Kolumbianët po votojnë këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, në një garë që mund të riformësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe strategjinë e qeverisë ndaj grupeve të armatosura të lidhura me trafikun e drogës.
Zgjedhjet zhvillohen pas muajsh përplasjesh publike mes presidentit aktual të majtë, Gustavo Petro, dhe presidentit amerikan Donald Trump për çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe rolin e SHBA-së në Amerikën Latine.
Kushtetuta e Kolumbisë nuk i lejon Petros të kandidojë për një mandat të dytë, ndaj ai ka mbështetur kandidaturën e Iván Cepedës. Përballë tij garojnë kandidatët e djathtë Abelardo de la Espriella dhe Paloma Valencia.
Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 16:00. Sondazhet tregojnë se asnjë kandidat nuk pritet të sigurojë shumicën absolute, duke e bërë të mundshëm një raund të dytë më 21 qershor.
Sipas sondazheve të fundit, Cepeda kryeson garën, ndërsa de la Espriella konsiderohet rivali i tij më i fortë.
Cepeda ka premtuar të vazhdojë politikën e “paqes totale” të administratës Petro, e cila synonte arritjen e marrëveshjeve me grupet e armatosura të përfshira në trafikun e drogës. Megjithatë, negociatat me disa prej këtyre grupeve kanë ngecur, ndërsa në vend është shënuar një rritje e dhunës.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha në një raport të fundit se konfliktet e armatosura në Kolumbi gjatë vitit të kaluar kanë prekur civilët më shumë se në çdo periudhë tjetër të dekadës së fundit.
Nga ana tjetër, de la Espriella dhe Valencia kanë premtuar një qasje më të ashpër, duke u zotuar për operacione ushtarake kundër grupeve kriminale nëse fitojnë zgjedhjet.
Fushata është zhvilluar në një klimë të tensionuar sigurie. Një kandidat presidencial u vra verën e kaluar, ndërsa javën e kaluar de la Espriella u shfaq në një tubim elektoral në Medellín pas një xhami antiplumb.
Dy kandidatët e djathtë kanë shprehur gjithashtu dëshirën për të rikthyer aleancën e ngushtë të sigurisë mes Kolumbisë dhe SHBA-së.
Ndërkohë, Cepeda ka mbrojtur qëndrimin e Petros se Kolumbia nuk duhet të jetë një “shtet vasal” i Uashingtonit, megjithëse bashkëpunimi tradicional mes dy vendeve në luftën kundër drogës ka vazhduar edhe gjatë periudhave të tensionit politik.
Marrëdhëniet mes Petros dhe Trumpit kanë qenë shpesh të acaruara. Presidenti amerikan e ka akuzuar homologun kolumbian se nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur trafikun e kokainës drejt SHBA-së.
Në një prej deklaratave më të forta, Trump e quajti Petro-n “një njeri të sëmurë që pëlqen të shesë kokainë në Shtetet e Bashkuara” dhe paralajmëroi se ai “mund të jetë i radhës” për ndërhyrje ushtarake amerikane.
Petro ka kundërshtuar këto akuza, duke argumentuar se qeveria e tij ka sekuestruar sasinë më të madhe të drogës në historinë e vendit. Megjithatë, sipas Raportit Botëror të Drogës 2025 të OKB-së, prodhimi i kokainës në Kolumbi ka arritur nivele rekord gjatë mandatit të tij.
Komente







