TIRANE - Banorë të Kombinatit protestuan sërish pasditen e sotme për mungesën e energjisë elektrike. Qindra banorë u grumbulluannë qendër të Kombinatit duke bllokuar rrugën kryesore, në shenjë proteste ndaj CEZ-Shpërndarje. Më pas dogjën goma makinash në mes të rrugës, duke shkaktuar edhe kaos në trafik.

Ka rreth një javë që në këtë zonë mungon energjia elektrike dhe kjo është protesta e dytë që zhvillohet brenda këtij harku kohor. Ndërkohë nuk ka asnjë përgjigje nga CEZ apo institucionet e tjera përgjegjëse se si do të zgjidhet kjo situatë.

Gjatë protestës u vu re një prani e madhe e uniformave blu, por nuk ka pasur asnjë konflikt apo incident mes protestuesve dhe policisë. Protesta zgjati përreth dy orë, ndërsa banorët e Kombinatit u shprehën se do të dalin sërish në protesta deri në zgjidhjen e këtij problemi.

Gjatë zhvillimit të protestës në zonën e kombinatit policia shoqëroi rreth 40 banorë gjatë zhvillimit të protestës për në komisariatin nr. 6 në kryeqytet. Ndërkohë që para komisariatit nr. 6 tani po zhvillohet një protestë tjetër e banorëve të kombinatit që kërkojnë lirim e të shoqëruarve.

(jd/Shqiptarja.com)