Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave shqetësimin për ndikimin e pastrimit të parave në ekonominë shqiptare dhe kundërshtoi paraqitjen si pozitive të raporteve ndërkombëtare për këtë çështje.

Gjatë diskutimit të propozimit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Tabaku kërkoi që përafrimi me Bashkimin Europian të shoqërohet me zbatim konkret dhe masa për të mbrojtur ekonominë nga paratë e pista.

Në replikën ndaj drejtuesit të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, deputetja iu referua raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili, sipas saj, evidenton paratë që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Ju, z. Koçi, keni përmendur raportet ndërkombëtare. Në fakt, unë këto raporte i kam parë dhe i kam evidentuar. Nuk më duken pozitive dhe nuk kanë si të jenë pozitive. Shihni raportin e DASH-it, që përmend paratë që vijnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”, u shpreh Tabaku.

Ajo kërkoi që institucionet përgjegjëse t’i trajtojnë me seriozitet këto konstatime dhe kundërshtoi përdorimin e raporteve të Ministrisë së Financave si referenca ndërkombëtare. Tabaku i atribuoi gjithashtu ministrisë një pjesë të përgjegjësisë për zhvlerësimin e euros.

“Besoj se një zyrtar i përgjegjshëm nuk mund të bëjë sikur nuk e di dhe duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitet”, theksoi ajo.

Në ndërhyrjen e saj, Tabaku ngriti edhe shqetësimin për vëmendjen ndaj sektorit të ndërtimit. Ndërsa mbështeti nevojën për rregullimin e kriptoaseteve, ajo kërkoi që ndërtimi të mos mbetet jashtë vëmendjes, duke iu referuar deklarimeve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe dosjeve të SPAK-ut për pastrimin e parave në këtë sektor.

Sipas deputetes së PD-së, paratë e pista dhe zhvlerësimi i euros po dëmtojnë bizneset, po frenojnë bujqësinë e industrinë dhe po ndikojnë te të ardhurat e shtresës së mesme përmes konkurrencës së pandershme.

Fjala në Komision e deputetes Tabaku:

Tema e pastrimit të parave është e rëndësishme për Shqipërinë, ndonëse ky propozim vjen për përafrimin me BE-në. Këto ligje na imponojnë që të mos i kemi vetëm në letër. Kur diskutojmë se çfarë mund të bëjmë, besoj se duhet të kemi parasysh se sa zbatohen ato.

Kemi parë një zhvlerësim të madh të euros, që vjen nga pastrimi i parave. Shohim këtu një vëmendje të shtuar edhe ndaj kriptomonedhave, por ndërtimi është lënë jashtë kësaj vëmendjeje. Nuk e kuptoj arsyen, kur, në fakt, ndërtimi është i përfshirë në pastrimin e parave.

Po kështu, FATF-ja na ka hequr nga lista gri e pastrimit të parave, sepse miratuam katër ligje dhe dolëm nga kjo listë. Por, në realitet, situata është përkeqësuar shumë, sepse kemi infektuar me paratë e pista edhe ndërtimin.

Pastrimi i parave ka ndikuar te bujqësia dhe industria, duke i frenuar ato. Ju pëlqen apo jo fjala “narko”, kjo po ndodh. Bizneset sot e nisin me një kosto prej 40% nga zhvlerësimi i euros.

Sa i përket ligjit për kriptoasetet, ato duhet të rregullohen, por kam shumë pikëpyetje se si do të zbatohet. Pra, kemi një problem, sepse ju nuk…

Ka një problem me ju, sepse nuk pranoni që ndërtimi pastron para. Ndërkohë, këtu ka folur një Prokuror i Përgjithshëm për pastrimin e parave në ndërtim dhe ka dosje të SPAK-ut për pastrimin e parave në këtë sektor.

Po vuan një biznes i tërë nga zhvlerësimi i euros. Shtresa e mesme ka paga më të ulëta nga konkurrenca e pandershme e parave të pista.

Ju, fatkeqësisht, jeni pjesa e fundit, pasi ka një vullnet politik për këtë çështje. Ka një ndikim negativ në ekonomi dhe duhet të marrim masa për ta parandaluar.