Miratohen 3 projektligje të paketës fiskale për vitin 2024! Shtyhet rritja e taksës së karbonit për në korrik 2026! Braçe kundër: Kompanitë e çimentos po ndotin 2-fish mjedisin

Miratohen 3 projektligje të paketës fiskale për vitin 2024! Shtyhet rritja e taksës së karbonit për në korrik 2026! Braçe kundër: Kompanitë e çimentos po ndotin 2-fish mjedisin

Janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës 3 projektligje të paketës fiskale për vitin që vjen, ndërkohë që është shtyrë për javën e ardhshme miratimi i projektligjit për TVSH-në pas saktësimit të ndryshimeve nga Ministria e Bujqësisë të cilat synojnë heqjen e TVSH-së për importimin e mëshqerrave të mbarsura dhe insekteve.

Pa asnjë ndryshim u miratuar projektligji për akcizat, ndërsa Komisioni i Ekonomisë ka bërë disa ndryshime në draftin e procedurave tatimore dhe në  atë të taksave kombëtare.

Në përfundim të diskutimeve është vendosur që rritja e taksës së karbonit për qymyrin për sektorin e prodhimit të çimentos, çelikut dhe ferro-kromit, të hyj në fuqi më 1 korrik të vitit 2026 dhe jo në 1 janar 2024.

Shkak për këtë është bërë kërkesa e kompanive për t’ju lënë kohë që të përdorin burime alternative për të zëvendësuar qymyrin. I vetmi që ishte kundër shtyrjes së afatit për më shumë se 2 vite ishte deputeti Erion Braçe.

‘Mendoj se koha që ju është vënë në dispozicion është shumë e gjatë për atë qëllim që ne kemi, të godasim efektin e karbonit dhe të mos ndotin ambientin. Sa ju takon kostove, këto fabrikat e çimentos, rritën çmimet pa asnjë lloj ndikimi, dhe për pasojë u rrit çmimi në ndërtim. Ata kishin vetëm impaktin e energjisë elektrike. Këto kompanitë duhet të kuptojnë se biznesi nuk bëhet pa lek, dhe fitimi të jetë shumë i madh.’- tha Braçe.

Projektligji për “Taksat Kombëtare”, parashikon që taksa e karbonit për qymyrin nga 3 lekë/kg qymyr që është sot, të shkojë në të paktën 15.3 lekë/kg qymyr në vitin 2030, me synim uljen e ndotjes nga emetimi i karbonit. Projektligje do të miratohen përfundimisht në seancën plenare të javës së ardhshme.

Ndërkohë nuk kanë gjetur dakordësi për tu miratuar as propozimet e tjera të bëra nga deputeti Braçe në mbështetje të grave dhe vajzave. Me argumentin e Ministrisë së Financave që duhen studiuar kostot e nismës se nuk mund të bëhen më përjashtime nga TVSH-ja, Komisioni i Ekonomisë vendosi të rrëzojë propozimin për heqjen e TVSH-së për paketën higjienike për ciklin menstrual të grave e vajzave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Nuk miratohet propozimi i Braçes për heqjen TVSH-së për produktet higjienike të grave për ciklin menstrual, Mete: E shqyrtojmë në një moment të dytë

1701427967_brace.jpg

Propozimi i Erion Braçes për heqjen e TVSH-së për produktet higjienike të grave për ciklin menstrual është rrëzuar në komisionin e Ekonomisë. Sipas ministrit të Ekonomisë Ervin Mete, këtë mund ta shqyrtojmë në një moment të dytë. Ndërsa deputeti Vullnet Sinaj deklaroi se do të ishte më mirë të hiqej TVSH për produketet e shportës.

Pjesë nga debati

Brace: Propozoj përjashtimin nga TVSH të produkteve higjieno-sanitare, për ciklin menstrual të grave dhe vajzave. Puna e papaguar e grave ka një ndikim shumë të fortë në ekonominë kombëtare.

Ervin Mete: Në parim jemi dakord me mbështetjen e grave, jo vetëm për paketën  higjienike por edhe më shumë. Por në këtë moment, që ne kemi një qasje drejt eliminimin e përjashtimeve. Në 2 muaj do të bëjmë dhe një analizë sidomos të përjashtimeve që kemi tek TVSH. Ne do të kërkonim që ta kërkonim më gjatë propozim duke pasur parasysh që kodet me të cilat lidhet kanë ndërthurje edhe me produkte të tjera, dhe impakti total nuk është i pa konsiderueshëm. Ta shqyrtojmë në një moment të dytë jo të lidhur tani me buxhetin. Fryma është që të mos japim më përjashtime kryesisht nga TVSH-ja.

Erion Braçe: Që në vitin 2006 ka një direktivë për këtë, më pas ka një rezolutë të BE, që e konsideron problem të madh për shëndetin. Si çështje evropiane që lidhet me shëndetin e grave daton nga viti 2006. Mendoj se do të vijmë shumë shpejt këtu edhe për shkak të procesit në BE. Ne nuk kemi ndonjë politikë të veçante për të mbështetur gratë, përveç ndihmës që japim për gratë kryefamiljare. Mbi gratë rëndon puna e papaguar, puna e nën paguar dhe në pa barazi me punën që bën një burrë. Po humbim popullsi, jo vetëm në numër, edhe si pasojë e plakjes, po humbim lindje të reja që lidhen me shëndetin riprodhues të grave. Në këtë pikë kjo masë vlen shumë. Ndikimi qoftë moral por edhe financiar është i konsiderueshëm edhe nëpër familje. Është themelore ta ndërmarrim një masë të tillë. Kostoja për një familje për paketën higjieno sanitare është sa 2 ndihma ekonomike në vit.

