Komiteti Ekzekutiv: De Biasi
meriton dhe një mandat të tretë

Komiteti Ekzekutiv: De Biasi<br />meriton dhe një mandat të tretë
TIRANE - Përpos presionit për kualifikimin, FSHF ndodhet edhe përballë pyetjes nëse trajneri De Biasi duhet që të vazhdojë të drejtojë kombëtaren edhe për një mandat të tretë edhe nëse nuk siguron pjesëmarrjen në Francë 2016.

Disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, shprehen pro, duke i këshilluar presidentit Duka rinovimin me teknikun italian edhe për 2 vite të tjera pavarësisht asaj që do të ndodhë me dy ndeshjet e fundit, pasi sipas tyre grupi që ka krijuar premton për të ardhmen. Ndërsa ka edhe nga ata
që nuk duan të ndërhyjnë qoftë edhe për një koment, duke e cilësuar si kompetencë ekskluzive të presidentit.

Vasil Bici
“De Biasi ka bërë një punë shumë të mirë me kombëtaren dhe besoj që do të sigurojmë kualifikimin duke fituar ndeshjen e radhës me Serbinë. Përsa i përket kontratës është ekskluzivitet i presidentit Duka. Përpara janë dy ndeshje, por mund të jenë edhe ato të ‘play-off’-it nëse nuk kualifikohemi direkt. Dua të theksoj që De Biasi ka pasur më shumë mundësi se trajnerët e tjerë të kombëtares, pasi nuk ka në ekip vetëm lojtarë nga Shqipëria, por nga të gjitha trevat shqiptare që luajnë në kampionatet më të mira të Europës. Për paraqitjen në ndeshjet e fundit do të ketë edhe një premio”tha ai.

Bardhyl Jera
‘Unë mendoj që De Biasi e ka fituar rinovimin me punën shumë të mirë që ka bërë në drejtimin e kombëtares. Nuk mundet që të hidhet poshtë puna për një minutë, pavarësisht atyre që thonë se tekniku ka pasur lojtarët e mirë, mund të them se edhe më parë kemi pasur talente, por ka qenë menaxhimi i De Biasit që ka bërë që sot të jemi thuajse të kualifikuar. Prandaj mendoj që duhet të rinovojë, pasi do të jetë një stimul i mirë për dy ndeshjet e mbetura. Jam i mendimit se do të kualifikohemi, pasi Serbinë e kemi brenda dhe Armenia është e çarmatosur, minimalisht do të marrim 4 pikë”deklaroi Jera.

Tahir Kastrati
“Mendimi im është që duhet të rinovojmë kontratën me trajnerin De Biasi, pasi ka bërë një punë shumë të mirë dhe besoj që do të kualifikohemi në kampionatin Europian. Por, gjithsesi kjo cështje i takon presidentit, megjithatë ai është konsultuar edhe me Komitetin Ekzekutiv. Përsa i përket cështjes së premios do ta diskutojmë në mbledhjen e radhës”tha ai.

Arben Dervishi
“Mendoj që impenjimi për dy ndeshjet e fundit nuk do të varet nga rinovimi, pasi De Biasi është profesionit. Nëse kualifikohemi rinovimi besoj që është formalitet, por edhe nëse nuk arrijmë në Francë mendoj që duhet të fillojmë negociatat për të rinovuar, pasi ka bërë një punë shumë të mirë, pastaj nëse do të biem dakord është cështje tjetër, pasi varet sa do të kërkojë tekniku dhe sa jemi ne në gjendje t’i ofrojmë” deklaroi ai.

Abdyl Kuriu
“Nuk mund të flas dhe të jap asnjë koment për cështjen e rinovimit të kontratës së De Biasit, pasi do të komprometoja punën e presidentit, pasi i takon atij të vendosë, kjo nuk është një cështje e Komitetit Ekzekutiv. Por mendoj që në fund të eliminatoreve duke u nisur edhe nga rezultati do të vendoset për rinovimin” tha ai.

*Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com (print) 10 shtator 2015

Redaksia Online
(b.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Rama s'heq dorë nga takimi me shqiptarët: Më 12 maj do jem në Athinë, nisim rrugëtimin e pranverës në diasporë

Rama s'heq dorë nga takimi me shqiptarët: Më 12 maj do jem në Athinë, nisim rrugëtimin e pranverës në diasporë