TIRANË, 18 Dhjetor / ATSH - N.Lena/ - U zhvillua sot në Tirane Konferenca e parë Kombëtare e Udhërrëfyesve Turistikë me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike në Shqipëri (NATGA). Prezantimin e shoqatës dhe aktivitetin e esaj në vite e bëri Presidenti i shoqatës, Martin Mato, i cili foli për arritjet dhe perspektivën saj si dhe ndihmën që presin nga MZHUT-ja dhe pushteti vendor.
Alfred Dalipi, zv,Ministri i  Zhvillimit Urban dhe Turizmit, falënderoi Shoqatën e Udhërrëfyesve Turistikë për këtë iniciativë serioze, Komisionin Evropian dhe në mënyrë të veçantë Presidenten e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike (WFTGA), Felicitas Wressing, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë takim. Dalipi tha se pas shumë vitesh kaotike dhe lirie ekonomike të paorientuar me rregulla loje nga shteti, biznesi i turizmit tashmë ka filluar të artikulohet si industri e turizmit, çka do të thotë që tendenca për të formalizuar këtë treg dhe presioni që i bën ky treg kësaj industrie është shumë e madhe. "Që në hapat e para, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit i është dedikuar zhvillimit të territorit dhe turizmit dhe i është përkushtuar procesit të formalizimit dhe standardizimit si një domosdoshmëri për garantimin e një rritjeje të qëndrueshme të vetë industrisë së turizmit, të këtij sektori i cili me përkushtim shumë të madh tashmë e artikulon veten si industri në ekonominë shqiptare. Për vitin 2014 turizmi ishte ngjarja ekonomike e vitit, ishte sektori me rritjen më të madhe në ekonominë shqiptare dhe një nga faktorët e kësaj rritjeje janë dhe protagonistët, udhërrëfyesit, agjencitë, tour operatorët, strukturat akomoduese. Këto ishin ato të cilat i dhanë kësaj dege të ekonomisë një impuls që ndikoi dhe në parametrat makroekonomikë dhe gjithashtu, tërhoqi vëmendjen dhe të strukturave qeverisëse, të MZHUT për të përshpejtuar procesin e ligjbërjes, të ligjit të ri dhe të akteveve nënligjore".
Viti 2014 shënoi një ngjarje të rëndësishme dhe për Shoqatën e Udhërrëfyesve Turistikë, një hap të parë për trajnimin dhe çertifikimin në qershor të këtij viti, ku 14 profesionistë me eksperiencë u njohën nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për përvojën, kualifikimin dhe kontributin e tyre në këtë fushë.
Presidentja e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike (WFTGA), Felicitas Wressing, theksoi se ishte këtu për të parë nga afër arritjet e Shqipërisë turistike si dhe për të dhënë ndihmesën dhe përvojën e sajë dhe atë botërore në menaxhimin e resurseve turistike të këtij vendi. "Konferenca e parë e guidave turistike është një ogur i mirë për turizmin shqipëtar për prezantimin e tij në botë si dhe një mundësi ekonomike më shumë", theksoi ajo. /a.ke/