sigurinë rrugore. Kontrolli teknik duhet të jetë mjeti kryesor për të garantuar përshtatshmërinë teknike të automjetit. Kontrollet teknike në rrugë të mjeteve tregtare duhet thjesht të plotësojnë kontrollet teknike periodike.

Për sa më sipër, ftohen grupet e interesit të dërgojnë komentet/rekomandimet brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit dhe konsultimit publik.

Projektligji për disa ndryshime në “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë"

G.M./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Jdfjdjdn: 05/12/2020 14:24

    Nga koncension supervjedhje, ne koncension megavjedhje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë