Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Sokol Çomo, ka hedhur dyshime të forta sa i takon procedurës së zgjedhjes së 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Mes 90 kandidatëve për 8 vende vakante në gjykatën e zgjedhjeve u zgjodh pikërisht Gjin Gjoni, emri më i lakuar në sistemin e drejtësisë, i cili do të vendosë për ligjshmërinë dhe fatin e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit 2017.

Zgjedhja e Gjin Gjonit u konsiderua si një rastësi e rrallë dhe buzëqeshje e fatit, por anëtari i KLD, Sokol Çomo, ka denoncuar mungesën e transparencës për procedurat e hedhjes së shortit dhe hartimin e listës së gjyqtarëve. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zhvilluar në datën 9 Qershor, Sokol Çomo ka hedhur dyshime për manipulimin e shortit, teksa ka konstatuar mungesën e plotë të informacionit për makinerinë që hodhi shortin dhe njerëzit që realizuan procesin.

Nuk më rezulton të kemi ndonjë informacion cila është kjo makineri që do e hedhë shortin. Dhe, ose jam unë në një realitet joreal ose këtu jemi duke dëgjuar gjëra që disa anëtarë të Këshillit i dinë para se të vendosen dhe disa të tjerë do i marrin vesh vetëm pasi të vendosen. Kështu që, nëse ka ndonjë makineri këtu që do hedhë shortin, mirë është të kemi informacion paraprak çfarë numri matrikulle ka, kush e ka prodhuar, çfarë parimesh funksionimi ka?”, ka deklaruar Çomo.

Shorti i paligjshëm
Administrata e KLD ka organizuar shortin për zgjedhjen e 8 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor pa u zbaruar në vendimet e KLD. Ky është një tjetër pretendim i artikuluar nga anëtari i KLD, Sokol Çomo. “Në fillim të kësaj mbledhje unë kërkova që për procesin e shortit ne duhet që paraprakisht të miratonim një procedurë, kërkesë e cila nuk u mor në konsideratë dhe mënyra sesi u procedua me shortin në fakt ishte një procedurë që e kishte vendosur administrata e Këshillit dhe nuk u vendos nga Këshilli. Sepse asnjë diskutim nuk u bë në Këshill lidhur me mënyrën sesi do të procedohej me zgjedhjen e kandidatëve. Administrata nuk mundet të dali më e rëndësishme sesa vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, ka deklaruar Çomo. Mesazhi duket se i referohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Pjerin Prendi, i cili rezulton të jetë kunati i Gjin Gjonit.  

Lista
Anëtari i KLD, Sokol Çomo, ka hedhur dyshime edhe sa i takon hartimit të listës së 90 gjyqtarëve. “Pyetja ime e parë është: Kush e ka hartuar këtë listë? Kush është organi që ka bërë verifikimin nëse ndonjë nga këto gjyqtarë ose jo ka kushtet e përjashtimit nga ato të parashikuara nga neni 148 i ligjit zgjedhor? Dhe do duhet që të marrin përsipër organet e këtij Këshilli të tregojnë se me çfarë lloji procedure është mbërritur deri në pikën aktuale dhe me çfarë procedure do të vazhdohet në hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Çomo. 

Debatet në KLD për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor  
 
-Sokol Çomo: Pyetja ime e parë është: Kush e ka hartuar këtë listë? Kush është organi që ka bërë verifikimin nëse ndonjë nga këto gjyqtarë ose jo ka kushtet e përjashtimit nga ato të parashikuara nga neni 148 i ligjit zgjedhor? Dhe do duhet që të marrin përsipër organet e këtij Këshilli të tregojnë se me çfarë lloji procedure është mbërritur deri në pikën aktuale dhe me çfarë procedure do të vazhdohet në hapat e mëtejshëm, sepse Kodi ka edhe disa kërkesa të tjera, kërkon që të gjithë të pranishmit të kenë mundësi të verifikojnë që të gjithë emrat e gjyqtarëve janë futur në kutinë nga do të tërhiqet shorti; duhet përcaktuar kush është ai që do të tërheqë emrat; mënyra sesi do të tërhiqen emrat, dhe të gjitha me radhë.
 
