Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të qëndrojë të premten në Prishtinë në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë. Sipas një përgjigjeje të BE-së për RTV21, vizita synon të konfirmojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe nevojën për përshpejtimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Marta Kos do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë reformat drejt BE-së, si dhe shfrytëzimi i mundësive që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Komisionerja evropiane do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfshirë gra udhëheqëse nga sektorë të ndryshëm. Nga BE-ja thuhet se vizita synon të inkurajojë progres të mëtejshëm në rrugën evropiane të Kosovës dhe të forcojë angazhimin për prioritetet e përbashkëta mes Brukselit dhe Prishtinës.