Ndërsa një masë e madhe qytetarësh përballen sot me marrjen e pronave nga bankat për kreditë e pashlyera, Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit ka bërë publik një material sqarues ku tregon çfarë garancish përcakton ligji në çastin e marrjes së një huaje.

Materiali shpjegon qartësisht kushtet dhe detyrimet që duhet të respektojnë bankat në dhënien e kredive konsumatore, nga transparenca e plotë e të gjitha kostove të huasë, deri te mënyra si do veprohet me kolateralin. 

Detyrimet që rëndojnë mbi kredidhënësit, për kontratën e kredisë konsumatore rregullohen nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve” dhe Rregullorja e Bankës së Shqipërisë. Detyrimet që duhet të përmbushin bankat shtrihen nga publiciteti që i bëjnë kredive, te parakontratat, e deri te masat që merr në ccastin e mosshlyerjes së kredisë.

Banka duhet t’i paraqesë konsumatorit të dhëna për të gjithë elementët financiarë të kredisë, të tilla si: Norma Efektive e Interesit dhe çdo indeks ose normë reference të aplikueshme mbi këtë normë, vlerën e këstit, numrin e kësteve, koston e llogarisë bankare, kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave si dhe çdo kosto shtesë që është e detyrueshme për përfitimin e kredisë. Të shkruara qartësisht duhet të jenë dhe kërkesat për garancitë apo kolateralin dhe sigurimin e kërkuar (kur është e aplikueshme) dhe masat që merren në rastet kur këto kushte nuk respektohen.

Ndërkohë që konsumatorit i garanantohet me ligj e drejta e tërheqjes nga kontrata e kredisë ashtu si dhe e drejta për shlyerjen e kredisë para afatit. Të drejtat ligjore të konsumatorit shtrihen dhe te forma juridike e vendosjes së kolateralit, vlerësimi dhe mënyra e vënies në ekzekutim të tij në rastet kur ai ndërpret shlyerjen e kredisë.