Kryeministri Edi Rama tha se kompania shtetërore në ortakëri me Emiratet e Bashkuara Arabe, Alb Trace Co, e ngritur ne 2025-ën, do të kontrollojë e do të ndjekë gjurmimin e naftës që futet në vendin tonë.

"Gjurmimi i të gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit, për të zhdukur evazionin në këtë sektor", siç tha kryeministri, dhe ato që do të nxjerrë shteti nga goditja e këtij fenomeni do të shkojnë për pensionistët.

Në shoqërinë “Alb Trace Co”, e cila do të prodhojë pullat fiskale, 51% e aksioneve zotërohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, dhe 49% nga “O&S Security and Solutions”, e regjistruar në Emiratet Arabe. Bazuar në dokumentet e depozituara në QKB, shteti shqiptar në këtë kompani përfaqësohet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, ndërsa aksionet e kompanisë arabe zotërohen 40% nga kompania SICPA Middle East Investments Holding LTD, që është në pronësi të ish-koncesionarit që prej vitit 2012 ka prodhuar pullat fiskale në Shqipëri. 

"Prej disa kohësh ne kemi krijuar një kompani të re publike, në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, me kompaninë e tyre të të njëjtit objektiv e cila quhet ALBTrace. ALBTrace është praktikisht kompania publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji dhe së shpejti ALBTrace do hyjë në treg me dy produktet e veta të para, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me gjurmimin dhe me ndjekjen e naftës. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që gjurmimi i gjithë sasive të naftës që hyjnë në tregun shqiptar do të garantohet me një teknologji të fjalës së fundit që praktikisht do ta çojë në një nivel tjetër atë që ishte gjurmimi me “bojërat e mia” se faktikisht nga të gjitha analizat e bëra përpara sesa ne të hidhnim këtë hap tjetër, rezultoi që ai ngjyruesi që përdorej për naftën ishte nganjëherë më kollaj për t’u kthyer në ujë sesa bojërat që unë përdor për zhargavinat e mia që po të shikoni, duart i kam me shenja akoma.

Kështu që, ky produkt i ri është absolutisht i pakapshëm nga asnjë sy tjetër, përveçse nga syri magjik i prodhuesit. Ndërsa ndjekja do të thotë që do të mbyllim epokën e shoqërimit të naftës që hyn në Shqipëri me objektivin për të qenë transit dhe do ta ndjekim nga shumë larg pa shqetësuar as shoferët tuaj që kur nisen për të kaluar kufirin në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi apo kudo qoftë ku kalojnë kufirin, kanë nga mbrapa doganier që bashkëndotin ambientin, duke shfrytëzuar dhe karburant të blerë nga buxheti i shtetit. Ndjekja do të bëhet me teknologji që përsëri nuk e sheh fare dot asnjë sy, sado i interesuar që të jetë dhe nga hyrja në port, deri tek dalja në kufi të gjitha mjetet do të jenë në ekran në një vend që do të hyjnë vetëm njerëz që do të kenë certifikatë sigurie.

Besoj që, këto të dyja do t’ju lehtësojnë dhe juve shumë punën sepse do të shpëtoni nga konkurrentët e pandershëm që sigurisht nuk janë mes jush, por janë fantazma dhe do na lehtësojnë të gjithëve për sa iu përket nivelit të evazionit fiskal që në këtë sektor gojët e liga thonë që është shumë i madh. Unë mendoj që edhe i vogël po të jetë është shumë i rëndësishëm për pensionistët. Kështu që, edhe për këtë ne kemi marrë atë vendimin tonë, që për t’i qëndruar shumë korrekt dhe shumë strikt zotimit që kemi marrë ndaj pensionistëve çfarë do të nxjerrim nga lufta kundër evazionit në këtë fushë do ta çojmë dhe atë në radhë të parë në drejtim të pensionisteve, pastaj nëse është aq shumë sa thonë gojët e liga do ketë dhe për ata që s’kanë dalë në pension akoma", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Rama takim me furnizuesit e naftës: Rritja e çmimit e moderuar, më mirë fitim të ulët, se Bordin në kurriz! Nuk ka rishikim të taksës së qarkullimit