3 orë debat pa rezultat në komisionin Hetimor të Shëndetësisë, mazhoranca mblidhet pa opozitën! Miraton planin hetimor

TIRANË- Pas 3 orësh debate për procedurë, por pa arritur gjuhën e përbashkët për të miratuar planin e hetimit apo kërkesat për informacion, anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë, vendosën që të mblidhen pa opozitën sot pasdite. 

Rreth një orë pasi u larguan nga mbledhja e komisionit e nisur paraditen e sotme, Plarent Ndreca, i cili është nënkryetar i komisionit Hetimor, mblodhi anëtarët e tij të PS-së dhe miratuan me 8 vota pro planin hetimor. Po ashtu me 8 vota rrëzuan planin e opozitës.

‘Plani ynë është më i gjerë, përfshin propozimet e opozitës!’- tha Ndreca.

Anëtarët e mazhorancës miratuan po ashtu edhe kërkesat për marrjen e provave drejtuar institucioneve sipas kërkesave të opozitës dhe mazhorancës.

Për tre orë me radhë, mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë prodhoi vetëm debate dhe akuza mes mazhorancës dhe opozitës.

"S'duhet të humbin asnjë minutë kohë, të fillojmë nga hetimi. Radha e punës që është propozuar nga unë është që të miratojmë planin e hetimit, pastaj kërkesat për marrje provash", tha Plarent Ndreca. 

"Ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin", tha Albana Vokshi

"Duhet të çojmë kërkesat për informacion dhe më pas të kemi një plan hetimor. Nuk thotë ligji që nga plani paraprak, kalohet te plani i hetimit dhe më pas te informacionet", tha Ina Zhupa.

Në mungesë të dakordësisë, kaluan në akuza politike, duke akuzuar njëri-tjetrin se në komision vijnë me urdhra politikë.

“Kanë sjellë planin e Ilir Beqajt e kërkojnë ta kalojnë me forcën e hetimit. Nuk ka miratim plani sot”, tha Albana Vokshi.

“Ne nuk themi që është plani i Berishës, ju bëheni militante e pandreqshme. Nuk bëhemi pjesë e propozimeve tuaja që vijnë nga ballkoni”, tha Ndreca.

Një tentativë e radhës për të mbledhur komisionin, do të bëhet sërish të martën e 30 prillit, datë e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Albana Vokshi, pasi PS u largua nga mbledhja.

Plani hetimor i opozitës parashikon që në listën e dëshmitarëve të thirret kryeministri Edi Rama, ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Koçiu etj.

Ndërsa nga mazhoranca kërkohet shtrirja e listës së dëshmitarëve me të gjithë ish ministrat e shëndetësisë që nga viti 2006, pra duke përfshirë ministrat e qeverisë Berisha 1 dhe koalicionit të mëvonshëm të tij me Metën, si dhe zyrtarë e auditues të KLSH. PS ka propozuar që hetimet të shtrihen që nga 2009. Sipas PS-së duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë që nga dhjetori i 2006 si dhe të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
Komisioni për Shëndetësinë/ PS miratoi planin pa opozitën, Vokshi: U shkel ligji

1714063699_vokshi.jpg

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë Albana Vokshi ka reaguar pasi mazhoranca miratoi planin e punës dhe kërkesat për informacion pa praninë e tyre. Vijimin e mbledhjes pa anëtarët e opozitës Vokshi e quan të paligjshëm. 

Reagimi i plotë:

Vijimi i mbledhjes së komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi është një veprim i paligjshëm! Ky është një uzurpim i dhunshëm dhe një shkelje arrogante e ligjit për Komisionet Hetimore e padegjuar në 33 vite të Kuvendit të Shqiperise! Kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi, në zbatim të Rregullores së Kuvendit e mbylli mbledhjen, e detyruar pas bojkotit te hapur dhe publik të deputetëve të PS me skenarin e tyre të paramenduar për të bllokuar me çdo kusht miratimin e kërkesave për informacion pra bllokimin e hetimit të aferës së Koncesioneve të Sterilizimit dhe Check-up.