Gjylameti: Mendoj se duhet të marrim një nismë më të madhe se kaq, por të shkojmë edhe tek mbështetja e fëmijëve apo moshës së tretë apo kategorive të tjera që të marrin paketën higjienike pa TVSH.

Braçe: Nëse nuk bëjmë këtë që propozoj, nuk do të bëjmë asgjë të madhe. Janë 22 shtete të BE-së që e zbatojnë këtë gjë, ka shtete që paketën e japim falas.

Vullnet Sinaj: Nëse do vendosim të prekim TVSH-në mendoj se fillimisht duhet të prekim TVSH-në për produktet e shportës që janë më të rëndësishme. Vendet fqinje e kanë më të ulët TVSH-në e shportës, dhe për pasojë ka produkte që hyjnë në rrugë tokësore kontrabandë. Nëse ulim TVSH-në për shportën i bëjmë të kënaqura edhe zonjat.

Mete: Duhet të bëjmë një diskutim më të zgjedhur për të mbështetur ato kategori që janë më në nevojë, ndoshta edhe më shumë se kaq.

Braçe: I vetmi dyshim që unë kam dhe për propozimin është që nëse do të reflektohet heqja e TVSH-së tek çmimi, apo tregtari do i marrë lekët dhe do i fusin në xhep.

Ora 11:52
Shtyhet afati për rritjen e taksës së karbonit për qymyrin, hyn në fuqi në 1 korrik 2026 jo në 1 janar 2024! Braçe kundër: Po u lihet shumë kohë, këto kompani ndotin dyfish mjedisin

Komisioni i Ekonomisë ka pranuar kërkesën e kompanive të sektorit të industrisë së prodhimit të çimentos, çelikut dhe ferro-kromit, për të shtyrë në kohë afatin për të rritur taksën e karbonit për qymyrin. Rritja e taksës së karbonit do të hyj në fuqi më 1 korrik të vitit 2026 dhe jo në 1 janar 2024.

Projektligji për ndryshimin e ligjit për “Taksat Kombëtare”, parashikonte që të rritet sipas një kalendari taksa e karbonit për qymyrin nga 3 lekë/kg qymyr që është sot, të shkojë në të paktën 15.3 lekë/kg qymyr në vitin 2030. Synimi i këtij projektligji është ulja e ndotjes nga emetimi i karbonit, nga kjo taksë preken industria e çimentos, ajo e çelikut, si dhe industria e prodhimit të ferro-kromit. Faza fillestare e tij ishte parashikuar në 1 janar 2024, por që është shtyrë në 1 korrik 2026.

Eduard Shalsi: Ideja është që këto kompani do të bëjnë me miliona euro investime, në mënyrë që të gjejnë burime alternative për ti përdorur në aktivitetin e tyre. Në këtë rast bëhet me kërkesë të industrisë së çimentos.

Ervin Mete: Kemi diskutuar dhe pranuar argumentin tuaj për t’ju dhënë më shumë kohë. Do ishte më e pranueshme 1 janar 2026 ose 1 korrik, por duhet të ndryshojë kalendari dhe rritja në 2026 të jetë me 1 lekë dhe të rritet në mënyrë të përshpejtuar për të arritur në 15.3 lekë në vitin 2030. Ne synojmë frenimin e qymyrit si lëndë djegëse në këtë sektor dhe të tjerë. Ne do ti qëndronim një janarit me një kalendar të shtuar, që në vitin 2030 të kemi ngarkesën e parashikuar në kalendar.

Erion Braçe: Ne ju kemi dhënë shumë favore këtyre fabrikave. Asaj të madhes në fushë Krujë u dha mundësia e privatizimi, fabrikave të tjera në këtë zonë ju është dhënë me ligj parlamenti me koncesion, ju është dhënë leja për të ngritur një fabrikë çimento dhe ju është dhënë me ligj parlamenti sipërfaqe e paimagjinueshme pyjore. Pas këtyre favore ato nuk mund të zgjidhnin zgjidhjen më ordinere të mundshme. Kanë zgjedhur teknologjinë më të rëndë të mundshme, atë të qymyrit, dhe ndotin dyfish mjedisin. Po të shohësh në mëngjes, sepse punojnë natën dhe pa filtra, kur bie vesa apo shiu e shikon nëpër makina. Mendoj se koha që ju është vënë në dispozicion është shumë e gjatë për atë qëllim që ne kemi, të godasim efektin e karbonit dhe të mos ndotin ambientin. Sa ju takon kostove, këto fabrikat e çimentos, rritën çmimet pa asnjë lloj ndikimi, dhe për pasojë u rrit çmimi në ndërtim. Ata kishin vetëm impaktin e energjisë elektrike. Këto kompanitë duhet të kuptojnë se biznesi nuk bëhet pa lek, dhe fitimi të jetë shumë i madh.

Lajmi në përditësim...

S.G/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?