TIRANE, 22 Janar/ATSH/- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi të enjten një ndryshim në aktin normativ të Këshillit të Ministrave, "Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve". Organizimi i strukturës së Ministrisë së Financave, në zbatim të urdhrit të Kryeministrit, "Për miratimin e strukturës dhe organikës së Ministrisë së Financave", bën të nevojshëm ndryshimin dhe përshtatjen në aktin normativ të emërtimit nga "Drejtoria
e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike" në "Drejtoria e Shitjes së Pronës Publike". Ky ndryshim kërkohet për arsye se procesi i administrimit dhe drejtimit të pronës publike është një proces që ndiqet
dhe zbatohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë. Konkretisht, propozohet riformulimi i nenit 4, të aktit normativ. "Organi, që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore, që privatizohet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj, është struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në Ministrinë e Financave", përcaktohet në relacionin e p/ligjit. Ky riformulim, thuhet në relacionin shoqrues të p/ligjit, bëhet që ligji të jetë i zbatueshëm, pavarësisht ndryshimeve të emërtimit që mund të pësojë kjo strukturë në të ardhmen./a.gjonaj/