TIRANE - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Spitalin Amerikan ka finalizuar me sukses fushatën e bërjes synet falas të fëmijëve myslimanë. Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja, i pyetur për detajet e këtij bashkëpunimi tregon se projekti në fjalë ka bërë pjesë të tij fëmijët e familjeve myslimane në mbarë vendin.

“Me synimin për të pasur një pjesëmarrje të gjerë kemi njoftuar të gjithë besimtarët dhe i kemi ftuar të regjistrojnë emrat e fëmijëve pranë myftinjve të qyteteve të tyre ose në Komunitetin Mysliman. Pas kësaj faze që ka zgjatur afërsisht një muaj, sipas një shpërndarjeje rrethesh, prindërit e fëmijëve janë njoftuar për datën dhe orën e kryerjes së ndërhyrjes nga autoritetet e spitalit Amerikan në Tiranë”, - ka shpjeguar Demetja.

Mësohet se shumë prindër e kanë pritur me entuziazëm ofertën e mundësuar nga KMSH - Spitali Amerikan, nisur nga fakti se një ndërhyrje e tillë është e vështirë të kryhet në ambiente familjare, por duke theksuar edhe se kryerja e një ndërhyrjeje të tillë merr një dimension të veçantë kur realizohet në të tilla përmasa, në kushte tepër komode dhe nën kujdesin e veçantë të kirurgëve të specializuar.

(ek/im/shqiptarja.com)