TIRANË- Reforma zgjedhore dhe ajo Territoriale nuk nisin me këmbë të mbarë. Kuvendi do të ngrejë të enjten dy komisione të posaçme, të cilave ju jepet 9 muaj kohë për të përmirësuar ligjet elektorale si dhe hartën administrative.
Në Konferencën e Kryetarëve PD dhe PS nuk gjetën dakordësi, dhe ato që do të vendosin në parlament, do të jenë votat e shumicës. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se komisionet do të ngrihen nesër, duke theksuar se shpreson që të miratohen me konsensus.
“Kur bëhet fjalë për Reformën Zgjedhore është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare që se kanë një grup parlamentar ose partitë që se kanë dashamirësinë e një grupi parlamentar të madh që të heqin deputetë nga vetja dhe t’ua japin atyre të formojnë një grup parlamentar, të jenë të përfaqësuara në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, tha Balla.
Ndasia më e madhe është tek Reforma Zgjedhore, ku PS kërkon një formulë ku dy partitë e mëdha kanë nga një bashkëkryetar, PS 8 anëtarë, dhe 8 partitë të tjera. Këtu, një vend i rezervohet edhe partisë së Tom Doshit, që për PD-në prish barazinë në komision, sepse PSD historikisht ka votuar pro Ramës.
“Kemi kërkuar ndryshimin e pikës 3 në projekt vendimin për reformën zgjedhore që kërkon t’i imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti të të opozitës. Ndërsa grupi parlamentar i PS-së e ka specifikuar se ka 8 anëtarë në Komisionin për Reformën Zgjedhore , formulimi vijues është 8 përfaqësues të PS dhe 8 përfaqësues nga partitë e tjera parlamentare. Nga njëra anë bëjnë sikur japin barazinë në Komision mes mazhorancës dhe opozitës nga ana tjetër na diktojnë se kush është opozita”, tha Bardhi.
“Nuk mund të injorojmë rezultatet e zgjedhjeve për këtë parti që nuk ka marrë deputetë hua për të formuar një grup parlamentar”, tha Balla.
Pretendimin për barazi të plotë, demokratët e kanë edhe për reformën territoriale.
“Po prishni traditën parlamentare dhe minoni konsensusin. Kjo reformë duhet të garantojë një mekanizëm konsensual. Po ua lexoj: këtu, në vitin 2014 dhe në vitin 2022, komisioni është ngritur mbi bazën e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës. Sot vini me një propozim që nuk e garanton këtë. Prandaj, ne nuk pranojmë të jemi vetëm fasadë. Për këtë arsye, kërkoj që të ndryshoni përfaqësimin”, tha Bardhi.
Si për reformën territoriale, ashtu edhe për atë zgjedhore, me votat e PSD, socialistët mund të bëjnë çdo ndryshim.
Debati nëse PSD është mazhorancë apo opozitë, është zhvilluar edhe më herët. KQZ dha një interpretim final, se edhe pse nuk ka ndonjë marrëveshje qeverisëse mes Ramës dhe Doshit, fakti që PSD ka votuar qeverinë dhe buxhetet vjetore të shtetit, e konfirmojnë si parti mazhoritare, dhe jo opozitare.

