Komisioni i Jashtëm/ Dade nxjerr 
 jashtë operatorin, ndiqni audion 

Komisioni i Jashtëm/ Dade nxjerr <br /> jashtë operatorin, ndiqni audion 
Gazetarët bojkotuan dje mbledhjen e komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, pas urdhrit të kryetares së komisionit, Arta Dade, për të nxjerrë jashtë operatorin e një televizioni. Shkak u bë filmimi nga operatori i një materiali që mbante në dorë deputeti demokrat, Eduart Selami që solli edhe përplasjen verbale mes kryetares së komisionit dhe operatorit të Vizion +.

“Për çfarë je këtu? Pse filmon dokumentet që lexon deputeti? Ke gjithë kohës që e mban kameran nga dokumenti. Materialet janë vetëm për deputetët, nuk janë për median. Media, nëse i do materialet, le të bëjë kërkesë dhe do t’i përgjigjemi”, u shpreh Dade.

Por të dy palët s’u ndalën me kaq. Insistimi i operatorit se nuk ka filmuar asnjë moment dokumentet e deputetëve, solli edhe tensionimin e situatës, duke bërë që Dade të urdhërojë daljen e tij jashtë komisionit. Situatë e cila solli më pas edhe ndërhyrjen e përfaqësuesve të opozitës. Nënkryetari demokrat i komisionit, Aldo Bumçi mori në mbrojtje operatorin, duke e cilësuar arbitrare sjelljen e kryetares së komisionit. Dade iu drejtua Bumçit duke e quajtur abuzivist dhe mashtrues të opinionit publik. Sipas saj, deputeti Bumçi i përket atyre që e kanë dhunuar median dhe se kanë djegur gazetën “Koha Jonë” në vitin 1994. Pas gazetarëve, edhe deputetët e opozitës, në shenjë proteste, braktisën mbledhjen e komisionit të Politikës së Jashtme.
 
Debati
 
Dade, operatorit: Për çfarë je këtu? Pse filmon dokumentet që lexon deputeti? 
 
Operatori: Ju s’keni punë me ne...! Ne thjesht bëjmë punën tonë.
 
Arta Dade: Nëse s’keni gazetarë, duhet të dilni fare përjashta.
 
Operatori: Zonjë, unë të kthej materialin në kamera dhe nëse nuk gjen materialin, do më kërkosh falje publikisht në sy të të gjithëve këtu.
 
Arta Dade: Ty të të kërkoj falje unë?! E para, s’je i lejuar të flasësh këtu. Dil përjashta.
 
Operatori: S’jemi në komunizëm këtu.
 
Arta Dade: Dil përjashta dhe s’ke për të ardhur më në këtë komision.
(Pas polemikave me operatorin, Dade urdhëron nxjerrjen e tij jashtë mbledhjes)
 
Arta Dade: Materialet janë vetëm për deputetët, nuk janë për median. Media, nëse i do materialet, le të bëjë kërkesë dhe do t’i përgjigjemi.
 
Aldo Bumçi: Kjo është anormale.
 
Arta Dade: Mbledhjen e drejtoj unë. Dhe nëse unë bëj një vërejtje për kameramanin, ju s’keni punë. Ka gjithë kohës që e mban kameran te materiali. Ju të opozitës u keni dhënë edhe materialet konfidenciale medieve. Sot po i lejoni mediat që t’i filmojnë materialet. Ai mund ta mbajë kameran edhe poshtë tavolinës gjithë kohës, por s’mund ta lejoj atë, të mbajë kameran poshtë këmbëve tona.
 
Aldo Bumçi: Më fal, median pse e largove?!
(Bumçi del nga komisioni për të negociuar me gazetarët)
 
Arta Dade: Mos më pyet mua...ka komisione të tjera! Media nuk mund të vijë këtu për të spiunuar.
 
Përparim Spahiu: Se ju bë një vërejtje nuk është ndonjë gjë e madhe. Se mund të jetë edhe një raport që ka gjëra.
 
Arta Dade: Operatori të mos futet brenda, gazetarja le të vijë. Ata nuk vijnë për të bërë punë, por vijnë për shou. Se kam dhe këta të tjerët këtu (opozitën) që ju dhemb shumë për median, se e dinë shumë mirë se çfarë i kanë bërë medias. E dogjën gazetën në ‘94-ën, ia vunë zjarrin gazetës “Koha Jonë”, kanë dhunuar edhe gazetarët e tani iu vjen keq. 
 
Aldo Bumçi: Zonja kryetare, kërkoj që të kthehet media në komision. Ky është një zhvillim i paprecedentë që të dalë media jashtë, në një kohë kur këtu nuk ka asgjë konfidenciale. Është një material publik lidhur me një institucion.
 
Arta Dade: E para e punës, je shumë abuzivist. Boll e keni gënjyer opinionin publik dhe tani shkon e del përjashta...Nëse doni të rrini, rrini, në të kundërt ikni.
 
Aldo Bumçi: Më vjen shumë keq, nuk është kjo mënyra e komunikimit. Ruani etikën.
 
Arta Dade: Ti je shumë abuzivist. Për çfarë të ruaj etikën? Çfarë etike kishte kameramani këtu?! Të të vijë zor.
 
Aldo Bumçi: Çfarë? Mos duhet të mbyllim gojën të gjithë këtu?! Të mos flasim?!
 
Arta Dade: T’i mos gënje opinionin publik. Je gënjeshtar i opinionit publik. Je mashtrues. Sepse vetëm një vërejtje i bëmë kameramanit dhe dhe ndërhyre ti për t’i hedhur benzinë zjarrit.
 
Aldo Bumçi:
Kjo është e pafalshme. Unë nuk e kuptoj këtë reagim, këtë sjellje të të turpshme. Kjo është e turpshme.
 
Arta Dade: Dil jashtë dhe gënje sa të duash...
 
Aldo Bumçi: Me çfarë të drejte e nxjerr median jashtë? Ne s’kemi më punë këtu...
(Përfaqësuesit e opozitës braktisin komisionin)
 
Dade-
Selamit: Eduart, por ti je edhe i OSBE-së more djalë...!
 
Eduart Selami:
Ja, sa të qetësohen pak gjakrat...
 
Arta Dade: Mirë, mirupafshim!
 
Valentina Leskaj: Konflikti u bë nga mënyra se si reagoi kameramani...
 
Arta Dade: Ai s’ka punë të flasë fare. Kujt i kthehet ashtu ai?! Është bërë parlamenti si han me 10 porta. Më tregon edhe komunizmin ai, fytyra e tij. Kishte gjithë kohës që e mbante kameran te dokumenti. A i nxori Gerti Bogdani dokumentet konfidenciale për mediat? Këta i bënë ato.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Martinit/ PD kërkon interpelancë me Manastirliun: Ngjarje e paralajmëruar, Paketa e Sigurisë propagandë

Vrasja e Martinit/ PD kërkon interpelancë me Manastirliun: Ngjarje e paralajmëruar, Paketa e Sigurisë propagandë