Komisioni ‘Nishani’ kthen PD në ‘fole grerëzash’, rebelim dhe përçarje para zgjedhjeve, mesazhet për Bashën dhe Berishën që fshihen pas përjashtimeve

Komisioni ‘Nishani’ kthen PD në ‘fole grerëzash’, rebelim dhe përçarje para zgjedhjeve, mesazhet për Bashën dhe Berishën që fshihen pas përjashtimeve

Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve PD

Partia Demokratike, në vitin tetë në opozitë, po shkon më e përçarë se kurrë më parë drejt zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Si mos të mjaftonte krijimi i pesë partive të reja, produkt i përplasjeve të brendshme për pushtet, përjashtimeve, klaneve dhe luftës së bërrylave, komisioni për vlerësimin e kandidatëve për deputetë, i quajtur ndryshe edhe si Komisioni ‘Nishani’, për shkak të protagonizmit të Bujar Nishanit, ka kontribuar në thellimin e ndarjes së Partia Demokratike. Vetëm katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, Partia Demokratike është kthyer sot në një ‘fole grerëzash’, për shkak të përjashtimit nga lista e kandidatëve për deputetë, të disa figurave të PD-së, simbole të Republikës së Re të Lulzim Bashës. 

Përjashtimi nga lista e disa ish-deputetëve, në mënyrë jo transparente dhe të dyshimtë, si dhe përfshirja e disa të tjerëve, duke përdorur standarde të dyfishta, ka prodhuar polemika dhe akuza të forta në PD, mes të përjashtuarve dhe përfaqësuesve të komisionit, të cilët përfaqësojnë vullnetin dhe linjën e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Në këtë kontekst, ‘shpërthimi’ i të rebeluarave është një mesazh për Bashën dhe Berishën, ndonëse ata i drejtohen formalisht Nishanit, Gazment Bardhit dhe personazheve të tjerë në PD. 

Katër vjet më parë Lulzm Basha prezantoi Romeo Gurakuqin si intelektual dhe profesor, përfaqësues i denjë i vizionit të ri dhe Republikës së Re. Ndërkaq, ditën e fundit, ish-presidenti Bujar Nishani, i vendosur nga Basha si pjesë e komisionit për filtrimin e kandidatëve, akuzon Gurakuqin si spiun të ish-Sigurimit të Shtetit, llaxore korridoresh, zvarranik, njeri që luan me dy porta etj. Reagimi i fortë i Nishanit, i cili pa dyshim ka mbështetjen e Bashës dhe Sali Berishës, erdhi pas ‘shpërthimit’ të Romeo Gurakuqit ndaj anëtarëve të komisionit. Gurakuqi kujton se Nishani ka mbajtur dhe fshehur bustin e Enver Hoxhës në Shkollën e Bashkuar. 

“Askujt nuk i ka shkue ndër mend 30 vite ma parë, se do të vinte një ditë, që filtri i vlerësimeve të elitës politike të PDSH-së, si parti e Qendrës së Djathtë, e vendosur sot në vitin 2020 në rrugën e çmontimit të një regjimi kleptokratësh, do të kalonte përmes një komisioni, të përbërë nga anëtarë që janë formatuar në fillesë në kuzhinën e ish-Komitetit Qendror të PPSH, në Grupin e Oficerëve Enveristë Bustambajtës të Shkollës së Bashkuar, subjekte të proceduar në një kohë për tregtim pyjesh...”, ka shkruar Gurakuqi ndër të tjera. 

I ashpër ishte edhe reagimi i ish-deputetit Halim Kosova, i cili ka zbuluar edhe prapaskenat e marrjes së vendimeve për përjashtimet nga lista e kandidatëve për deputetë. Mjeku Kosova ishte kandidat i PD për Bashkinë e Tiranës në 2015 dhe më pas deputet i kësaj partia, ndërsa është prezantuar nga Basha si model i përfaqësimit të PD. “Shkova dhe trokita tek dera e PD, thashë që unë kam mundësinë që t’ju ndihmoj në sektorin e shëndetësisë, në pastërtinë e figurës, kam mundësinë që të bëj vizita falas, ta shoh sektorin cep më cep edhe pse kam kontakte të përditshme me qytetarët. Mirëpo dera ishte e mbyllur, i rashë disa herë dhe nuk mu përgjigj njeri. Sa duke ikur dëgjoj zëra dhe i bie më fortë, kur nga mbrapa, dëgjoj një zë që nuk ishte as burrë as gru, i cili më thotë “Ik se do të lëshojmë Rulin dhe Nishanin””, ka pohuar Kosova, duke shigjetuar numrin dy të PD, Gazmend Bardhi. 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, disa ditë më parë, ishte protagonist i një sherri me ish-deputetin e PD, Endri Hasa, i përjashtuar gjithashtu nga Komisioni ‘Nishani’. Shkak i përplasjes është bërë pikërisht përjashtimi i Hasës, i përdorur nga Basha për konferenca shtypi. Në adresë të Bardhit ka pasur një fluks akuzash nga degët e PD në Shkodër, Korçë, Vlorë, Dibër, Tiranë etj., për ndërhyrje dhe manipulim të procesit për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë. 