Projektligji për Barazinë Gjinore është futur në punimet e kalendarit të Kuvendit të Shqipërisë. Javën e ardhshme do të hidhet për diskutim në komisione pasi Partia Socialiste që e ka propozuar, të bëjë disa saktësime nga variant fillestar.
Ligji për barazinë do të votohet në Kuvend më datë 30 tetor.
Ky projektligj është kundërshtuar masivisht nga opozita duke pretenduar se preket rëndë thelbi i familjes tradicionale.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se prezente në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore duhet të jenë edhe grupet e tjera parlamentare. Ai u shpreh i bindur se nesër në Kuvend do t’i jepet “OK” ngritjes së këtij Komisioni. "Shpresojmë se do të ngrihet me konsensus", tha ai.
“Kur bëhet fjalë për Reformën Zgjedhore është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare që se kanë një grup parlamentar ose partitë që se kanë dashamirësinë e një grupi parlamentar të madh që të heqin deputetë nga vetja dhe t’ua japin atyre të formojnë një grup parlamentar, të jenë të përfaqësuara në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Propozimi unë ka qenë i njëjtë me atë që është gjithmonë. Të jemi në barabartë edhe në numër, në të drejtën e vetos, garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë, por PS dëshiron dhe insiston dhe prandaj e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit që ta miratojmë së bashku edhe partitë e tjera parlamentare të jenë aty. Kur ne shohim se PD këto partitë e vogla i duhen, madje u merr borxh edhe kandidatin për kryetar bashkie se vetë nuk kanë, pse duhet t’i përjashtojmë këto parti të vogla nga Reforma Zgjedhore”, tha Balla.

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi PS se po prish traditën e Komisionit për Reformën Territoriale. Bardhi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është shprehur se PD kërkon barazi anëtarësh në këtë komision dhe se nuk do pranojnë të jetë aty vetëm për fasadë.
“Po prishni traditën parlamentare dhe minoni konsensusin. Kjo reformë duhet të garantojë një mekanizëm konsensual. Po ua lexoj: këtu, në vitin 2014 dhe në vitin 2022, komisioni është ngritur mbi bazën e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës. Sot vini me një propozim që nuk e garanton këtë. Prandaj, ne nuk pranojmë të jemi vetëm fasadë. Për këtë arsye, kërkoj që të ndryshoni përfaqësimin”, tha Bardhi.

Edhe Partia e Lirisë ka kërkuar në Konferencën e kryetarëve që të hiqet nga programi i punës së Kuvendit, pr.ligji për Barazinë Gjinore. Kreu i grupit të PL, Tedi Blushi thotë se ky pr.ligj godet vlerat e familjes dhe se nuk ka pasur konsultim.
“Tërhiquni urgjentisht nga avancimi i axhendave sorosiane për shkatërrimin e vlerave të familjes. Kush është urgjenca për miratimin e këtij ligji? Ka vetëm burrë e grua dhe vetëm nënë e baba. Hiqni dorë nga marrezitë e gjinive te tjera. Kjo nismë godet në ADN vlerat e familjes dhe kombit shqiptar. Dëgjoni thirrjen e Komuniteteve të nderuara fetare që në unison janë kundër draftit”, tha Blushi.

PD është dakord për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, por në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve Gazment Bardhi tha se duhet të presin raportin e ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
“Jemi dakord për ngritjen e komisionit, pasi kjo çështje është një detyrim. Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit.
Kam edhe një çështje të dytë: Këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë – 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”, tha Bardhi.

Konferenca e Kryetarëve, foto akriv
Partia Demokratike ka krkuar në Konferencën e kryetarëve që të hiqet nga programi i punës së Kuvendit, pr.ligji për Barazinë Gjinore. PD thotë se ky ligj cenon familjen dhe theksoi se duhet të përfshihen në konsultime grupe të ndryshme interesi, përfshirë edhe komunitetet fetare.
“Ky ligj duhet të hiqet nga programi i punës së Kuvendit, pasi është një ligj me ndjeshmëri të lartë publike dhe që, në thelb, cenon familjen. Duhet t’i japim kohë debatit, pasi, siç jemi në dijeni, ka një interes të madh nga grupe të ndryshme interesi, përfshirë edhe komunitetet fetare, për t’u përfshirë në konsultime dhe debat. Këto grup dhe komunitete janë kundër”, tha deputeti Luçiano Boçi.