Mbledhja e vazhduar nga PS, pas mbylljes së saj nga Kryetarja e Komisionit, është  e paligjshme, është një vetgjyqësi politike mafioze dhe vendimet e saj janë të pavlefshme pra nul. Edhe plani hetimor i njëanshëm i votuar nga kjo vetëgjyqësi politike është i paligjshëm dhe me zero vlere ligjore. Akti i sotëm rikonfirmon mungesën e plotë të vullnetit të Edi Ramës për të lejuar hetimin nga parlamentit të dy prej akteve më të rënda korruptive të qeverisjes së tij si dhe mbrojtjes politike që ai dhe deputetët në mënyrë të verbër i japin korrupsionit dhe grabitjes shtetërore më të pashembullt të pluralizmit.

Opozita me konseguencë dhe vendosmëri të palëkundur do të bëjë transparencë të plotë dhe deri në fund për këto afera korruptive, për të cilat as SPAK nuk ka guximin të thotë të vërtetën. Se 200 milionë euro aferë janë firmosur me dijeninë dhe vullnetin e Edi Ramës! Çdo shkelje ligji do të denoncohet deri në një për të evidentuar para cdo shqiptari inkriminimin dhe aleancën kriminale rilindase Qeveri Kuvend në mbrojtjen e korrupsionit.

Ora 15:18
Plarent Ndreca mbledh vetëm me anëtarët e PS Komisionin hetimor për kontratat në Shëndetësi! Miraton planin hetimor, rrëzon të opozitës

1714050874_komisionihetimor.jpg

Plarent Ndreca, nënkryetar i Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, ka rimbledhur komisionin vetëm me anëtarët e PS-së. PS vijoi punën e saj për shqyrtim pa opozitën dhe miratoi me 8 vota planin hetimor. Ndërkohë me 8 vota kundër rrëzoi planin e opozitës.

Ora 14:08
3 orë debate, PS braktis Komisionin Hetimor të Shëndetësisë! Vokshi: Po pengojnë hetimin

 

Pas tre orësh debate dhe pa asnjë vendimmarrje, Partia Socialiste është larguar nga mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë. Kryetarja Albana Vokshi tha se kjo është një përpjekje e PS për të bllokuar punën, pasi nuk pranon të miratojë kërkesat për informacion. Mbledhjen e radhës Vokshi e caktoi të premten.

“Po kërkojnë të mbulojnë korrupsionin dhe abuzimin kriminal të dy koncesioneve. E paimagjinueshme kjo që po ndodh në këtë komision. 8 deputetë e mazhorancës janë vënë në mbrojtje të këtij korrupsioni. Refuzojnë të dërgojnë kërkesat për informacion. Meqë deputetët e PS përsëri bojkotuan komisionin, u larguan për të penguar hetimin parlamentar, po thërras mbledhjen e radhës ditën e martë. Orarin do e caktojmë, rendi i ditës vijon të jetë miratimi i kërkesave për informacion dhe diskutim i planeve”, tha Vokshi.

Ora 13:36
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë/ Vokshi-mazhorancës: Keni sjellë planin e hetimit të Ilir Beqajt dhe kërkoni ta miratojmë me forcën e kartonit

 

Opozita dhe mazhoranca nuk bien dakord në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për rendin e ditës. PS kërkon miratimin e planit të hetimit, ndërsa opozita thotë se fillimisht duhet të miratojnë kërkesat për informacion.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se sot nuk miratohet plani i hetimit pa dërguar kërkesat për informacion. Vokshi thotë me ironi se mazhoranca këmbëngulë që të miratojë planin e Ilir Beqajt, ish-ministri i Shëndetësisë i cili është në hetim për koncesionin e sterilizimit.

"Ka sjellë planin e Beqajt dhe kërkojnë që ta kalojnë me shumicën e votave me forcën e kartonit. Ligji thotë bëhen propozimet nga ekspertët, merren provat në bazë të nenit 15 pika 3 dhe më pas kalohet në miratimin e planit të hetimit. Nuk ka miratim plani sot", tha Vokshi. 

