Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur fazën përgatitore në Austri dhe Itali dhe pas 24 orëve pushim lojtarët kuqezinj duhet të paraqiten në grumbullim të dielën në orën 22:00 në mënyrë që ditën e hënë në datë 6 qershor të udhëtojë drejt Francës ku do të grumbullohen në Peros Guirec duke u futur zyrtarisht në ethet e finaleve të Kampionatit Europian.
 
Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, kapiteni Lorik Cana është bashkuar me grupin duke shuar dyshimet për probleme, pas përplasjes që pati në ndeshjen me Ukrainën, ndërsa i vetmi që do t’i bashkohet grupit me vonesë në Francë do të jetë Memushaj, i cili do të jetë i impenjuar me ekipin e Pescarës në Itali.
 
Në 4 ditët e mbetura para finaleve trajneri De Biasi duhet që të punojë shumë për të eliminuar gabimet që u shfaqën në dy ndeshjet e zhvilluara në fazën përgatitore. Kuqezinjtë fituan me Katarin dhe humbën me Ukrainën, teksa në të dy miqësoret u shfaqën probleme të shumta në mbrojtje, të cilat trajneri De Biasi i cilësoi foshnjarake duke kërkuar përqendrim në ndeshjet e grupeve, pasi gabime të tilla mund të kushtojnë shumë.
 
Shqipëria ndeshjen e parë në Euro 2016 në grupin A do ta zhvillojë përballë shqiptarëve të Zvicrës në 11 qershor, në 15 qershor luan përballë organizatorëve të Francës, ndërsa e mbyll me Rumaninë në derbin e Ballkanit.
 
Synimet e kombëtares shqiptare janë që të kalojë grupin edhe si e treta më e  mirë, nëse nuk arrin mes dy të parave, gjë që duket shumë e vështirë, por jo e pamundur, pasi presioni do të jetë mbi kundërshtarët dhe jo Shqipërinë debutuese. 



d.b/shqiptarja.com