Kur kanë mbetur vetëm 2 muaj e gjysmë nga 2 sfida që mund të bëjnë historinë për kombëtaren shqiptare të futbollit, në kampin kuqezi zyrtarisht nuk ka një trajner.

Tekniku i cili dërgoi për herë të parë Shqipërinë në fazën ‘play-off vetëm një hap larg kampionatit botëror, Sylvinho është aktualisht pa kontratë. Marrëveshja e tij dhe ndihmësve të tij Zabaleta e Doriva, me FSHF-në ka skaduar që në dhjetor të 2025.

Teksa i gjithë opinioni futbollistik në vend është me mendjen te 26 marsi, kur luajmë ndaj Polonisë në Varshavë, nuk dihet ende fati i stafit të Kombëtares.

Report TV u interesua në Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila deklaroi se ende nuk ka vendim për situatën, ndërsa më herët është raportuar që Sylvinho dhe ndihmësit e tij pritet të rinovojnë me kusht për 3 muaj. Plani është që trajneri brazilian i Kombëtares, bashkë me Pablo Zabaletën dhe Dorivën të rinovojnë deri në fund të muajit mars kur luhen edhe ndeshjet e ‘play-off-it’.

Kombëtarja kuqezi, e cila në 2026 ëndërron që për herë të parë të luajë në kampionatin botëror, do të luajë fillimisht kundër Polonisë ndeshjen gjysmëfinale të ‘play-off-it’, ndërsa në rast se kualifikohet luan finalen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Të dy ndeshjet për kuqezinjtë do të jenë në transfertë. Në rast se ia dalin të jenë në SHBA, Kanada dhe Meksikë kuqezinjtë janë shortuar në grupin F bashkë me Holandën, Tunizinë dhe Japoninë.