Prokurorinë e Posaçme, të cilën e sulmon sa herë del nga godina e drejtësisë, ku është i detyruar të paraqitet 2 herë në muaj i pandehur për korrupsion për aferën Partizani, Sali Berisha, e sulmoi edhe pas takimit me përfaqësues të Komisionit të Venecias.
Edhe pse ekspertët ndërkombëtarë ndodhen në Tiranë për të marrë mendimet e forcave partive politike para se të japin opinionin e tyre për një draft ligjor për financimin e partive, për Berishën është një mundësi për të akuzuar sërish SPAK se është bërë palë me farsën zgjedhore të 11 majit 2025.
“Mund t'ju them se nga 43 dosje të dërguara, të shqyrtuara, vetëm një penalizim! Të gjitha të tjerat amnisti nga SKAP-i i partisë, duke u dëshmuar kështu një problem madhor për pluralizmin politik dhe demokracinë. Dhe ne, shprehëm mendimin tonë se, është e domosdoshme që institucionet e shqyrtimit të ankesave, e vlerësimit të ankesave, të kenë një lloj pavarësie dhe objektiviteti, besnikërie ndaj ligjit”, tha Berisha.
Në dalje të takimit kryedemokrati tha edhe se çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore e cila është kërkuar prej vitesh nga ODIHR është e negociueshme.
“Ky problem është i negociueshëm, do negociohet mbasi vetë OSBE/ODIHR ka meritën e veçantë të stigmatizojë jo terroriste, por aty afër, në rrafshin politik, për zgjedhjet patronazhistët”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se gjatë takimit ka ngritur edhe nevojën për parashikimin në ligj të klauzolave për anulimin e zgjedhjeve në rastet e shkeljeve të rënda.
“Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme, klauzolat e anulimit të zgjedhjeve. I vendosi Franca, pas akuzave, të themi se s’mund të them se janë të vërteta, pas akuzave për financime të paligjshme nga një shtet i huaj i fushatës elektorale. Këshilli i Shtetit, që është si të thuash Gjykata Kushtetuese e Francës, rekomandoi gjykatësit që në raste si këto të ngjashme, të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve. Të urdhërojë anulimin e zgjedhjeve. Dhe kjo në republikën franceze, një vend që ka mbi një shekull që zhvillon zgjedhje dhe që zgjedh presidentet dhe parlamentin e tij, një vend që në tërësi ka pasur dhe ka traditë demokratike të konsoliduar, por ja që i ndodhi, dhe pikërisht kjo, për këtë arsye, Këshilli i Shtetit, organi kushtetues, organi që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese në një farë mënyre, ka dhënë opinionin që duhet të shkohet drejt anulimit të zgjedhjeve”, tha Berisha.
Përfaqësues të Komisionit të Venecias takuan edhe kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i cili shkroi në një postim në rrjetet sociale se mazhoranca i rikonfirmoi angazhimin për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, në përputhje me praktikat më të mira europiane.
“Rikonfirmuam angazhimin për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, në përputhje me praktikat më të mira europiane”, shkruan Balla.
Projekt-opinioni i Komisionit është planifikuar për diskutim dhe miratim në Sesionin e 147-të Plenar i cili do të mbahet në Venecia, me 12-13 qershor 2026.
PS dhe PD ranë dakord që në mars për një draft të përbashkët për ligjin për financimin e partive politike që pritet të miratohet për herë të parë në vendin tonë. Projektligji parashikon rregulla të forta financimi, ndalon paratë me origjinë të huaj, vendos limit kontributesh nga anëtarë e biznese etj, ndërkohë që një opinion i ODIHR kërkoi rregullime dhe masa më të forta për shkelësit.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me një delegacion përfaqësuesish të Komisionit të Venecias, të përbërë nga anëtarët Oliver Kask, Sasa Zagorc, Laura Stefan, Michael Jenssen.
Në fokus të bisedimeve, ishte financimi i partive politike. Berisha për të justifikuar humbjen e thellë në parlamentaret e 11 majit, tha se PS përdori buxhetin e shtetit për të blerë zgjedhjet.
“Theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor. Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Çdo pensionisti iu dha 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë”, tha Berisha.
Berisha, gjatë prononcimit për mediat, mohon se ka një draft të propozuar nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste në Komisionin për reformën zgjedhore, që të jetë kundërshtuar nga Komisioni i Venecias. Ai thotë se po punohet mbi rekomandime të OSBE/ODIHR dhe se priten dhe opinione nga Komisioni i Venecias.
“Pra di që ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera. Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot me, midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do e shqyrtojnë”, tha Berisha.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës, në kuadër të hartimit të opinionit mbi projektligjin “Për financimin e partive politike”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla nënvizon angazhimin e mazhorancës për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e përputhjes së legjislacionit shqiptar me praktikat më të mira europiane dhe standardet demokratike ndërkombëtare.
“Rikonfirmuam angazhimin për një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, në përputhje me praktikat më të mira europiane”, shkruan Balla.
Balla vlerëson rolin e Komisionit të Venecias në konsolidimin e institucioneve demokratike në vend, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një element kyç në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Mirënjohje për bashkëpunimin e gjatë me Komisionin e Venecias në forcimin e shtetit të së drejtës, veçanërisht gjate hartimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në Shqipëri”, shkruan Balla.
Komente










