Komisionerja për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, do të jetë nesër në Shqipëri, ku do të zhvillojë një takim në Kuvendin e Shqipërisë, me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të cilët do të ndajnë këndvështrimin e tyre lidhur me sfidat e procesit të negociatave.
Mësohet se në fokus të diskutimeve do të jetë ecuria aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Takimi me temë “gjendja aktuale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” organizohet nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) dhe do të mbahet nga ora 14:45 deri në 16:10, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Aktiviteti do të nisë me përshëndetjet e bashkëkryetarëve të KKIE-së, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe të komisioneres Marta Kos.
Më pas, diskutimet do të vijojnë me përfaqësues të grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare, të cilët do të paraqesin qëndrimet dhe vlerësimet e tyre mbi sfidat që shoqërojnë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Fjalën përmbyllëse do ta mbajë komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Ndërkohë më 27 nëntor 2026, Tirana do të mirëpresë Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, me temë ‘Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku’, ku e pranishme do të jetë edhe Marta Kos, e cila do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama.









Komente
Komento