Komisioni i Ligjeve rrit numrin e 
atyre që përfitojnë nga aministia

TIRANE- Komisioni i Ligjeve miratoi dhe me konsensus  ligjin për amnistinë duke e zgjeruar edhe më shumë bazën e personave që përfitojnë nga ky draft. Konkretisht, sipas ligjit të ndryshuar për amnistinë, janë parashikuar një sërë ndryshimesh për personat që do të lirohen pas pak kohe nga falja e përgjithshme që do të miratojë Kuvendi së shpejti, në seancën e djeshme plenare. Konkretisht, të dënuarit deri në 3 vite burg apo edhe të gjithë të dënuarit që kanë kryer 9/10 e dënimit të dhënë nga gjykata, pavarësisht se çfarë krimi kanë kryer, do të lirohen menjëherë pas fuqizimit të amnistisë.

Kush falet
Sipas ndryshimeve të bëra, janë disa kategori të reja që do të përfitojnë nga falja e përgjithshme. Konkretisht, masa më e madhe është për ata persona që janë dënuar deri në 3 vjet ose ajo kategori personash që i kanë mbetur 3 vite dënim, por që nuk kanë kryer vepra penale që cilësohen si krime të rënda, përfitojnë nga kjo amnisti. Veç kësaj, gama e faljes u shtri edhe tek mosha e të burgosurve. Konkretisht, gratë e burgosura të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj kanë mbushur moshën 50 vjeç dhe burrat që mbushin 60 vjeç do të përfitojnë nga amnistia, pasi sipas ligjvënësve, rrezikshmëria e tyre është tejet e ulët.

Veç kësaj, është përcaktuar falja me 1 vit e gjysmë të dënimit të grave dhe të miturve, vetëm në rast nëse ata nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Pra, nëse këto dy kategori janë dënuar për vepra penale të cilat nuk karakterizohen si krime të rënda dhe kanë për të bërë më shumë se sa tri vite burg, atyre i ulet automatikisht një vit e gjysmë nga dënimi. Aspekti tjetër  i amnistisë ishte dhe fakti se nga kjo do të përfitojnë edhe një shtresë e të dënuarve që e kanë marrë këtë vendim nga gjykata edhe për krime të rënda.

Konkretisht, në amendamentet e bëra nga qeveria është parashikuar që nga amnistia të përfitojnë edhe ato persona që kanë kryer 9/10 të dënimit, pavarësisht se mund të jenë të dënuar për vrasje. Konkretisht, nëse një person është dënuar me 15 vjet për vrasje dhe ka kryer 9/10 e dënimit do të lirohet nga hyrja në fuqi e amnistisë, pasi sipas ligjvënëse të Komisionit të Ligjeve, ata e kanë marrë ndëshkimin nga ligji.

kategorite qe perfitojne amnisti
(Foto: Kategoritë që përfitojnë amnisit)


kategorite qe nuk perfitojne amnisti
(Foto: Kategoritë që nuk përfitojnë amnisti)


Ulje dënimi me 1 vit
Krahas personave që do të lirohen nga kjo amnisti, të burgosurit e tjerë do të përfitojnë një masë lehtësuese në dënimin e tyre për shkak se në amendamentet e amnistisë është parashikuar ulja e dënimit me 1 vit për gratë e burgosura dhe me 6 muaj për burrat e burgosur, pavarësisht veprës penale që ata kanë kryer. “Të gjithë personat e dënuar të cilët nuk përfitojnë nga kjo amnisti, u amnistohet: një vit për personat e dënuar femra dhe të miturve në kohën e kryerjes së veprës penale dhe 6 muaj për personat e dënuar meshkuj (burra)”- thuhet në nenin 3 pika të ligjit për amnistinë.

Pezullim për çështjet penale
Veç kësaj, mësohet se një numër i madh procedimesh deri në 31 dhjetor 2013 do të mbyllen, pasi veprat penale do të përfshihen në amnisti. Bëhet fjalë për të gjithë ata persona që janë në ndjekje penale, për vepra të cilat parashikojnë një dënim  maksimumi deri në dy vjet burgim, ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë. “Në zbatim të nenit 3, pika 3, të këtij ligji, Prokuroria ose Gjykata kopetente, në varësi të fazës, vendosin mosfillimin e çështjes. 

Dhe në zbatim të nenit 3, pika 1, dhe pika 2, të këtij ligji, ngarkohen Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë që brenda 7 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, të bëjnë të mundur zbatimin e tij për çdo të dënuar”- thuhet në nenin 5 të projektligjit “Për Amnistinë”, që ka të bëjë me dispozitat zbatuese të ligjit. Sipas ministrisë, amnistia konsiderohet një akt për të lehtësuar të dënuarit, ku më së shumti preken të dënuarit e grupmoshës 17-21 vjeç.
 
Amnistia ul koston dhe numrin e të burgosurve
Mbipopullimi në burgjet shqiptare si edhe kosto për mirëmbajtjen e një të dënuari, duket se do të ulen ndjeshëm nga kjo amnisti, pasi numri i të burgosurve që do të përfitojnë nga kjo amnisti është goxha e zgjeruar. Konkretisht, në variantin fillestar ishte parashikuar që të përfitonin vetëm 307 persona, por me ndryshimet e fundit të bëra, mendohet se ky numër do të dyfishohet.

Pavarësisht se nuk ka një shifër të saktë, supozohet se ky numër mund të ketë shkuar në rreth 650 pasi edhe gama e faljes u shtri edhe më shumë. Kësisoj, mbipopullimi në burgjet shqiptare pritet që të ulet me rreth 60% si edhe kosto për mbajtjen e të burgosurve do të ulet ndjeshëm, pasi është përllogaritur se për një të dënuar duhet mesatarisht 50 euro në ditë nga buxheti i shtetit, kjo, pasi shuma e parave shkon për të gjithë sistemin e burgjeve në Shqipëri.

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve