Kolonjë, Rama: Vota juaj, mësim
për shitësit e broçkullave

Kolonjë, Rama: Vota juaj, mësim<br />për shitësit e broçkullave
"Vota juaj është një borxh i madh". Me këto fjalë iu drejtua kryeministri Edi Rama kolonjarëve, në aktivitetin e organizuar pas fitores së thellë të Ilia Stefos në zgjedhjet e 20 nëntorit.

Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për të bërë për Kolonjën gjithçka që është e mundur.  

"Ndaj Kolonjës kemi një borxh edhe më të madh seç e kishim, se e dimë mirë që gjithë vështirësitë dhe pasojat që kanë sjellë braktisja e Kolonjës nga ana e qeverisë në vite ka hapur shumë plagë. Erdhëm t'iu bëjmë me dije se do të bëjmë për Kolonjën gjithçka që ne kemi mundësi në mënyrë që ndryshimi të shkojë kudo dhe në mënyrë që të gjitha familjet ta ndjejnë, ta prekin rezultatin e  kësaj vote kaq domethënëse për Ilian dhe për Aleancën për Shqipërinë Europiane."- deklaroi Rama.

Shefi i qeverisë shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në fitoren e kandidatit Ilia Stefo, në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Kolonjës. Kryeministri përmendi të parën Arta Daden, të cilën e cilësoi si heroinë të Partisë Socialiste.

"Respekt për heroinën e PS në Kolonjë, Artën, e cila e meriton titullin jo vetëm sepse grindet me mua, por vazhdon e bën me durim të madh rrugën që duhet ta përfundojmë patjetër. Edhe ndonjë gjë Korçës do t'ia heqim që t'ia japim Kolonjës, sepse edhe Ilia kur shkonte në fushatë më thanë që thoshte kam ardh me Niko Peleshin, sepse ky i ka paratë"- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama shigjetoi sërish opozitën, duke theksuar se fitorja në Kolonjë është një tjetër mësim për ata që ai i cilësoi, si shitës të broçkullave.  
 
"Shitësit e broçkullave e morën edhe një mësim tjetër, por nuk do zënë mend dhe kur të vinë këtu në zgjedhjet e ardhshme do marrin edhe një mësim më të madh. Shqipëria ka nevojë edhe për opozitën. Qeveria nuk është e pagabueshme, dhe mund të bëjë edhe më tepër. Por një opozitë që bën detyrën e saj me respekt dhe jo duke u tallur me njerëzit"- vijoi Rama. 

Në fund të fjalës së tij, kryeministri i sugjeroi kryetarit të ri të Bashkisë së Kolonjës, Ilia Stefo që të shtojë numrin e punonjëseve gra në Bashki.

"Dua ta mbyll me pikën time të dobët, gratë. Kam qenë ,jam dhe do vdes i bindur që gratë janë fuqia më pozitive që ka ky vend dhe sa më shumë ne ti bëjmë gratë të motivuara, vajzat të motivuara që të jenë pjesë e procesit politik demokratik, aq më shpejt Shqipëria do dalë nga errësira ku e futën burrat. Ilia në Bashkinë e Kolonjës ke shumë burra, shumë pak gra. Puno më shumë me gratë dhe vëri më shumë në punë burrat."- deklaroi Rama. 

Ilia Stefo: Edhe ata që nuk më votuan, do priten njëlloj në Bashki
Kryetari i ri i Bashkisë së Kolonjës Ilia Stefo falenderoi të gjithë ata që e mbështetën, ndërsa siguroi se dera e Bashkisë do të jetë e hapur edhe për ata që votuan rivalin e tij.

"Në Bashkinë e Kolonjës të gjithë do të gjejnë të njëjtën pritje. Mos paçit probleme as mjekësore as në Bashki, por nëse do të keni ato do të gjejnë zgjidhje. Kam besim absolut që këtë radhë ne do bëjmë punë shumë të mira."- deklaroi Stefo.  

(er.nu/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar

Zjarret në Turqi, 21 të plagosur, mijëra të evakuuar