Partia Socialiste ka hedhur në diskutim në Konferencën e Kryetarëve dy draftet finale për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, përkatësisht për Realizimin e Reformës Zgjedhore dhe Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
Komisioni për Reformën Zgjedhore do të ngrihet në barazi opozitë-mazhoranvë. Në total komisioni do të ketë 16 anëtarë, 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera opozitare. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.
“I. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore.
II. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara dhe të raportit të pritshëm për zgjedhjet e 11 majit 2025; trajtimin e rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe hartimin e ligjit për financimin e partive politike.
III. Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 16.anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të Partisë Socialiste, 8 përfaqësues nga Partitë e tjera parlamentare. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.
IV. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike”, thuhet në draft.
Ndryshe nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, në Komisionin për Reformën Administrativo- Territoriale, shumicën do ta ketë mazhoranca. Ky komision parashikohet të ketë 17 anëtarë, 9 përfaqësues të PS, 6 të PD-së, 1 përfaqësues i Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL.
Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
“III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
IV. Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
V. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 9-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit”, thuhet në draft.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë


Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë Konferencës së Kryetarëve, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si opozita po përdor ndërhyrjen për procedure për të penguar zhvillimin normal të debatit në seancat plenare.
“Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit,” deklaroi Peleshi, duke shtuar: “Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta prishim ditën.”
Ai theksoi se është kthyer në praktikë abuzimi me kërkesat “për procedurë”, të cilat përdoren për të bllokuar hyrjen në debat, edhe pse deputetët kanë në dispozicion kohën e plotë prej 10 minutash për diskutim. Sipas tij, ky veprim lidhet edhe me faktin që faza e parë e seancës ka audiencë më të lartë, gjë që po keqpërdoret me vetëdije.
Peleshi nënvizoi se zbatimi strikt i rregullores nuk mjafton, nëse mungon edhe “buon sensi” mes palëve. “Ju keni bërë gjithçka për ta prishur këtë rend,” tha ai, duke iu drejtuar opozitës.
Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit bëri një apel të fundit për mirëkuptim dhe marrëveshje politike, për të normalizuar punimet e Kuvendit.

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kërkoi nga opozita që të respektojnë rregulloren dhe të lejojnë njëri tjetrin të flasin gjatë seancave plenare. Qëndrimi i Ballës erdh pas ankesave të opozitës se nuk i lejojnë të flasin. Balla u tha se kur merr fjalën kryeministri duhet ta respektojnë. “Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij”, tha Balla.
“Ju lutem, mos na shtrembëroni atë që themi. Po jua përsëris që kur flisni ju, askush nuk pipëtin nga ana jonë. Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju. Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit që t’i japim mundësi të flasim të gjithë, sipas rregullores. Jemi munduar t’ju themi që nga dita e parë: kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij. Kishte një propozim nga z. Bardhi për nisjen e debatit. Para se të hyjmë, kemi disa kërkesa për mocione për debat. Këto kërkesa janë të përcaktuara qartë në rregullore: prezantohet pro dhe kundër, dhe në fund, pas kësaj, bëhet votimi”, thotë Balla.

Opozita vijon me debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku akuzon kryetarin Niko Peleshi se po i mohon fjalën deputetëve të PD-së. Në mbledhje, deputeti Agron Gjekmarkaj me ironi i tha Peleshit se nëse është lodhur, ta mbyllë Kuvendin. Me ironi Gjeklmarkaj i tha Peleshit se po e komandojnë.
“Unë mendoj se secili është përgjegjës për veten dhe për retorikën që ndërton! Ju na thoni: “Fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, fol gjatë, fol shkurt, mos bëj moral, mos bëj zhurmë…”
Por a është normale që nga pala tjetër të na mësojnë se si duhet të sillen deputetët? Kjo është çështje e secilit. Mos u sillni me arrogancë si edukatorë!
Më bëri përshtypje në sallë një fyerje që zoti Balla bëri jashtë mikrofonit, ndërsa zonjat e PS-së, të cilat shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan “aromën akustike” të metaforës së Taulant Ballës! Gjithë kohës mbani dy standarde, dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje. Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre muajve njoftime, procesverbale, dhe pastaj ikni me vrap!
Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflektoni kalon dimri, vjen pranvera, dhe pastaj shohim e bëjmë! Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart! Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur”, tha Gjekmarkaj.
Komente