-Bujar Nishani: Ne s‟jemi mbledhur për të tërhequr goglat tani. Ne jemi mbledhur për zgjedhjen e Kolegjit Zgjedhor dhe Kolegji ka procesin e vet. Pra ky proces ka etapat e veta dhe do t‟i marrim në diskutim të gjitha, një e nga një, që nga lista, që nga komisioni, që nga shorti, që nga përfaqësuesit, që nga propozime të veçanta, propozimet shtesë. Ne për këtë jemi mbledhur. Nuk jemi mbledhur, tani, janë gati goglat dhe hajde tani të tërheqim secili nga një gogël. Besoj se është e qartë kjo punë.
 
-Sokol Çomo: Pyetja ime është: Kush e ka bërë verifikimin e kësaj liste? Sepse ajo që kemi para është thjesht një listë emërore. Nuk ka asnjë strukturë të këtij Këshilli që të marri dhe të na japi garancinë dhe të thotë „unë struktura iks kam bërë verifikimet e nevojshme dhe më rezulton që, në përputhje me kriteret ligjore në listë këta duhet të jenë, këta s‟duhet të jenë‟, arsyet. Ju thatë për shembull Petrit Aliaj. Shumë mirë. Duhet të na jepet një informacion, çfarë lloj mase disiplinore ka ky gjyqtar? Kur e ka marrë këtë masë disiplinore? E të gjitha me radhë. Që do të thotë, ajo që ne kemi sot, e titulluar ‘Lista e gjyqtarëve që përfshihen në short’, nuk ka asnjë autor. Kërkesa është: Të identifikohet ajo strukturë e Këshillit që ka marrë përsipër të na japi këtë informacion?
 
-Bujar Nishani: Atëherë, unë po e sqaroj edhe një herë. Ky Këshill nuk është anonim. Administrata e këtij Këshilli nuk është anonime. Dhe ligji i funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka parashikuar edhe mekanizmat që funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, ka një administratë, ka një strukturë, e cila ka përgatitur materialet e mbledhjeve të Këshillit.
 
-Gjin Gjoni: Ligji nuk të jep në mënyrë taksative që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë... Ne nuk po marrim pjesë në short zotëri. Shortin do e hedhë administrata. Emrat do përcaktohen nga Këshilli. Asnjë nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk do marrë pjesë në short.
 
-Sokol Çomo: Unë dëgjova me shumë vëmendje një koleg i cili deklaroi këtu që shortin do ta hedhë makina. I pash edhe një herë materialet që na janë shpërndarë. Nuk më rezulton të kemi ndonjë informacion cila është kjo makineri që do e hedhë shortin. Dhe, ose jam unë në një realitet joreal ose këtu jemi duke dëgjuar gjëra që disa anëtarë të Këshillit i dinë para se të vendosen dhe disa të tjerë do i marrin vesh vetëm pasi të vendosen. Kështu që, nëse ka ndonjë makineri këtu që do hedhë shortin, mirë është të kemi informacion paraprak çfarë numri matrikulle ka, kush e ka prodhuar, çfarë parimesh funksionimi ka?
 
-Bujar Nishani: Unë edhe një herë, më duhet, vetëm për të shmangur tendencat për abuzim me opinionin, më duhet të përsëris për të disatën herë sepse tendencat për abuzim janë pambarim, përtej keqardhjes që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tentojnë të abuzojnë, kjo është një çështje individuale dhe nuk e shmangim dot. Po përsëris atë që thash disa herë. Lista përfundimtare e atyre që do të kandidojnë a do të hidhen në short, do të përcaktohet me vendim përfundimtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Dhe ne po diskutojmë pikërisht për këtë listë përfundimtare. Informacioni bazik është vënë në dispozicion sepse informacioni është zyrtar, se kush janë gjyqtarët e apelit të Republikës së Shqipërisë. Nuk besoj që ka ndonjë sekret, ka ndonjë padije.
 
-Gjin Gjoni: Por fakti që disa anëtarë të nderuar të këtij Këshilli deshën që të përdorin funksionin politik për të shkuar dhe për të dalë jashtë gjyqësorit... Unë i kam ndjekur në vazhdimësi procedurat në lidhje me hedhjen e shortit, thash edhe një herë, edhe për shkak të kohëzgjatjes që jam në Gjykatën e Apelit. Kam qenë kandidat probabël për të qenë në Kolegjin Zgjedhor. Shansi dhe fati nuk e ka çuar pasi nuk kam qenë. Por ama të ndjek procedurat se si zhvillohet një short, unë i kam parë. Kjo ishte edhe kjo për të cilën unë doja të diskutoja.
 
