Është miratuar në Komisionin e Ekonomisë projektligji që i hap rrugën marrjes së eurobondit 500-700 milionë euro në fillim të muajit nëntor. Ky borxh do të shlyhet nga 7 deri në 10 vite dhe do të përdoret për disa sektorë.
“Financimi do të përdoret për mbështetje buxhetore dhe do të përdoret arsimi, shëndetësia, bujqësia apo infrastruktura dhe mbështetje e investimeve publike. Një pjesë i investimit do të mbetet në thesar për vitin 2022”, u shpreh ministrja e financave Delina Ibrahimaj.
Miratimi i këtij projektligji nuk ka kaluar pa debate në komision. Deputetët e opozitës e konsideruan këtë borxh të rrezikshëm pasi nuk dihet për çfarë do të përdoret.
“Ne po marrim borxh por pa e ditur se për çfarë po e marrim, borxhi i marrë nuk është përdorur vetëm për investime por është përdorur edhe për shpenzime operative dhe është përdorur edhe për paga. Nuk e dimë si do përdoret ky borxh dhe për mua është shumë i rrezikshëm. Shqetësimi i dytë është për deklaratën e FMN që pati kritikë kryesore sesi është menaxhuar borxhi publik. FMN kërkoi rishikim të prioriteteve, nuk mund të marrim borxh për PPP”, u shpreh Tabaku.
“Shqetësim është rritja e vlerës së borxhit që marrim nga 300 milionë euro ndërsa tani po kërkojmë deri 700 milionë euro”, tha deputeti i PD Arbi Agalliu.
Përgjigjen e dha ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj
“Është në interesin tonë që të marrim një borxh më të madh këtë vit nëse ka norma të ulta interesi dhe të mos dalim vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi. Po ashtu edhe kriza energjetike po jep efektet e saj. Prandaj është në interesin tonë të marrim eurobond në vlerë më të madhe këtë vit dhe të mos dalim vitin e kaluar”, tha Ibrahimaj.
Edhe ish/zëvendëskryeministri Erion Braçe kritikoi rritjen e borxhit.
“Duhet të rikthehemi tek rregulli fiskal vitin që vjen dhe të menaxhojmë borxhin më mirë. Kërkohet deficit në terma pozitiv dhe deficiti të mos kalojë vlerën e investimeve. Në raportin e BB dhe të FMN vihet theksi tek jeta e njerëzve tek mbështetja e njerëzve në vështirësi dhe tek barazia. Duhet të kthehemi tek rregullat fiskal, konsolidimi fiskal është interes publik”, tha Braçe.
Ky është eurobondi i 5 që vendi do të marrë, ndërsa eurobondi i fundit u emetua në qershor të vitit 2020, në vlerën e 650 milionë eurove.
Teksa po diskutohej për Eurobondin, mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u mbyll me debate të ashpra mes kryetarit të këtij komisioni, Eduart Shalsi, dhe deputetit të opozitës Dashamir Shehi.
Ishte kryetari Shalsi që i kërkoi në fund të mbledhjes deputetit Shehi të mos qeshte kur flisnin kolegët e mazhorancës, duke iu referuar një ironie të bërë prej Shehit në momentin që po fliste ish-ministrja e Financave, Anila Denaj.
Kjo bëri që kreu deputeti i opozitës të dilte nga vetja dhe ta quante Shalsin legen, dhe kërkoi prej tij që mos t’i bënte më kurrë moral, pasi ka qenë shembull i edukatës në parlamentin shqiptar këto 30-vjet.
Pjesë nga debati:
Eduard Shalsi: Unë nuk besoj se as zoti Shehi, as ndonjë deputet tjetër nuk ka nevojë për avokati në këtë komision. Për mua është e rëndësishme që edhe kur nuk biem dakord mos të biem në mënyrë të papëlqyeshme. Konstatova dy fakte dhe shpreha dy shqetësime, sikundër që çdonjëri prej jush është i bindur t’i thotë. Unë kam përgjegjësinë të moderoj këtu por nuk kam asnjë të drejtë mbi ju.
Shpreh bindjen se Komisioni do të vijojë me profesionalizëm duke kundërshtuar njëri-tjetrin, por duke qenë të papëlqyeshëm për njëri-tjetër. Nëse dikush do të ndërtojë një objeksion, do të bëjë ironi, do qeshi do të marrë një fjaë apo kundërshti nga personi tjetër, atëherë natyrisht, por mua nuk më shqetësojnë debatet konstruktive, as shpotitë dhe as të qeshurat ndonjëherë për sa kohë nuk janë dashakeqe, sikundër nuk ishte dhe rasti konkret.
