Eurodeputetët ishin sot në Tiranë, pjesë e sesionit të dytë të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipërisë – Bashkimi Evropian. Progresi i institucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut si dhe raporti për parlamentaret e 11 majit i hartuar nga OSBE-ODIHR, ishin temat kryesore të trajtuara sot në tryezën e përbashkët.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vlerësoi raportet e institucioneve të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë, në veçanti të SPAK. Balla gjithashtu ftoi dhe kolegët e opozitës për të votuar nesër pro rezolutës në Kuvend me qëllim nxitjen e progresit në drejtësi dhe goditjen ndaj korrupsionit.

Deputeti socialist gjithashtu theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, ndërsa për çdo problem të raportuar, do të merren masa për ndreqjen e tyre në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

“Sa i përket deklarimeve për çështjet që lidhen me institucionet e drejtësisë, duhet të jetë e qartë se sa i përket mazhorancës të këtij vendi, ne kurrë nuk do të bëjmë ndonjë deklaratë apo të hyjmë në ndonjë rast, në meritën e një çështjet ë drejtësisë. Me rezolutën që do të miratojmë nesër në Kuvend, vlerësojmë rezultatet e arritura nga SPAK si rezultate të mira dhe nxisim vazhdimin e punës. Mendoj që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër këtë rezolutë pikërisht për të tregua se drejtësia nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit, dhe është e keqe kur ngre akuza kundër kolegut tënd.

Jemi në kohën, që mes partisë dhe Shqipërisë, të zgjedhim Shqipërinë. Reforma në drejtësi është historike se hoqi duart e shumicës e parlamentit nga punët e drejtësisë. Zgjedhjet e 11 majit, janë vlerësuar nga OSBE ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale, të gjitha ankesat, duhet të jenë detyra e shtëpisë e Kuvendit përmes Komisionit për Zgjedhoren që t’i adresojë që zgjedhjet vendore të viti 2027 dhe ato parlamentare 2029, përfshirë dhe zgjedhjet për parlamentin evropian në Shqipëri, të jenë zgjedhje me standarde më të mira evropiane. Këta evropianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, nuk ka nevojë t’ia përkthejmë ne në shqip. E kam bërë dhe unë këtë gabim kur kam qenë në opozitë dhe ua kam lexuar gabim”, tha Balla.

Fjalën në këtë sesion e mori dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili nuk kurseu akuzat për mazhorancën duke thënë se për interesat e tyre personalë dhe politikë, ushtruan presion mbi administratën publike e qytetarët, duke manipuluar procesin dhe rezultatin zgjedhor.

“Sic dëshmoi raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2025, partia në pushtet përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat dhe cdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj.

Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtare, praktikisht zhduku vijën ndarëse ndërmjet partisë në pushtet dhe shtetit, duke krijuar një garë tërësisht të pabarabartë ndërmjet palëve. Në raport e OSBE/ODIHR-it flitet po ashtu për presion ndaj nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve, qytetarëve në qendrat e votimit, përfshirje të grupeve kriminale dhe konsolidim të kontratës së krimit të organizuar me partinë në pushtet”, tha Bardhi.

Bardhi i referohet gjithashtu dhe raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me fushën e biznesit dhe të investimeve. Demokrati thotë se zhvillimi ekonomik është i ndjeshëm në vend për shkak të prezencës së lartë të korrupsionit në çdo nivel qeverisës.


Lajmi kryesor:

Drejtësia e 11 maji përplas PD e PS para eurodeputetëve! Bardhi: Korrupsioni në nivele të larta! Manja: Baltosni vendin për integrimin