Komisionerja europiane për emigracionin Ylva Johanson diskutoi me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis paktin e ri për emigracionin, gjatë një vizite zyrtare në Athinë.

Mistotakis mbrojti fuqishëm trajtimin e migracionit të parregullt nga ana e Greqisë, duke folur për përmirësim të menaxhimit të flukseve gjatë vitit 2023.

Ai mbrojti një politikë të kujdesshme me dy shtylla themelore: çmontimin e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve, mbrojtjen e kufirit të jashtëm të BE-së dhe vendosjen e alternativave ligjore për migrimin e kontrolluar. 

“Të mos kemi frikë nga termi integrim; ne jemi një shoqëri e hapur që kemi demonstruar një gatishmëri për të mirëpritur ata që kërkojnë të integrohen në shoqërinë greke dhe ia kanë arritur”, tha Mitsotakis.

Muajin e kaluar, qeveria miratoi një projekt-ligj që u jep emigrantëve një leje qëndrimi dhe pune 3-vjeçare, duke synuar të adresojë mungesën e fuqisë punëtore në sektorë thelbësorë për një ekonomi që ende po rimëkëmbet nga një krizë borxhi. 

Emigrantët dhe azilkërkuesit e kualifikuar, që banojnë në vend për të paktën 3 vjet, nuk kanë precedentë penalë por u është ofruar punë, mund të aplikojnë për lejen e re të qëndrimit deri në dhjetor 2024. Rreth 30,000 individë, kryesisht nga Shqipëria, Gjeorgjia, Pakistani dhe Filipinet, pritet të kërkojnë këtë lloj të ri lejeje.