Dashamir Shehi: Shiko po ja kursej këtyre kolegëve këtë muhabetin sepse është i kotë ky moralizmi. Këtu nuk je pronari i fronit këtu. Për gjestet e pahijshme që bëjmë ne mbajmë përgjegjësi personale. Zonjën e njoh që fëmijë dhe nuk pas qëllim as të qesh dhe as ta poshtëroj. Ky është një budallallëk i kotë. Pse qeshe ti? Unë mund të qesh dhe kur thua ti ndonjë fjalë. Jam 64-vjeç, kam 30-vjet në këtë parlament, mos e bëj më dhe kaq. Mos e bëj më dhe kaq, legen!
Eduart Shalsi: Çfarë mos të bëj më?
Dashamir Shehi: Po më jep mua leksion ti për edukatën këtu në parlament. Kam qenë shembulli i edukatës këto 30-vjet.
Erion Braçe ka pasur kritika lidhur me borxhin dhe vaksinimin. Në Komisionin e Ekonomisë, ai tha se procesi i vaksinimit duhet të stimulohet në të kundërt nuk ka për të pasur sukses. Ai tha se nuk duhet ti rikthehemi kufizime pasi do të goditet ekonomia dhe prandaj theksi duhet të vihet tek vaksinimi si i vetmi shpëtim nga COVID-19.
“Kërcënimi i parë që i kanoset ekonomisë është pandemia, dhe Shqipëria nuk është mirë me pandeminë dhe rikthimi me kufizime do të godasin shumë rëndë ekonominë dhe theksi vihet tek vaksinimi që të kapërcejmë shifrat që ne kemi. Rritja e çmimeve konsiderohet e përkohshme, kërcënimi serioz vjen nga pandemia dhe mungesa vaksinimit. Duhet të ndryshojmë qasje dhe të stimulojmë vaksinimin. Kemi kufizime për të vaksinuarit, ndërkohë që duhet të kishim kufizime për të pavaksionuarit. Të gjithë rreth e qark nesh merren pikërisht me këtë aspekt i kanë dhënë liri të vaksinuarve, dhe për punë, për argëtim për politikë ndërsa ne i kufizojmë. Nuk do kemi sukses me vaksinimin nëse ne nuk stimulojmë vaksinimin”, tha Braçe.
Braçe tha se lufta duhet të fokusohet edhe në sipërmarrjet e mëdha që paguajnë pak në krahasim me atë që marrin. Vendi duhet të kthehet te konsolidimi fiskal.
“Duhet të rrisim bazën e tatimpaguesve të luftojmë evazionin fiskal, të luftojmë sipërmarrjet e mëdha që paguajnë pak ose fare pak në krahasim me ato që marrim. Duhet të rrisim kapacitetin tonë me të ardhurat publike. Duhet të kthehemi tek konsolidimi fiskal. Duhet të rikthehemi tek rregulli fiskal vitin që vjen dhe të menaxhojmë borxhin më mirë. Kërkohet deficit në terma pozitiv dhe deficiti të mos kalojë vlerën e investimeve. Në raportin e BB dhe të FMN vihet theksi tek jeta e njerëzve tek mbështetja e njerëzve në vështirësi dhe tek barazia. Duhet të kthehemi tek rregullat fiskal, konsolidimi fiskal është interes publik”, tha Braçe.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku e konsideron marrjen e eurobondit 500-700 milionë euro shumë të rrezikshëm, pasi sipas saj nuk dihet se për çfarë do të përdoren nga qeveria ky borxh. Tabaku tha se borxhi është i mirë kur përdoret mirë kur përdoret për investime të rëndësishme. Ajo argumentoi se ekonomia shqiptare nuk ka pasur ndonjë përfitim nga rritja e borxhit dhe se ky aktual po merret për PPP-të
“Borxhi publik është në rreth 80%, jemi në listën gri për pastrimin e parave. Ministria nuk i ka marrë parasysh këto problematika dhe janë shqetësim për mua. Ne po marrim borxh por pa e ditur se për çfarë po e marrim, borxhi i marrë nuk është përdorur vetëm për investime por është përdorur edhe për shpenzime operative dhe është përdorur edhe për paga. Në 2013 borxhi ishte 6.3 miliardë euro ndërsa tani është mbi 10.2 miliardë euro dhe nuk e dimë sesi është përdorur dhe a ka pasur efektivtivitet. Borxhi na bën mirë kur përdoret për investime të rëndësishme. Nuk e dimë si do përdoret ky borxh dhe për mua është shumë i rrezikshëm. Shqetësimi i dytë është për deklaratën e FMN që pati kritikë kryesore sesi është menaxhuar borxhi publik. FMN kërkoi rishikim të prioriteteve, nuk mund të marrim borxh për PPP", tha Tabaku.