Koncesionet, Ahmetaj - Gjiknuri
dhe Beqaj raportojnë te deputetët

Koncesionet, Ahmetaj - Gjiknuri<br />dhe Beqaj raportojnë te deputetët
TIRANE - Ministrat e qeverisë socialiste kanë filluar raportimet përpara grupit të tyre parlamentar. Me kërkesën fillestare të deputetes Arta Dade, e më pas edhe të kreut të komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe, dje ka filluar ky cikël dëgjesash, që pritet të jetë i vazhdueshëm. Para grupit parlamentar dje kanë raportuar Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës, dhe Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Të tre ministrat kishin ardhur të përgatitur, me raporte të detajuara ku për më shumë se dy orë, të tre së bashku kanë shpalosur para deputetëve arritjet e qeverisë në dikasteret përkatëse, si dhe implementimin e programit qeverisës në 3 vjet drejtim.

Deputetët Fatmir Toçi dhe Besnik Bare kanë shprehur shqetësim për koncesionet, ndërsa Eduard Bejko dhe Klodiana Spahiu, kanë kërkuar informacion të gjendjes së spitaleve dhe qendrave shëndetësore. “Unë dua të ngre këtu shqetësimin tim për komunitetin e naftëtarëve, kryesisht për atë të zonës sime, të Gorishtit, Vllahinës dhe Amonicës. Ne premtuam kur erdhëm në qeveri se do të rishikonim apo do të anulonim këto koncesione nafte. Por nuk i kemi bërë këto akoma. Kocensionarët privatë kanë hequr nga puna qindra punonjës. Atyre duhet tu ishte paguar dëmshpërblimi për dy vjet,”-mësohet se është shprehur Fatmir Toçi.

“Unë kam shqetësim sa u takon dy hidrocentraleve të rëndësishme e shumë problematike. E kam fjalën për atë të Langaricës në Përmet, dhe atë të Nivicës në Kurvelesh. Janë të dyja në kundërshtim me ligjin sa u takon parametrave mjedisorë. Ne kishim premtuar bllokimin e tyre, por ende nuk e kemi bërë. Duhen marrë masa për këtë çështje”-ka thënë deputeti Besnik Bare. Në përgjigje të tyre, Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka thënë se këto koncesione janë të vështira të zgjidhen, për shkak të kontratave që i mbrojnë ato.

“Ata janë të mbrojtur mirë nga kontratat, kështu që ne e kemi të pamundur t’i largojmë ato, sepse do t’i kushtonte shumë buxhetit të shtetit. Unë kërkoj mirëkuptimin tuaj në këtë drejtim, pasi në lidhje me kontratat konensionare jemi në vështirësi vendimmarrjeje. Ju duhet të na mirëkuptoni, dhe së bashku t’ju shpjegojmë këtë edhe qytetarëve”-ka thënë Gjiknuri.

Kryeministri, i cili u largua më herët nga mbledhja për shkak të takimeve me Kukan dhe Fleckenstein, tha se shteti nuk ka lekë për të bërë gjithçka që duhet. “Buxheti i shtetit nuk e përballon dot faturën disa miliardëshe për kryerjen e reformave të rëndësishme dhe të nevojshme. Ndaj ne përdorim formulën PPP (Partneritet Publik Privat) në mënyrë që shërbimet të ofrohen, dhe shteti të paguajë për to me këste e pa u rënduar. Problemi nuk është se sa koncesione bëjmë, e rëndësishme është që të prevalojë në çdo rast interesi publik, dhe të mos bëjmë marrëveshje klienteliste që nuk bazohen tek interesi publik”-është shprehur Rama.
 
Prononcimi per gazetaret i ministrit Ahmetaj

Zoti Ahmetaj për herë të parë pas kërkesave të vazhdueshme të deputetëve socialistë, ministrat kanë paraqitur programin e punës së tyre gjatë kësaj periudhe. Keni gjetur mbështetje nga deputetët për punën e bërë në ministritë tuaja?

Ishte një parashtrim i të gjithë reformave të qeverisë, jo ministrive specifike. U fol për gjithë strategjinë e partneritetit publik privat, për ato që kemi bërë dhe ato që do të bëjmë në favor të qytetarëve. 

U fol për tendencën shumë të konsoliduar pozitive të ekonomisë shqiptare, tashmë të konfirmuar edhe nga institucioni ndërkombëtar Standard and Poor. Pra vlerësimi pozitiv i ekonomisë nga B në B+, që  është një ngjarje shumë e madhe për ekonominë por edhe për imazhin e vendit. 

Dua të ndaj me ju që nuk është hera e parë, është hera e disatë dhe ne e bëjmë vazhdimisht qoftë në momentin e kalimit të buxhetit, qoftë në kalimin e paketave fiskale, qoftë në momente të tilla ku ne ndajmë me grupin parlamentar gjithë pritshmërinë tonë pozitive për ekonominë dhe parapërgatisim grupin parlamentar për gjithë reformat që do të ndërmarrim gjatë vitit 2016 dhe në vazhdim. 

Ka pasur kritika apo rezerva nga grupi përsa i përket koncesioneve për shembull?
Absolutisht jo, dhe këtë e them me përgjegjësi. Sigurisht që ndonjë deputet mund të ketë pasur paqartësi dhe kjo është e natyrshme. Por grupi është shumë i qartë, aq më tepër që të gjithë partneritetet publike apo private që ne bëjmë nuk dalin asnjëherë, aspak, jashtë Programit të Partisë Socialiste kur ne kemi qenë në opozitë. Në qoftë se do ta kontrolloni, ne i referohemi në programin tonë partneritetit publik privat si një nga instrumentat për të ofruar më shumë shërbime dhe për të thithur më shumë investime, gjë që po e bëjmë.
 
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Klubi i Premier League kërkon Kristjan Asllanin

Klubi i Premier League kërkon Kristjan Asllanin