"Mirëpresim ambicien për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, e në veçanti ecurinë në hapjen e një numri mbresëlënës të grupkapitujve negociues gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, me pritshmërinë për të hapur grupkapitullin e fundit të mbetur përpara përfundimit të vitit”. Me këtë përfundim u mbyll takimi dyditor Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, i 20 në radhë mes eurodeputetëve dhe ligjvënësve shqiptarë.

Me kryefjalë integrimin, ku të dyja palët nxituan të deklaronin se mbështesin progresin që Shqipëria ka bërë, takimi kaloi me jo pak tensione.

Opozita akuzoi qeverinë për korrupsion në nivele të larta, ndërsa zgjedhjet thanë se nuk përmbushën kriteret minimale për një vend që synon Bashkimin Evropian.

"Nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik mbeten të larta. Sektorët që identifikohen vecanërisht të rrezikuara janë shëndetësia, arsimi, policia dhe kadastra, ku mungesa e kontrolleve të brendshme dhe dixhitalizimit e bën më të vështirë luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, sipas indeksit të korrupsionit Transparency International për vitin 2024, Shqipëria ka marrë 42 pikë nga 100, duke u pozicionuar në vendin e 80-të globalisht, një vend që s’është aspak për t’u krenuar po të mbahen parasysh shtetet që renditen përkrah nesh, ku sigurisht nuk gjen asnjë vend të Bashkimit Evropian", tha Bardhi. 

Maxhoranca e kritikoi opozitën duke thënë se nuk mbështetet integrimi kur nxin imazhin e vendit.

“Por dua ta nis me keqardhje sepse dallimet tona politike nuk mund të jenë argument për ta bërë pis Shqipërinë. Të mbështesë integrimi në BE pasi ke hedhur një mal me akuza dhe e ka bërë baltosur Shqipërinë nuk më duket qasje e sinqertë. Por gjithsesi në cilësinë e përfaqësuesi të maxhorancës kemi përgjegjësi të mbyllë me sukses të gjitha kapitujt që kemi hapur. Qasja jonë ka qenë e qartë ne nuk duam asnjë gjë nëse nuk e meritojmë në këtë proces”, tha Manja.

Përfaqësuesit europianë e vlerësojnë progresin e bërë në fushën e drejtësisë, ndërsa për zgjedhjet thanë ata, ODIHR tashmë i ka bërë të qarta detyrat e shtëpisë.

Ndërsa Fredi Beleri zgjodhi të fliste në gjuhën greke, ndërsa shqetësimi i tij ishte pse Shqipëria nuk e ka një universitet grek.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:29
Fredi Beleri flet greqisht në Tiranë: Në Shqipëri mungon universiteti grek! Liria fetare, problem

 

Eurodeputeti Fredi Beleri në takimin e sesionin e dytë të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asocimit Shqipëri – BE, parashtroi fjalën e tij në greqisht.

Beleri ngriti si problematikë mungesën e një universiteti grek në Shqipëri si dhe lirinë fetare.

“Në vitin 2017 qeveria shqiptare miratoi ligjin për pakicat dhe në vitin 2024 kishim ligje shtesë për çështjen e vetëvendosjes. Por u desh deri më tani që kjo të ndodhë. Nuk ka ndodhur asgjë deri më tani dhe kjo çështje nuk është ngritur për sa i përket arsimimit në të gjitha nivelet në gjuhën amëtare.

Nuk ka ende një universitet grek në Shqipëri. Dhe problemi me nxënësit që kanë mësuar gjuhën grekë nëpër shkolla ku kanë pasur shumë probleme ku problemi më i madh janë tekstet e veçanta që përdorin shohim iredentizëm në këto tekste dhe probleme të papranueshme në kushte të caktuara.

Një problem tjetër është liria e fesë. Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm dhe ka një bashkëjetesë harmonike. Mirëpo ka një problem. Pas 70 viteve ka filluar kthimi pronave i institucioneve fetare”, tha Beleri.

