Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte në Tiranë Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në fokus të vizitës është procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ecuria e negociatave, reformat dhe bashkëpunimi mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Komisionerja Kos do të marrë pjesë edhe në sesionin përmbyllës të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, si dhe ditën e nesërme në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Konferenca e Investimeve ka nisur që prej ditës së djeshme dhe organizohet nën kujdesin e Qeverisë Shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Europian. Aktiviteti vijon edhe gjatë ditës së sotme.

Në qendër të diskutimeve janë sektorët me potencial të lartë zhvillimi dhe investimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.

Ky aktivitet synon promovimim e mundësive të investimit në rajon, nxitja e partneriteteve strategjike dhe forcimi i lidhjeve ekonomike mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.