Komisioni Evropian kritikohet për jotransparencë në marrëveshjet për vaksinat

Komisioni Evropian kritikohet për jotransparencë në marrëveshjet për vaksinat

Foto ilustruese

Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian tha të mërkurën se Komisioni Evropian nuk i ka ofruar publikut qasje të mjaftueshme në marrëveshjet për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit.

Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka nënshkruar disa kontrata të mëdha me disa kompani farmaceutike në kulmin e pandemisë COVID-19, më 2020 dhe 2021.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian janë ankuar në gjykatën me seli në Luksemburg, se kanë kërkuar t’i shqyrtojnë kontratat, për t’i kuptuar termat dhe kushtet, por se u është dhënë vetëm qasje e pjesshme.

Për më tepër, sipas tyre, disa dokumente janë redaktuar dhe Komisioni ka thënë se kjo është bërë për të mbrojtur interesat tregtare dhe procesin e vendimmarrjes.

Gjykata e Përgjithshme tha se Komisioni nuk ka dhënë prova se si qasja në disa klauzola të marrëveshjeve, do të minonte interesin tregtar të kompanive të përfshira.

Gjykata tha, po ashtu, se Komisioni ka mundur të japë më shumë informacione për deklaratat e anëtarëve të ekipit që ka negociuar kontratat.

“Komisioni nuk i ka marrë mjaftueshëm parasysh të gjitha rrethanat përkatëse, për t’i peshuar drejt interesat në fjalë”, tha gjykata.

Vendimi i saj vjen një ditë përpara se Parlamenti Evropian të votojë për rizgjedhjen e Ursula von der Leyenit në postin e presidentes së Komisionit Evropian.REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Luka Modric firmos me Real Madrid

Zyrtare/ Luka Modric firmos me Real Madrid