-Sokol Çomo: I nderuar President, unë mendoj që edhe ju të moderoni pak diskutimin. Nuk ka anëtarë politik ky Këshill. Sepse vet Kryetari i këtij Këshilli është një produkt i një zgjedhjeje politike. Që do të thotë, unë nuk mund të pranoj që ata që i përzgjedh Parlamenti si anëtarë të këtij Këshilli, janë anëtarë politik. Nuk janë anëtarë politik. E keni gabim. Këtu ka anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që kanë për detyrë të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjim. Fakti që disa anëtarë mundet të jenë përzgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ku thash, nga Kryetari dhe anëtarë të tjerë, nuk janë anëtarë politik. Fakti që Kryetari i Gjykatës së Lartë është zgjedhur nga Parlamenti, nuk e bën anëtar politik.
 
-Bujar Nishani: Katërmbëdhjetë (14) pro. Asnjë kundër. Miratohet edhe largimi i anëtarëve aktual të Kolegjit Zgjedhor dhe të gjyqtarit Petrit Aliaj. Do të vijojmë me procesin e hedhjes së shortit për tetë (8) anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Ky ishte vendimi që sapo morëm. Atëherë, administrata, Drejtoria Juridike ju lutem dhe administrata, të bëjnë gati listën përfundimtare, të bëjnë gati emrat, të bëjnë gati pajisjen e hedhjes së shortit dhe kur të jenë gati të na njoftojnë që të fillojmë dhe të hapim procesin.
 
-Sokol Çomo: Ju lutem, se ka një rezistencë për të përmbushur kërkesat e ligjit. Duhet një listë përfundimtare. Lista përfundimtare, thotë Kodi, do duhet t‟i çohet partive. Të na jepet ne njëherë, anëtarëve, lista përfundimtare dhe pastaj, si do zbatohet kjo kërkesë, le ta zgjidhi kush të dojë. Por na duhet një listë përfundimtare e atyre që do marrin pjesë në short. Nuk e kemi akoma.
 
-Bujar Nishani: Së pari njëherë, unë ju kërkoj që të mos e merrni fjalën pa jua dhënë fjalën unë me mikrofon. Partitë janë prezent dhe do ta marrin listën. E ka zgjidhur ligji sesi e marrin partitë listën. Janë prezent. Nëse partitë bojkotojnë procesin... Ju do ta keni patjetër, por edhe meraku që kishe për partitë – meqë e thatë me mikrofon – partitë janë prezent dhe do ta kenë listën, përveç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
Hidhet shorti...
 
-Bujar Nishani: Mirë atëherë, vijojmë me mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas hedhjes së shortit, rezultoi që gjyqtarët e përzgjedhur me short për t‟u deleguar në detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor në Gjykatën e Apelit, Tiranë janë:
Artur Malaj, nga Gjykata e Apelit Administrativ; Tomor Skreli, nga Gjykata e Apelit Gjirokastër; Ridvan Hado, nga Gjykata e Apelit Tiranë; Shkëlqim Mustafa, nga Gjykata e Apelit Tiranë; Lindita Sinanaj, nga Gjykata e Apelit Administrativ; Gjin Gjoni, nga Mbledhje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjykata e Apelit Tiranë; Astrit Kalaja, nga Gjykata e Apelit Shkodër dhe; Sotiraq Lubonja, nga Gjykata e Apelit Korçë.
 
-Sokol Çomo: Unë dua të shpjegoj votën time kundër. Në fillim të kësaj mbledhje unë kërkova që për procesin e shortit ne duhet që paraprakisht të miratonim një procedurë, kërkesë e cila nuk u mor në konsideratë dhe mënyra sesi u procedua me shortin në fakt ishte një procedurë që e kishte vendosur administrata e Këshillit dhe nuk u vendos nga Këshilli. Sepse asnjë diskutim nuk u bë në Këshill lidhur me mënyrën sesi do të procedohej me zgjedhjen e kandidatëve. Administrata nuk mundet të dali më e rëndësishme sesa vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe për këtë arsye, unë e konsideroj procesin një proces të ndërtuar nga administrata, por që nuk u bazua në vendimmarrjet e Këshillit. Kështu që në këto kushte, mendoj që procesi nuk arriti që të përmbushte kërkesën e plotë për transparencë ndaj pjesëmarrësve. Nuk pati miratim procedurash nga Këshilli dhe u deklaruan, e ritheksoj, fakte të pavërteta për pjesëmarrësit në short sepse në momentin aktual që ne flasim, përjashtuam dy gjyqtarë pa iu deklaruar mbarimin e mandatit për shkak funksioni.

gjin gjoni


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com