Prokurori i Tiranës, Gjergji Tako, u shkarkua nga detyra këtë të premte, më 27 shkurt sepse ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i Kolegji i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.

Ne vendimin e shpallur pas shqyrtimit të çështjes së Takos, thuhet se bëhej fjalë për probleme të etikës dhe të kriterit professional si dhe sjellje të vazhdueshme që tregonte mungesë angazhimi dhe përgjegjshmërie në detyrë.

Probleme të tilla të konsideruara si sjellje të vullnetshme u vlerësuan se nuk mund të rregulloheshin me trajnim të detyruar në Shkollën e Magjistraturës.  

Po ashtu, Kolegji konstatoi se Tako ka përdorur tre automjete pa kryer zhdoganimin, pa i regjistruar dhe pa leje qarkullimi, ndërkohë që gjatë hetimit administrativ ka sjellë akte duke u përpjekur të ndryshojë faktet dhe të paraqesë situatën në favor të tij.

Kreu i SPAK Klodian Braho kërkoi shkarkimin e Takos të martën e 3 shkurtit duke identifikuar probleme edhe në 11 çështje të hetuara nga ish-prokurori.

Drejtuesi i SPAK evidentoi mungesa të analizave të faktit penal, si dhe mungesë të hetimeve e verifikimeve të duhura. Një rast kishte të bënte me një  çështje të denoncuar nga shtetasi A.L., ku Braho konstatoi se të pandehurit nuk i është njoftuar përfundimi hetimeve dhe për rrjedhojë, kërkesa për gjykim është konsideruar e pavlefshme nga ana e gjykatës.

Njoftim i vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 54/2023, datë 14.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 698, datë 15.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gjergji Tako. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 698, datë 15.09.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gjergji Tako. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 27.02.2026, në Tiranë