Problem për të është dhe reforma territoriale, apo drejtësia.

“Për sa i përket reformës së re territoriale. Ndarja që i është bërë Himarës aty s’ka të bëjë fare me përbërjen demografike religjioze dhe etnike. Të drejtat e njeriut nuk kanë të bëjnë vetëm me pakicat por me të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në Shqipëri vetëm 50% e njerëzve e gëzojnë pronën që u takon. Për sa u përket pakicave kjo përqindje është shumë më e ulët. Nuk ka kthim të duhur të pronës. Është e papranueshme që në një vend të BE-s, të mos këtë kthim të pronës.

Ka ndërhyrje nga politika në drejtësi. Kryeministri shkon nëpër bashki dhe cakton drejtorët. Ka ndërhyrje në nivel lokal”, tha ai.

Ora 12:55
Balla lexon deklaratën e përbashkët me përfaqësuesin e PE-së: Nevojë për legjislacion të ri! Vijon mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Sesioni i dytë i takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipërisë – Bashkimi Evropian, u mbyll me deklaratën e përbashkët të dy përfaqësueseve politikë, Taulant Balla nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Marco Tarquinio nga Parlamenti Evropian. 

Në deklaratë u bë me dije hapja e një zyre përfaqësimi për Ballkanin Perëndimor në Tiranë me vendim të PE. Ndër të tjera, u përshëndet bashkëpunimi i ngushtë dhe mbështetja që Evropa i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin për anëtarësimin në familjen evropiane.

“Jemi dakord për nevojën për të pasur legjislacion të mirë si dhe zbatimin e tij të qëndrueshme dhe të intensifikuar. Mirëpresim ambicien për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, dhe në veçanti ecurinë ne hapjen e një numri mbresëlënës të grupkapitujve negociues gjatë 12 muajve të fundit. Me pritshmërinë për të hapur grupkapitullin e fundit përpara fundit të vitit.

Përshëndesim më tej rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtë dhe të sigurisë të BE veçanërisht në reagimin e saj nga sfidave globale dhe në ndikimin pozitiv për stabilitetin rajonal dhe angazhimin proaktiv rajonal, siç janë tregu u përbashkët, procesi i Berlinit. Parlamenti Evropian është i gatshëm të vijojë të ndihmojë Kuvendin ndërkohë që Shqipëria i afrohet anëtarësimit të plotë në BE. Përshëndesim vendimin e PE, për të na hapur në Tiranë zyrën e përfaqësimit të tij për Ballkanin Perëndimor. Kjo përbën njëherësh njohjen  e arritjeve të vendit për anëtarësim si dhe vlerësimin e Tiranës si një ndër kryeqytetet më tërheqëse dhe më dinamike në këtë pjesë të Evropës”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Pas deklaratës, PD shpjegoi se "Komiteti MSA u mbyll pa një rezolutë të përbashkët konsensuale, për shkak se nuk ishte përfshirë kësaj here në axhendë. Në axhendë ishte përfshirë vetëm një deklaratë e përbashkët e bashkëkryetarëve të Komiteti."

Ora 12:03
Manja i përgjigjet akuzave të opozitës: Nuk është qasje e sinqertë të mbështesësh integrimin, pasi ke baltosur Shqipërinë

 

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i është përgjigjur akuzave të opozitës në tryezën e përbashkët duke thënë se mbështetja e tyre ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE nuk është reale. Manja thotë se opozita nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka baltosur Shqipërisë.

“Por dua ta nis me keqardhje sepse dallimet tona politike nuk mund të jenë argument për ta bërë pis Shqipërinë. Të mbështesë integrimi në BE pasi ke hedhur një mal me akuza dhe e ka bërë baltosur Shqipërinë nuk më duket qasje e sinqertë.