‘Therës’ ka qenë edhe reagimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, i vlerësuar gjithashtu si jo kalues nga Komisioni ‘Nishani’. Duke injoruar rëndësinë e komisionit Shehu ka pohuar se “Së pari realisht nuk dua të komentoj mendimet që mund të kenë për mua individë të ndryshëm, qoftë dhe pjesë e ndonjë «komisioni», kjo do të më dukej e tepërt, jo e nevojshme dhe vlerësuese... Vendimin për të kandiduar për deputet mbas votimit të anëtarësisë së PD e kane tagër vetëm institucionet statuore të saj, Kryetari, Kryesia e Këshilli Kombëtar, askush tjetër”, ka pohuar Shehu, duke i dhënë një mesazh të qartë Bashës, i cili ka sajuar komisionin për të mundësuar përjashtimet. 

Pas përjashtimi me vendim të Komisionit, ka reaguar edhe ish-deputeti Ervin Salianji, duke u dhënë një mesazh të qartë anëtarëve të komisionit. “Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare. Falë kësaj beteje, mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik”, ka pohuar Salianji. Ish-deputeti pretendon se ka mbështetjen e anëtarësisë, ndërkohë që komisioni e përjashton, duke iu kundërvënë vullnetit të bazës. 

Komisioni ‘Nishani’ ka përjashtuar edhe Luan Baçin, ish-deputet dhe një nga përfaqësuesit me aktivë të PD në Fier. Baçi ka vjedhur një mënyrë tjetër reagimi, duke i nxjerrë përballë Bashës degën e PD në Fier. Anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike si edhe të sekretarëve të grup seksioneve në Fier, i kanë dërguan një letër Bashës, ku kundërshtonin përjashtimin Baçit nga lista e kandidatëve për deputetë. 

Edhe ish deputeti i PD, Astrit Veliaj ka reaguar ashpër ndaj partisë së tij, pasi nuk u zgjodh kandidat për deputet. “Farsat zgjedhore për të eliminuar njerëzit me realizime profesionale dhe kontribute social-politike cenojnë rëndë klimën e besimit, të përkatësisë dhe të bashkëjetesës në një familje politike”, ka pohuar biznesmeni Veliaj, 

Ndërkaq, Jozefina Topalli, Myslim Murrizi, Rudina Hajdari, më parë pjesë e PD-së, sot janë në krye të tre partive të reja. Dy parti të tjera drejtohen nga Astrit Patozi dhe Bamir Topi, i pari ish-kryetar i grupit parlamentar të PD, ndërsa dyti ish-president i zgjedhur nga PD, ish-kryetar grupit, nënkryetar etj. 

Nga ana tjetër, nga garda e vjetër e PD e spostuar dhe mënjanur që nga viti 2013, Basha ka rikthyer vetëm Genc Rulin, të cili çuditërisht e vendosi në krye të komisionit. Janë mënjanur Majlinda Bregu, Ridvan Bode, Arben Imami, Eduard Selami, Mesila Doda, Sherefedin Shehu, Myqerem Tafaj, Fabian Topollaj, Keltis Kruja, Endira Bushati, Ilir Rusmajli, Fatos Hoxha, Viktor Gumi, Selami Xhepa etj. 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Marsel hoxha: 25/12/2020 07:51

    Sa gazet pacavure jeni tipike servile ndaj pushtetit

    Përgjigju
    • Marsel Lepiresi: 25/12/2020 09:03

      Marsel, ktheje pak koken nga E jotja PeDe. Jan thjesht nje tufe uqrish qe i nxjerrin dhembet njeri tjetrit per nje kocke qe do u japi ujku plak.

  • komisioneri: 24/12/2020 20:10

    po te shohesh foton kuptohet pse shalngjituri ka zgjedh keta .....personazhe mendjendritur:i vetmi qe mund te kete koqe aty esht ajo gjeja qe i hap krahet si shtangiste e duket sikur ka cliruar vendin nga gjermoni

    Përgjigju
  • Emigrant: 24/12/2020 18:06

    Brovo komisioni nishani bardhi mos lini asnje bashkpuntor te sigurimit te kandidoj por vetem agjenta te spiynazhit serb e grek zgjidhni e vini

    Përgjigju
  • O tej: 24/12/2020 17:28

    P.D eshte krhyer ne nje Grope Septike ku jane mbledhur jashtqitje te ketij Formacioni Politik.

    Përgjigju
  • Veritas: 24/12/2020 17:24

    Jari(bujari) "ushtari" i vogel i "komandantit" ruli, fatkeqesisht vijon te jete vegel. Mungesa e transparences per te skualifikuarit eshte e pajustifikueshme per arsye objektive. Detyrimi per transparence buron nga fakti se rreth 1000 persona kane plotesuar nje formulare me rreth 40 flete me te dhena teresisht, ngushtesisht personale. Ndaj, kedo qe u skualifikua duhej te ishte sqaruar per arsyet objektive qe lidheshin me pastertine e figures. Se kuptohet se per arsyet subjektive, pra qe kane te bejne me marrjen e votave maksimalisht, asnje se konkuron dot jarin apo rulin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare