Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht dje se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ndërmarrja e re, që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit, është emërtuar “Keen Dynamics Limited” dhe, sipas marrëveshjes së re me qeverinë shqiptare, parashikohet t’i ushtrojë këto të drejta të paktën deri në vitin 2027.

China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore. Ajo ka blerë koncesionin në konsorcium me kompaninë tjetër nga Hong Kongu, me pronësi private, Friedmann Pacific Asset Management Limited. E krijuar në vitin 2000, kjo e fundit është e specializuar në sektorin e aviacionit civil dhe projekte që lidhem me transportin ajror. Në një konsorcium tjetër, ajo ka blerë 49% të aksioneve të aeroportit të Tuluzës në Francë në vitin 2015.

Aktualisht pronarët e Tirana international Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve-21.3%; AviAlliance GmbH-47%.
 
Koncesioni
Konsorciumi Tirana international Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë. Ai u ratifikua nga Kuvendi në 2005-ën dhe kjo konsiderohet si data e nisjes së koncesionit.

Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit.
Synimi me ndryshimet në koncesion, që duhet të miratohet sërish nga Kuvendi, është t’i jepet fund bllokimit që përmbahet në marrëveshjen e lidhur 12 vjet më parë nga qeveria ‘Nano’, ku kompanisë i jepej e drejta e ekskluzivitetit mbi fluturimet ajrore në vendin tonë. Me pak fjalë, asnjë aeroport tjetër nuk mund të ishte funksional në gjithë territorin pa lejen e Tirana Airport Partners. Kjo klauzolë ka qendruar vazhdimisht në fuqi. Por, duke parë edhe ndikimin negativ që një e tillë ka patur mbi çmimet e biletave që paguajnë shqiptarët për të përdorur transportin ajror, qeveria është angazhuar për të gjetur një zgjidhje tjetër, me mirëkuptim.
 
Amendimi
Sipas marrëveshjes fillestare, gjatë afatit të koncesionit, asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë) nuk do të licensohej, autorizohej dhe operohej në Republikën e Shqipërisë. Në marrëveshjen e re, palët kanë rënë dakord që koncesioni të jepet për një afat kohor prej 22 vitesh nga data e fillimit. Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare në Republikën e Shqipërise përpara datës 23 prill 2025, afati i koncesionit do të zgjatet sipas një kalendari.
Ndërkohë, qeveria e Shqipërisë do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, përveç aeroporteve të përjashtuar, nuk do të licensohet aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë) në një rreze prej 100 km ajrore nga Rinasi.
 
Konkurrenca
Autoriteti i Konkurrencës, nga ana e tij, i ka rekomanduar Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë që të mos e zgjatnin afatin e eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare, pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Rekomandimi tjetër i Autoritetit ka qenë që të “Të liberalizohen shërbimet në tokë sipas anekseve të kontratës koncensionare: (i) Pagesës së Shërbimit në Tokë dhe e Uljes dhe e Ngritjes, (ii) Pagesës për Pasagjerët, (iii) Pagesës së Kargos, (iv) Pagesës së Parkimit të Avionëve dhe (v) Pagesës së ndriçimit të aerodromit”.
Këto vërejtje nuk u morën parasysh dhe tani qeveria po punon për vënien në punë të aeroportit të Kukësit, ndërkohë që do të nisë me projektimin e objekteve të tilla edhe në Vlorë ose Sarandë.

 
 
Redaksia Online
(m/b/shqiptarja.com)