Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e shtatë deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit për Investimet Strategjike”.
Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj, kërkuan verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik, duke argumentuar se, megjithëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik ishte pozitiv, ai u përdor për t'u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Në lidhje me rrëzimin e komisionit, Bardhi thotë se nesër PD do të depozitojë kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, duke i hequr çdo mundësi Edi Ramës për të bllokuar transparencën dhe llogaridhënien me votat e non-gratave të tij në Kuvend.
‘Edi Rama rrëzoi sot kërkesën e PD për komision të posaçëm për verifikimin e procedurave për investimet strategjike, duke pranuar defacto se pasurinë publike e ka kthyer në plaçkë për miqtë dhe familjarët e tij. Përpjekja për ti fshehur publikut aferat korruptive me ligjin e investimeve strategjike, ku ndër përfituesit është edhe familja e ministres Olta Xhaçka, do të dështojnë. Shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij. Nesër PD do të depozitojë kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, duke i hequr çdo mundësi Edi Ramës për të bllokuar transparencën dhe llogaridhënien me votat e nongratave të tij në Kuvend.’- shkruan Bardhi.
Po ashtu konferenca e Kryetarëve nuk pati dakordësi edhe për kërkesën për mocion me debat të finalizuar me Rezolutë në lidhje me “Njohjen e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnjë-Hercegovinë” dhe vendosi t’ia kalojë seancës plenare.