Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla mori pjesë në Simpoziumi Ndërkombëtar Symi që po zhvillohet në Athinë. Balla mbajti një fjalë në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë - Një strategji për të shtyrë përpara anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, sëbashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë nga vendet e tjera të rajonit.
Në fjalën e tij Balla tha se Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë mund të mbahet javën e ardhshme 19-20 Korrik.
“Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 Korrik) është një lajm i mirë, por të mos harrojmë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeo-politike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrainës”, shkruan Balla.
Sipas Ballës mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE.
“Ndërsa nuk e kuptoj pse edhe Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE”, shkruan Balla.
Në vijim të fjalës së tij Balla theksoi se Procesi i Berlinit prej tetë vitesh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ballkani i Hapur është instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, përmes një letre të dërguar për autoritetet ndaj Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje që të pranojnë propozimin francez dhe me këtë të hapen zyrtarisht negociatat me BE-në. Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Bliken, dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE, Joseph Borrel, në një deklaratë të përbashkët, bënë thirrje që Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin francez.
Çelja e negociatave të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë ka mbetur deri më tani peng i një vetoja bullgare për fqinjin tonë lindor. Ndërkohë që disa ditë më parë vetë Bullgaria pranoi të hiqte veton dhe pranoi kështu një propozim të Presidentit francez Emannuel Macron për të zgjidhur konfliktin mes 2 vendeve. Tashmë pritet që i njëjti propozim të miratohet nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut për të bërë të mundur përcaktimin e datës nga ana e Këshillit Evropian.