Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale një postim që tregon impaktin që do të ketë koncerti i Kanye West në Spanjë, i cili do të mbahet në Algarve më 7 gusht.

Nga vetëm një koncert, ashtu siç axhenda e ka parashikuar në Shqipëri, pritet që në ekonominë e Madridit të gjenerohen 49 milionë euro dhe 3 mijë vende pune duke favorizuar bizneset. Gjithashtu priten 68 mijë fansa, ku 60% e tyre janë nga jashtë vendit.

“Koncerti i vetëm i Kanye West pritet të sjellë deri në 49 milionë euro për ekonominë e Madridit, të krijojë më shumë se 3 mijë vende pune dhe të mirëpresë 68 mijë fansa, ku mbi 60% e tyre do të udhëtojnë nga jashtë vendit. Ngjarja do t’i japë një shtysë të madhe hoteleve, restoranteve, turizmit dhe sektorit të shitjeve me pakicë në qytet, duke e forcuar më tej Madridin si një nga destinacionet kryesore të muzikës live në Evropë”, shkruhet në postim.

Krahasimisht, ministri Blendi Gonxhja dhe vetë shefi i qeverisë janë shprehur se nga koncerti që do të mbahet të shtunën e 11 korrikut në Tiranë, ekonomia do të gjenerojë rreth 100 milionë euro. Për ndërtimin e Eagle Stadium, janë angazhuar rreth 3500 persona. Ndërkohë, qeveria po përballet me kritika për alokimin e 4 milionë eurove për koncertin ditët e fundit, pasi tha se në të kundërt “do të turpërohej Shqipëria.”

Opozita ka shprehur kundërshtime për qeverinë që i përdori paratë duke i marrë nga fondi i rezervave, ndërkohë që bëhet fjalë për një event privat. Gjithashtu, protestuesit para kryeministrisë kanë bërë thirrje për bojkotimin e koncertit që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha kulturore-artistike.