Në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, tingujt e violinës dhe pianos sollën një mbrëmje koncertore plot emocion. Violinisti Juri Dajani, së bashku me pianistët Rudina Ciko dhe Erbli Zade interpretuan një program të pasur me vepra nga Tartini, Schumann, Nikolla Zoraqi, Sarazate dhe Chopin.
Mbrëmja u çel me sonatën në sol minor “Trilli i Djallit” të Tartinit, një vepër virtuoziteti dhe force interpretative, për të vijuar më pas me Sonatën nr.1 op.105 të Schumann-it.
Për pianisten e njohur Rudina Ciko, kjo mbrëmje solli jo vetëm emocion artistik, por edhe rikthim në fillesat e karrierës së saj.
“Ishte një mbrëmje shumë mbresëlënëse për mua. Më ktheu pas në kohë, në fillimet e mia si pianiste shoqëruese. Repertori ishte mjaft impenjativ dhe Jurin e vlerësoj për pjekurinë artistike që tregoi në skenë. E bukura e këtij kësaj mbrëmje ishte edhe i ftuari Erbli Zade, i cili është një nxënës, edhe ai po i Liceut artistik, një pianist me shumë përvojë. Unë e kam dëgjuar vitin e kaluar dhe të them të drejtën pashë tek ai një rritje artistike goxha të madhe.”, tha pianistja Rudina Ciko.
Në koncert u interpretuan edhe “Nokturn” i Nikolla Zoraqit dhe “Romanza Andaluza” e Sarazates,
Për pedagogët, një nga momentet më të bukura ishte pikërisht bashkëpunimi mes dy artistëve të rinj të Liceut Artistik “Jordan Misja”.
“Ishte një iniciativë e Ariola Garos, tashmë një pedagoge e violinës në Liceun Artistik, goxha e përgatitur dhe e afirmuar. Nxënësi i saj, Juri përgatiti një recital. Ne u ftuam që të marrim pjesë me nxënësin tim Erblin. Shoqërimi në piano është një element shumë i vështirë, sepse duhet të jesh në të njëjtën frymëmarrje me instrumentistin tjetër. Mendoj që ata të dy e realizuan shumë bukur këtë komunikim artistik.”, tha pedagogia e pianos, Mirela Tushe Vongli.
Për violinistin Juri Dajani, kjo mbrëmje shënoi koncertin e tij të dytë recital dhe një tjetër hap në rrugëtimin artistik.
“Jam shumë i lumtur. Ishte hera e parë që luanim duet bashkë me Erblin dhe çdo gjë shkoi shumë mirë. Shpresoj të kemi edhe shumë koncerte të tjera së bashku.”, tha Dajani.
Ndërsa për Erbli Zaden, i cili kthehej për të dytën herë me një koncert në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, koncerti ishte një eksperiencë e veçantë, pasi për herë të parë shoqëronte një violinist në një koncert recital.
“Ishte një ndjesi shumë e bukur dhe e veçantë. Programi ishte impenjativ, por shumë i bukur. Ishte kënaqësi e madhe të luanim bashkë me Jurin.”, tha Zade.
Në koncert, talenti i të rinjve u ndërthur me eksperiencën e artisteve të afirmuara, duke sjellë në skenë jo vetëm interpretim cilësor, por edhe një dialog mes brezash përmes muzikës klasike.
Komente