Ora 13:29
Komisioni Hetimor i Shëndetësisë/ 'Turp që bëni avokatin', Ilir Metaj - Ilda Dhorit: Harroje teorinë e kaosit

 

Debatet vijojnë në Komisionin hetimor për PPP në Shëndetësi. Kryetarja Albana Vokshi ka akuzuar anëtarët e mashorancën në komision, se po paguhen nga paratë e përfituara nga sterilizimet që të pengojnë punën në komision.

“Po bëhet një muaj që presin shkresat për kërkesë për informacion. A keni turp ju apo jo. Duhet të ndihemi të turpëruar se po paguhen energji, para të taksapaguesve që kemi ardhur këtu për të hetuar. Paratë e sterilizimit po vijojnë që të paguajnë që ky komision të pengojë hetimin”, tha ajo.

Momente debati pa mikrofon mes Petro Koçit dhe Zheni Gjergjit.

Ndërkohë, deputetja demokrate Ilda Dhori shprehet se: “Jeni duke bërë avokatin këtu. A nuk ju vjen turp që po bëni rolin e avokatit?”

Fjalën e merr deputeti i PS Ilir Metaj: “Po zonja Dhori, avokatë jemi këtu. Avokatë të transparencës, ligjit dhe etikës. Nuk duhet ndonjë largpamësi e posaçme për të parashikuar që ky komision nuk do të kishte qoftë edhe një moment të vetëm konsusi parimor që të paktën të na bënte ta nisnim punën mbarë.

Jemi duke dëgjuar nga ju një odise pseudoargumentesh që synojnë vetëm të na  vështirësojnë arritjen në destinacionin e  transparencës, që gati rivalizojnë me vështirësitë e udhëtimit të vetë Odiseut në Itakën e tij të dashur.

E keni treguar jo vetëm një herë që jeni ithtarë të Teorisë së Kaosit. Po nëse mendoni se mund të lëshoni këtu një flutur manipulimi dhe ajo të shkaktojë urragan në opinionin publik jashtë kësaj salle, më duhet t’u them që e vetmja gjë që flutura arrin është të reflektojë absurditetin tuaj mendor duke u bërë të dukeni si një fëmijë i vogël që rrethrrotullohet me gishtin tregues pingul në maj të kokës”.

Ora 13:15
Replikat/ Ndreca-Vokshit: Dhunuese e fjalës, një inxhiniere tekstile s'ma tregon dot ligjin! Deputetja: Kur denoncojmë abuzimet të dhemb

 

Debate mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshit në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Ndreca i kërkoi Vokshit që të miratohet plani i hetimit, ndërsa mes tyre pati edhe replika të ashpra.

Pjesë nga replikat

Plarent Ndreca: Një inxhiniere tekstile nuk ma tregon dot mua ligjin. Kam shumë respekt për profesionin tuaj, por një juristi nuk ia tregoni dot ju ligjin”.

Plarent Ndreca: Je dhunuese sistematike e fjalës së deputetëve. Je këtu për të moderuar, ti je e para mes atyre që bën diversion.

Albana Vokshi: Të dhemb kur denoncojmë abuzimet...të dhëmb ëëë..

Plarent Ndreca: Ja çfarë kryetareje keni, ja si flet..

Albana Vokshi: Një i kapur nga konflikti i interesit nuk pres të zhbllokojë punën

Plarent Ndreca: Ja pse i meriton të gjitha llafet. Je njeriu më i papërshtatshëm për të drejtuar këtë komision, ti je kallëzuese penale.

Ju tentoni t’i imponoheni shumicës, kjo pjesa këtej është vullneti i shumicës së shqiptarë, Prokuror alla Enver, Kadri këtu nuk ka.

Albana Vokshi: E bën Rama me Olsi Ramën. Me gjithë bandat kriminale.

Plarent Ndreca: Propozimi im për të vijuar punën. PS kërkon fillimin e hetimeve, ja ku i keni kërkesat për marrje provash. Ne nuk lëvizim nga këtu pa miratuar planin e hetimit, pastaj marrjen e provave. Keni akuzuar pa të drejtë 3 javë që po bllokojmë hetimin. Ju po bllokoni hetimin.

Albana Vokshi: Do kaloni planin e Ilirit, apo dëshmitarëve që ke mbrojtur

Plarent Ndreca: Kam mbrojtur profesorin (Arben Gjata), s’kam mbrojtur dëshmitarët.

