Zgjedhjet e 11 majit 2025, reforma zgjedhore, protestat dhe ligji për zonat e mbrojtura ishin në fokus të diskutimit të deputetes demokrate Ina Zhupa në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, në prani të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Zhupa u kërkoi përfaqësuesve europianë të bazojnë qëndrimet e tyre në raportet zyrtare dhe jo në informacionet që u përcjell qeveria Rama, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohet besimi i shqiptarëve te Bashkimi Europian.
Deputetja akuzoi mazhorancën se nuk ka paraqitur asnjë propozim për adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe se synon ta realizojë reformën zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Ajo kërkoi krijimin e një qeverie tranzitore për garantimin e kushteve të barabarta zgjedhore, si dhe mbrojtjen nga BE-ja të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.
Zhupa i kërkoi gjithashtu komisioneres Kos që shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura të jetë një vijë e kuqe për qeverinë shqiptare, në përputhje me kërkesat e Parlamentit Europian.
Fjala e plotë e Ina Zhupës:
“Në prag të zgjedhjeve lokale, dua t’ju kujtoj se zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk ishin një garë e barabartë demokratike, por një farsë elektorale, ku Edi Rama përdori të gjitha burimet njerëzore, financiare dhe institucionale të shtetit për të siguruar mandatin e katërt. Mbi 4,500 aktivitete të organizuara me burime shtetërore, punësimi i 10 mijë personave në administratë gjatë periudhës së ndaluar, shpërndarja e përfitimeve financiare për pensionistët, fermerët dhe bizneset në prag të votimit, falja e gjobave, legalizimet dhe lejet e ndërtimit u kthyen në instrumente për blerjen dhe kontrollin e votës. Raporti denoncon gjithashtu përfshirjen e të paktën 40 grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në mbështetje të 28 kandidatëve të Partisë Socialiste në 10 qarqe, si dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga e-Albania për qëllime elektorale.
Këto janë disa informacione zyrtare, të cilat ju i keni në dispozicion, dhe çdo qytetar shqiptar pret nga ju të mbani qëndrime bazuar në të dhënat zyrtare dhe raportet e Parlamentit Europian, jo keqinformim të qëllimshëm që ju bën kryeministri Rama dhe zyrtarët e tij. Sepse ndryshe ne rrezikojmë të humbasim besimin e qytetarëve shqiptarë te Bashkimi Europian.
PD ka kërkuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, ndarjen e shtetit nga partia dhe fushë të barabartë loje. Mazhoranca nuk ka sjellë asnjë propozim deri sot për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë, ndërkohë mazhoranca do ta mbyllë komisionin për ta bërë në mënyrë të njëanshme, pikërisht sepse nuk i interesojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se ndryshe do të humbte pushtetin.
Protestat kërkojnë pikërisht një qeveri tranzitore për të garantuar kushtet për zgjedhjet. Qytetarët protestojnë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mbrojtjes së zyrtarëve me imunitet nga drejtësia. Siç e tha edhe kryetari i delegacionit, Gahler, nuk kemi një garë të barabartë dhe do të ishte e udhës të kishim një qeveri tranzitore. Policia ka ushtruar dhunë, siç e solli në vëmendje edhe Tarquini, dhe ju, si përfaqësues të Europës, duhet të jeni në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Shqiptarët protestojnë edhe kundër ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura. Më 14 maj 2026, depozitova projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, me synimin për të rikthyer garancitë ligjore të mbrojtjes së natyrës. Parlamenti Europian nuk e ka kërkuar këtë vetëm një herë, por disa herë. Edhe në rezolutën e 9 korrikut 2025 kishte shprehur shqetësim serioz, ndërsa në qershor 2026 kërkesa u bë edhe më e qartë dhe më konkrete për shfuqizimin e ligjit 21/2024. Ne presim nga ju që ta vendosni këtë si vijë të kuqe për qeverinë dhe t’i qëndroni vendimit të Parlamentit Europian për shfuqizimin e këtij ligji.”
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë






