Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të enjten kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mbylljen e procesit të vetingut ndaj ish-gjyqtares Mimoza Margjeka pa një vendim përfundimtar.

Sipas KPA-së, Margjeka nuk e gëzon më statusin e magjistrates, pasi është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë si pasojë e një vendimi penal të formës së prerë për korrupsion. Në këto kushte, sipas Kolegjit, procesi i vetingut ka humbur qëllimin dhe objektin e tij, dhe e vetmja rrugë procedurale është mbyllja pa një vendim mbi themelin e çështjes.

Margjeka u shkarkua fillimisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 shkurt 2024. Paralelisht, ndaj saj kishte nisur edhe procedim disiplinor në Këshilli i Lartë Gjyqësor, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të dënimit penal.

Më 9 prill 2024, KLGJ vendosi shkarkimin e saj. Ky vendim u ankimua në KPA, por po atë vit Kolegji vendosi të mos e pranojë ankimin.

Mimoza Margjeka u arrestua në shtator 2020, kur ishte e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë. Ajo u shpall fajtore për marrjen e 6 mijë eurove përmes bashkëshortit të saj, Arben Cara, me qëllim lehtësimin e masës së sigurisë ndaj një personi të ndaluar në Pogradec.

Në dhjetor 2022, gjykata i deklaroi fajtorë të pesë të pandehurit në këtë çështje. Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por iu pezullua pjesa e mbetur e dënimit dhe u vendos në provë për 3 vite. Po ashtu, asaj iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Me vendimin e sotëm, KPA mbyll përfundimisht edhe procesin e vetingut ndaj saj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Njoftim i plotë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 15/2024, datë 17.04.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit dhe të subjektit të rivlerësimt kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 739, datë 26.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mimoza Margjeka.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative, në mënyrë unanime, vendosi:

Përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Mimoza Margjeka pa një vendim përfundimtar për çështjen, për shkak se objekti dhe qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur. U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.02.2026.”