Ora 12:28
Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, Petro Koçi akuza opozitës: Po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba

 

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë vijon prej dy orësh debate për planin e hetimit, të cilin PS kërkon ta miratojë sot. Nga ana tjetër opozita thotë se duhet të çojnë më parë kërkesat për informacion.

Mes debateve, deputeti socialist Petro Koçi hodhi akuza ndaj opozitës duke thënë se “ka frikë se opozita po i bën shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba.”

Petro Koçi: Do kërkoj nga Kuvendi që të zbardhet ca ka ndodhur në seancën e kaluar. Kush ka përdorur fjalë të papërshtatshme të mbajë përgjegjësi. S’duhet ta fyejmë gjuhën shqipe. Ka dallim të qartë mes fjalëve. Sipas nenit 15 thuhet se komisioni nëpërmjet ekspertëve ligjorë mbledh të dhëna për çështjen. Ekspertët kanë punuar dhe të dyja palët kanë paraqitur nga një plan hetimor që është një partiak, një e ka përgatitur PD dhe e ka dorëzuar, dhe po këtë gjë kanë bërë edhe ekspertët e propozuar nga PS. Ne jemi në momentin që duhet të aprovojmë planin e hetimit. Plani i hetimit që ju keni dorëzuar është i përfshirë në planin e propozuar nga PS. Ju mesa duket jeni penduar që e keni propozuar planin dhe kërkoni të nisni një proces për mbledhjen e të dhënave që nis vetëm pasi miratohet plani i hetimit. Kam frikë se po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba.

Albana Vokshi: Ato komunikime mund ti bëni në grupin tuja, komisionet janë implementuar në qeverinë tuaj dhe ne do nisim që nga dita e parë. Do ju ftoja që kur të vijë pika 3 do i diskutojmë të gjitha për respekt të punës që kanë bërë ekspertët, do i lexojmë të dyja planet. Dëshira është që të kemi një plan. Ju keni frikë se ca do zbulohet, e kuptoni ku jemi apo jo. Ne 1 muaj nuk çojmë dot një shkresë. Plani miratohet pasi vijnë provat zyrtare. Po kërkoni të mbroni korrupsionin, abuzimin kriminal.

Ora 12:19
Mungoi në dy mbledhje të Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, Milva Ekonomi për Report Tv: S’kam hequr dorë, ndodhem jashtë shtetit

1714037293_komisioniishendetesise.jpg

Deputetja socialiste Milva Ekonomi ka sqaruar për Report Tv se nuk është larguar nga Komisioni Hetimor i Shëndetësisë. Në një reagim për Report Tv, Ekonomi thotë se ndodhet jashtë shtetit për nëj aktivitet, duke hedhur poshtë pretendimet e Ina Zhupës se nuk vjen më në Komision për shkak të akuzave për konflikt interesi.

"Jam anëtare, ndërkohë jam jashtë në një aktivitet caktuar kohë më parë."

Ora 12:13
Edmond Spahon e ‘lëshojnë nervat’ në komision, i kthehet Bilalit: Të kesh turp! I hakërrehet dhe Vokshit: Më jep fjalën

 

Deputetin demokrat Edomd Spaho duket se e kanë ‘lëshuar nervat në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë’. Spaho pasi ofendoi deputetin socialiste Edona Bilali duke i thënë “të kesh turp”, iu kthyer edhe Vokshit nga radhët e tij.

Spaho: Kjo tregon mungesë serioziteti, s’ka të bëjë jemi burrë apo jemi gra, ka të bëjë me seriozitetin e asaj që po diskutojmë në komision, nuk kam parë në 30 vite një komision që të ngelet në këtë fazë.

Komisioni mbledh të dhëna për çështjen. Të dhënat mund të jenë informacione zyrtare dhe jo zyrtare. Komisioni merr të dhëna nga burime të drejtpërdrejta pasi.. Ore ju s’doni të punoni, ju s’doni të punoni. Unë po ju them. Kemi një drejtoreshë të Shërbimeve Juridike merreni ta lexojë ligjin. Ju nuk doni të hetoni.

