KOMBINAT, Tiranë - Banorët e rrugës “Hamdi Cenoimeri”, në Kombinat, kanë protestuar sot paradite kundër abuzimeve të Bashkisë së Tiranës lidhur me rikonstruksionin e kësaj rruge.

Banorët kërkojnë nga bashkia e Tiranës që të bëjë rikonstruksionin e plotë të saj, ashtu sikurse është parashikuar në projektin tashmë të miratuar nga Këshilli Bashkiak i minibashkisë Nr.6. “Rruga ka filluar të bëhet përgjysmë. Do të ndërtojnë 900 metra dhe pjesa tjetër, e cila ka dhe më shumë banorë, nuk do të bëhet”, thonë banorët.

Me protestën e banorëve janë bashkuar sot paradite edhe deputeti i zonës, Saimir Tahiri, si dhe kryetari i minibashkisë Nr.6, Krenar Cenollari. Ata u kanë dhënë garanci banorëve se do t’i mbështesin deri në fund në kërkesat e tyre, të cilat i konsiderojnë të drejta dhe mëse të arsyeshme. “Problemi është se mirë që Bashkia u bind ta bëjë rrugën, por ka “kullufitur” gjysmën. Po bën gjysmën e rrugës dhe s’po bën gjysmën tjetër, kur ndërkohë të gjithë banorët kanë të drejtë të kenë infrastrukturë në të gjithë rrugën. Ne do të kërkojmë që rruga jo vetëm të bëhet deri në fund, por të bëhet tamam, me infrastrukturën nëntokësore dhe me të gjitha kriteret që t’i qëndrojë kohës”, ka thënë deputeti Saimir Tahiri.


(er.ci/Shqiptarja.com)