Ia vlen një president, në një Republikë Parlamentare, më shumë se sa një palë Zgjedhje politike të rrezikuara?! Apo është thjesht një Komedi keqkuptimesh, të cilën dramaturgu, në këtë rast Kryeministri, mund t’i japë një drejtim tjetër nga parashikimi i të shumtëve?

Keqkuptimet janë çelësi bazik i të qeshurës së Komedisë teatrore dhe i komedisë njerëzore. Keqkuptimet janë jo rrallë edhe shkak tragjedish shumë të mëdha jetësore dhe tharm kryeveprash teatrore botërore. Keqkuptimi i Otellos te tragjedia ‘Otello’ e Shekspirit, për një shami, zgjoi xhelozinë e pashërueshme të zezakut, për të vrarë gruan e tij, Desdemonën. Kur Otello zbulon pafajësinë e Desdemonës, që thjesht kish humbur një shami, ai, dashnori vrasës gjen shërim te vetëvrasja. Qesharakja dhe e tmerrshmja janë në këtë rast shumë afër njëra-tjetrës.

Në rastin e takimeve të orëve të fundit Meta-Rama, ose më saktë në komentet që janë bërë këto ditë të ethshme, keqkuptimi është ngritur në një kulm emfatik të paparë. Një fakt dhe një takim i pazakonshëm prej vitesh. Mbi këtë rrëfenjë janë ndërtuar menjëherë një mori skenarësh fantastikë dhe shpesh idiotikë, në lidhje me këto takime që kanë brenda shumë elementë të panjohur. Komentet parapëlqejnë frymën konspirative. Në skenarët që lexojmë dhe përjetojmë, termi kyç që përdoret dhe shpërdoret është konspiracioni. Më pas inkoherenca. Më pas morali dhe jo morali. Dhe më pas akoma një lumë hipotezash, të cilat kanë më shumë ‘hipo’, sesa ‘teza’.

Çfarë ka ndodhur? Dy ish miq u bënë një ditë armiq. Më pas, këta dy ‘armiq’ vendosin të takohen, duke zhgënjyer parashikimet për armiqësinë e tyre të përjetshme. Është e vështirë në jetë të kesh me ndokënd një miqësi të përjetshme. Po ashtu është po aq e vështirë të kesh një armiqësi të përjetshme. Kjo është njerëzore. Dhe aq më tepër është edhe politike. Shkrirja e akujve ndërmjet Ramës dhe Metës, vë në pikëpyetje të ardhmen e tyre politike, e cila paskëtaj mund të jetë jo më antagoniste. Kjo po krijon shqetësime tek ato grupime apo forca politike, të cilat për vite me radhë kanë ndërtuar epërsinë e tyre politike dhe pozicionale mbi bindjen se armiqësia ndërmjet Metës dhe Nanos dhe armiqësia ndërmjet Metës dhe Ramës, do të jenë armiqësi të përjetshme.

Por kjo është një çështje tjetër. Tanimë, gjykuar nga këto shqetësime që ka provokuar takimi Meta – Rama, kuptohet menjëherë se ky koeficient ka ndryshuar. Shumica aktuale është vënë në alarm dhe kjo është padyshim një ndjesi racionale. Përçarja e të Majtës duket se është duke perënduar dhe kjo armë që e Majta ia kish drejtuar për kaq kohë vetvetes, ndoshta nuk do t’i drejtohet më vetvetes. Kjo vendos në rrezik numrat aktualë në Kuvend dhe mund të ndërtojë numra të tjerë në Zgjedhjet e ardhshme politike të vitit 2013.

Por kjo shkrirje akujsh ndërmjet Metës dhe Ramës, erdhi vetvetiu apo pati një shtysë të jashtme? Ishte pra një afeksion i zgjuar nga thellësia e shpirtit apo një nevojë politike për t’u bërë bashkë për diçka?

Le të nisemi nga faktet. Sfondi i këtij takimi kaq të përfolur është Zgjedhja dhe Zgjidhja e Presidentit të Republikës.

Po pse? A nuk është Ilir Meta kryetar i partisë më të rëndësishme në koalicion me Partinë Demokratike dhe drejtpërdrejtë me Sali Berishën? A nuk është faktori Meta, një gur themeli në fitoren e Shumicës aktuale në vitin 2005? A nuk ishte sërish faktori Meta, gur themeli në krijimin e Shumicës qeverisëse në vitin 2009 e deri më sot? A nuk ishte faktori Meta, përcaktues në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, që shkarkuan nga kolltuku kryebashkiak Edi Ramën? Nuk besoj se dikush mund të gjejë argumente logjike për të thënë të kundërtën.

Apo mos ndoshta dikush mendon se Meta nuk duhet të jetë partner politik në zgjedhjen e Presidentit, ashtu si e garanton marrëveshja e koalicionit PD-LSI, sanksionuar që në vitin 2009?

Le të presim. Kryeministri mendon dhe thotë se ka kohë për këtë. Por nga ana tjetër, bën gjithmonë deklaratën se Presidentin do ta ‘marrë’ një eksponent politik i rëndësishëm i Partisë Demokratike. Pa u konsultuar me askënd nga partnerët politikë për këtë vendim të brendashkruar në këtë deklaratë. Sepse ai mendon se ka numrat ta zgjedhë i vetëm Presidentin. Dhe kjo ndoshta është e mundur. Ka disa deputetë që qarkullojnë jashtë grupeve parlamentare politike. Ka edhe të tjerë që edhe mund të trafikojnë interesa dhe të hedhin votat aty ku e kërkon Kryeministri. Dhe kjo është gjithsesi legale dhe bile edhe demokratike.

Por a është kjo zgjedhja e duhur? Kjo është çështja.

Mos vallë pra kjo sipërmarrje e njëanshme e Kryeministrit, në lidhje me Presidentin, është arsyeja që shkriu akujt në mes Ramës dhe Metës? Mos vallë është një alarm që ndjen Ilir Meta, se Berisha synon të ulë peshën politike të aleatit të vet, sot për zgjedhjen e Presidentit dhe nesër në zgjedhjet politike të vitit tashmë të afërt 2013? Vit në të cilin Sali Berisha do t’u kërkojë Mandatin e tij të tretë qeverisës zgjedhësve shqiptarë?

A mundet PD, mbas 8 vitesh qeverisjeje, të fitojë edhe 4 vite të tjera, pa aleancën me Ilir Metën, apo më keq akoma me Ilir Metën kundra? Ndoshta. Çdo gjë është e mundur. Por analistët e përllogaritjeve elektorale, një nga të cilët unë nuk jam, thonë dhe demonstrojnë me shifra në dorë, se pa numrat e Ilir Metës në këtë ndarje të elektoratit, nuk ka dot një fitues. As Majtas dhe as Djathtas.

Atëherë?

Ia vlen një president, në një Republikë Parlamentare, më shumë se sa një palë Zgjedhje politike të rrezikuara?! Apo është thjesht një Komedi keqkuptimesh, të cilën dramaturgu, në këtë rast Kryeministri, mund t’i japë një drejtim tjetër nga parashikimi i të shumtëve?

Spektakël i bukur do të ishte.
Marre nga Mapo
(sg/shqiptarja.com)