Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar pas komandimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrisë së Brendshme. Ashtu si ambasadori i BE-së një ditë më parë, edhe ambasada e SHBA thekson se një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e luftës kundër krimit dhe drogës. Me këtë fjali ambasada e SHBA i dërguar një sinjal të drejtpërdrejt Presidentit për dekretimin e Lleshit, pasi nënkupton se ministri i ri duhet të jetë me kompetenca të plota për të siguruar vazhdimësinë e luftës kundër krimit dhe drogës.
Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen. Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme. Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar.
Ambasada e SHBA
Nga dita e martë Ministria e Brendshme drejtohet nga Sandër Lleshi, por si i komanduar nga kryeministri Rama. Lëvizja e Ramës për ta emëruar zv/ ministër dhe më pas për ta komanduar erdhi si pasojë e refuzimit të Presidentit Meta për ta dekretuar pa asnjë arsye.
Meta ende në provë
Kryeministri Edi Rama ka pohuar se ende nuk e ka humbur besimin se Ilir Meta nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit për Sandër Lleshin. “Prandaj unë vetë nuk e kam humbur besimin se Presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë, edhe pse afati ka skaduar.
Ashtu siç, nuk e kisha humbur besimin se një tjetër figurë e pastër, e kyçur prej një viti në sirtarin e propozimeve për Presidentin, Elidon Bendo do të dekretohej drejtor i Shërbimit Informativ”, është shprehur Rama ditën e martë në Kuvend. Ndërkaq, kreu shtetit Ilir Meta ka pohuar se nuk do të lejojë asnjë përpjekje për ta sfiduar dhe se ka ikur koha e drejtimit nga Sekretari i Parë.