Por gjithsesi në cilësinë e përfaqësuesi të maxhorancës kemi përgjegjësi të mbyllë me sukses të gjitha kapitujt që kemi hapur. Qasja jonë ka qenë e qartë ne nuk duam asnjë gjë nëse nuk e meritojmë në këtë proces”, tha Manja.

Ora 11:45
Komiteti i Stabilizim Asocimit, Balla: Zgjedhjet e 11 majit, konkurruese! Bardhi akuza qeverisë: I ushtruan presion administratës për vota, korrupsioni në nivele të larta

Eurodeputetët ishin sot në Tiranë, pjesë e sesionit të dytë të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipërisë – Bashkimi Evropian. Progresi i institucioneve të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut si dhe raporti për parlamentaret e 11 majit i hartuar nga OSBE-ODIHR, ishin temat kryesore të trajtuara sot në tryezën e përbashkët.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vlerësoi raportet e institucioneve të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë, në veçanti të SPAK. Balla gjithashtu ftoi dhe kolegët e opozitës për të votuar nesër pro rezolutës në Kuvend me qëllim nxitjen e progresit në drejtësi dhe goditjen ndaj korrupsionit.

Deputeti socialist gjithashtu theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, ndërsa për çdo problem të raportuar, do të merren masa për ndreqjen e tyre në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

“Sa i përket deklarimeve për çështjet që lidhen me institucionet e drejtësisë, duhet të jetë e qartë se sa i përket mazhorancës të këtij vendi, ne kurrë nuk do të bëjmë ndonjë deklaratë apo të hyjmë në ndonjë rast, në meritën e një çështjet ë drejtësisë. Me rezolutën që do të miratojmë nesër në Kuvend, vlerësojmë rezultatet e arritura nga SPAK si rezultate të mira dhe nxisim vazhdimin e punës. Mendoj që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër këtë rezolutë pikërisht për të tregua se drejtësia nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit, dhe është e keqe kur ngre akuza kundër kolegut tënd.

Jemi në kohën, që mes partisë dhe Shqipërisë, të zgjedhim Shqipërinë. Reforma në drejtësi është historike se hoqi duart e shumicës e parlamentit nga punët e drejtësisë. Zgjedhjet e 11 majit, janë vlerësuar nga OSBE ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale, të gjitha ankesat, duhet të jenë detyra e shtëpisë e Kuvendit përmes Komisionit për Zgjedhoren që t’i adresojë që zgjedhjet vendore të viti 2027 dhe ato parlamentare 2029, përfshirë dhe zgjedhjet për parlamentin evropian në Shqipëri, të jenë zgjedhje me standarde më të mira evropiane. Këta evropianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, nuk ka nevojë t’ia përkthejmë ne në shqip. E kam bërë dhe unë këtë gabim kur kam qenë në opozitë dhe ua kam lexuar gabim”, tha Balla.

Fjalën në këtë sesion e mori dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili nuk kurseu akuzat për mazhorancën duke thënë se për interesat e tyre personalë dhe politikë, ushtruan presion mbi administratën publike e qytetarët, duke manipuluar procesin dhe rezultatin zgjedhor.

“Sic dëshmoi raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2025, partia në pushtet përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat dhe cdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj.

Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtare, praktikisht zhduku vijën ndarëse ndërmjet partisë në pushtet dhe shtetit, duke krijuar një garë tërësisht të pabarabartë ndërmjet palëve. Në raport e OSBE/ODIHR-it flitet po ashtu për presion ndaj nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve, qytetarëve në qendrat e votimit, përfshirje të grupeve kriminale dhe konsolidim të kontratës së krimit të organizuar me partinë në pushtet”, tha Bardhi.

Bardhi i referohet gjithashtu dhe raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me fushën e biznesit dhe të investimeve. Demokrati thotë se zhvillimi ekonomik është i ndjeshëm në vend për shkak të prezencës së lartë të korrupsionit në çdo nivel qeverisës.