 

 

Ora 11:56
Vokshi-mazhorancës: A keni turp që nuk miratoni kërkesat për informacion? Sterilizimi dhe check up po paguajnë që të pengohen hetimet e Komisionit

 

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi akuzon PS se po tenton të bllokojë punën e komisionit duke mos miratuar kërkesat për informacion. Vokshi tha se paratë e sterilizimit dhe check up po paguajnë që ky komision të pengojë hetimin.

“A keni turp ju apo nuk keni turp që nuk miratoni kërkesat për informacion. Kemi një muaj. Duhet të ndihemi të turpëruar. Ju nuk miratoni shkresat se po mbuloni korrupsionin. Paratë e sterilizimit dhe check up po paguajnë që ky komision të pengojë hetimin”

Ora 11:38
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare

Ina Zhupa tha në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë se deputetja socialiste Milva Ekonomi ka munguar dy herë në mbledhje dhe se sipas saj duket se nuk do marrë pjesë më. Zhupa tha se shkaku janë akuzat që opozita ka bërë ndaj saj se është në konflikt interesi, ndërsa theksoi se e pret në Komision si dëshmitare.

“Hera e dyte që deputetja Milva Ekonomi mungon në komision dhe mesa duket as do vijë më, por unë e mirëpres si dëshmitare”, tha Zhupa.

Më tej Zhupa hodhi akuza se halli i vetëm i mazhorancës është që bllokojë punën e komisionit dhe që mos të marrin kërkesat për informacion.

S’mund të bësh plan hetimi pa pasur prova paraprake. Një është plani paraprak i hetimit që prezantohet nga kryetarja, momenti tjetër është plani final i paraqitur nga ekspertët. Ka një moment tjetër procedural që është mbledhja e informacionit. Duhet të çojmë kërkesat për informacion dhe më pas të kemi një plan hetimor. Nuk thotë ligji që nga plani paraprak, kalohet te plani i hetimit dhe më pas te informacionet. Kemi një muaj këtu dhe halli është si mos të marrim informacion. Si të fshihem klientët tuaj. Nuk jemi votuar që të kalojmë kohën, jemi këtu për të kërkuar informacion, për të bërë plan hetimi.

Ora 11:28
Komisioni Hetimor për Shëndetësinë nis me debate, PS: Të miratojmë planin hetimor! Vokshi: Ndreca përpjekje për të bllokuar punën, s’më intimidon dot

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë ka nisur sërish me debate mes opozitës dhe mazhorancës. PS kërkon miratimin e planit të hetimit.

Nga ana tjetër kryetarja Albana Vokshi akuzoi Plarent Ndrecën se po bën përpjekje që të pengojë hetimin. Sipas Vokshit, plani i hetimit miratohet vetëm pasi të mbledhin faktet dhe provat dhe pasi merren informacionet e kërkuara nga institucionet.

Plarent Ndreca: S'duhet të humbin asnjë minutë kohë, të fillojmë nga hetimi. Radha e punës që është propozuar nga unë është që të miratojmë planin e hetimit, pastaj kërkesat për marrje provash. Propozimi i kolegëve të mi që përfaqësojnë mazhorancën, është që pika e parë e rendit të ditës është miratimi i planit të hetimit që të nisim sa më parë hetimi.

Albana Vokshi: Ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin. E keni shprehur këtë dhe me komunikimin e djeshëm mes kryetares dhe nënkryetari, duke përdorur edhe gjuhë shantazhuese. As më intimidoni, shtantazhoni, unë do ndjek procedurat parlamentare. Neni 15 pika 2 thotë se ekspertët ligjorë ja raportojnë gjetjet komisionit dhe propozojnë planin e hetimit. Pasi sigurohen të dhënat komisioni miraton planin e hetimeve sipas propozimit të ekspertëve. Pra nis vetëm pasi të mblodhën faktet dhe provat, pasi marren informacionet e kërkuara nga institucionet apo kompanitë private. Në asnjë rast plani hetimor nuk miratohet pa marrë provat e nevojshme.  

Saimir Korreshi: Plani që kërkojnë këta, nuk është i plotë. Formatin Tete-a-tete nuk e kishin përcaktuar do e bëjmë podcast apo dhomë rrëfimi.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos