Katër vepra të reja simfonike janë fituese të Konkursit Kombëtar të Krijimtarisë Muzikore “Tish Daija”. “Rapsodia e Jugut” nga Endri Sina, “Eclipsis Lunaris” nga Fjolla Gashi, “Rugovë” nga Jurgen Muharremi dhe “Voices” nga Kris Sopiqoti janë krijimet fituese për orkestër simfonike, duke sjellë një frymë të re në krijimtarinë muzikore shqiptare.
Konkursi, i organizuar nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, vjen në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit Tish Daija, “Nderi i Kombit”, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së muzikës shqiptare.
Më herët si pjesë e konkursit janë përzgjedhur edhe krijime në kategoritë “Muzikë Dhome” dhe “Kor A Cappella”, si dhe vepra të konceptuara për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Veprat e përzgjedhura në dy kategoritë e para do të interpretohen në Festivalin e Krijimtarisë Muzikore Shqiptare.
Në qendër të kësaj nisme është figura e Tish Daisë, kompozitor, akademik, pedagog dhe drejtues artistik, i cili ia kushtoi jetën zhvillimit të artit muzikor kombëtar.
Ai ishte themelues i baletit shqiptar, me vepra ikonike, si: baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” (1963), “Bijtë e Peshkatarit” (1972), dhe autor i operave të njohura si “Pranvera” (1960) dhe “Vjosa” (1980). Si udhëheqës artistik i Ansamblit Popullor për 18 vite, ai riktheu dhe modernizoi thesarin muzikor popullor shqiptar, duke e prezantuar denjësisht në skenat botërore. Nën drejtimin e tij, ansambli u nderua me Gjerdanin e Artë në Dijon të Francës, ndër shumë vlerësime të tjera prestigjioze.
Ndikimi i tij shtrihet edhe në edukimin muzikor, duke qenë një nga themeluesit e klasës së kompozicionit në Konservatorin e Tiranës dhe një mentor i disa brezave kompozitorësh. Muzika e tij mbetet pasuri e pashtershme, ku këngë si “Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, dhe “Ndal, bre vash” ruhen si thesare të kulturës sonë.












Komente
Komento