Në ditë para seancës plenare, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thirri në takim informal kryetarët e grupeve. Ngërçit me komisionet parlamentare tashmë do t’i jepet zgjidhje, pasi opozita ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend emrat e anëtarëve.
Takimi i opozitës me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi erdhi pak orë pasi PD kishte dorëzuar në Kushtetuese padinë për ‘Diellën’, por edhe ndryshimet në rregulloren e re të Kuvendit.
Ishte vetë kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi që njoftoi se selia blu, ka dërguar zyrtarisht në Kuvend emrat e anëtarëve të komisioneve, që mbaheshin në sirtarët e saj për shkak të kundërshtimit që opozita i bën ndarjes 7 me 4 të komisioneve. Këto emra, do të miratohen nesër në orën 10:00 në seancë plenare bashkë me listën e maxhorancës.
“Emrat janë dorëzuar zyrtarisht sipas procedurave parlamentare tashmë prej kohësh”, tha Gazment Bardhi.
“Po do ti çojmë, emrat janë depozituar sepse është qëndrimi kahershëm i PL që s’mund të braktisim dhe të lëmë asnjë hapësirë bosh Ramës të bëjë ç’të dojë, sidomos sa i përket jetës parlamentare”, tha Tedi Blushi.
Edhe pse opozita ka iniciuar procedurën për shkarkimin nga karrigia të Niko Peleshit, Bardhi u kujdes të sqaronte se mbledhja ishte rutinë, e jo pajtim.
“Nuk ka asnjë tërheqje nga mocioni i shkarkimit. Kryetari në detyrë i Kuvendit ka për detyrë të konsultohet me kryetarët e grupeve parlamentare për formimin e institucioneve të Kuvendit, përfshirë delegacionet e përhershme në organizatat ndërkombëtare. Në datën 29 shtator mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe ky proces duhet të ecë një orë e më parë për të akredituar delegacionin e Parlamentit shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Kemi dhënë vlerësimet tona, mbi përfaqësimin e opozitës në këto institucione dhe sigurisht një takim i thirrur në përputhje me rregulloren nga institucionet e Kuvendit as ka qenë lënë ndonjëherë bosh nga opozita as nuk do lihet ndonjëherë bosh nga opozita”, sqaroi Bardhi.
Si ulje gjakrash, ose të paktën si reflektim pas presionit të opozitës, e pa ftesën e Peleshit, Tedi Blushi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë.
“S’ka pasur vullnet për konsensus nga një shumicë që ka shkelur rregulloren, thirrjen në takim unë e shoh si produkt të presionit pozitiv të opozitës për domosdoshmërinë e parlamentarizmit në shinat kushtetuese”, tha Blushi.
Ndërsa Fatmir Mediu, kryetari i tretë i grupeve parlamentare opozitare, preferoi të mos e jepte një koment.
Komente











