Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast në lapidarin që përkujton këtë ngjarje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka falenderoi fillimisht të gjithë veteranët, por edhe të rinjtë që u bënë pjesë e këtyre organizimeve. “Është kënaqësi të mirëpresim miq të çdo moshe nga e gjithë Shqipëria, veteranë që mund të kenë qenë dëshmitarë, bashkëkohës të ngjarjeve historike të luftës, apo nipa e mbesa që ende sot ruajnë gjallë rëndësinë e këtij momenti historik për Shqipërinë. Ky vend ka gjithmonë diçka të veçantë, që të imponon respekt dhe përulje për të parët tanë”, tha Veliaj në fjalën e tij përshëndetëse.
Duke iu referuar ngjarjes, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se Konferenca e Pezës përcaktoi së pari pozicionimin e Shqipërisë në luftë në anën e aleatëve kundër pushtuesve. “74 vjet më parë, ky vend ishte kryeqendra e një përpjekje madhore dhe historike, që vendosi fatin e Shqipërisë duke na përfshirë në radhët e koalicionit që luftonte kundër të keqes më të madhe që kishte njohur ndonjëherë njerëzimi. 74 vite më parë u mblodhën këtu në Pezë për të siguruar lirinë e brezave të ardhshëm dhe Konferenca e Pezës është momenti kur shqiptarët ditën që të jenë në anën e drejtë të historisë. Ky ishte momenti kur shqiptarët ditën të luftojnë dhe të punojnë për një kauzë që e nderoi brezin e tyre dhe që e kujtojmë edhe 74 vite më pas; të atyre që luftuan dhe na bënë të gjithëve krenarë, përfshirë edhe ne që jemi këtu sot”, u shpreh Veliaj.
Kjo është arsyeja, theksoi kryebashkiaku, që çdo 16 shtator Peza kujton veprën e një brezi që u ngrit në lartësinë e sfidave që i renditi historia. Ai shtoi se sakrifica dhe idealizmi i atyre të rinjve duhet të jetë motivues edhe për shoqërinë tonë për të menduar dhe kontribuar më shumë, se si vendi ynë mund të bëhet më i mirë.
“Sot nuk kërkohen ato lloj sakrificash, si 74 vite më parë, por prapë kërkohet po aq dashuri, po aq vendosmëri, po aq përkushtim ndaj atdheut tonë të përbashkët, ndaj qytetit tonë, ndaj komunitetit, ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për shembullin dhe për frymëzimin e tyre. Kemi nevojë për shembullin e burrave dhe të grave që prehen këtu pas nesh, të shokëve të tyre veteranë, që sot kanë ardhur këtu nga e gjithë Shqipëria për t’i nderuar, por mbi të gjitha kemi nevojë që shembulli që ata dhanë të kthehet në modelin e këtyre të rinjve që janë me ne sot se ka më shumë gjëra që na bashkojnë përtej partive, përtej të majtës dhe të djathtës, sesa gjërat që na ndajnë për të ndërtuar një Shqipëri evropiane”, theksoi Veliaj.
Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, theksoi se ata që morën pjesë në këtë Konferencë, 74 vite më parë, para se të ishin nacionalistë apo përfaqësues të feve dhe krahinave të ndryshme, ishin patriotë që e donin vendin. “Ishte pikërisht Konferenca e Pezës që arriti të rendiste Shqipërinë krahas vendeve të tjera që luftonin për lirinë dhe mesazhi i saj është në koherencë me të sotmen. Për të arritur progresin që synojmë, është i nevojshëm një bashkim dhe bashkëpunim i çdo force politike drejt një qëllimi të njëjtë për zhvillimin dhe përfshirjen e plotë të Shqipërisë në rrugën drejt familjes së madhe evropiane. Qëllimi ynë për ta integruar vendin plotësisht në Bashkimin Evropian është një amanet që ua kemi borxh pikërisht gjithë përpjekjeve idealiste që janë bërë ndër breza për ta parë Shqipërinë të ndriçuar”, tha zëvendëskryeministri në fjalën e tij.
Më pas të pranishmit bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe para memorialit të patriotit Myslym Peza. Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, me rastin e ditës së Konferencës së Pezës, kanë hartuar një kalendar të ngjeshur aktivitetesh për të gjitha moshat, që nga fëmijët, ata më pak të rriturit, të rinjtë, e deri tek të moshuarit që duan të evokojnë përpjekjet për bashkim të gjithë shqiptarëve dhe luftën kundër pushtuesve nazifashist. Aktivitetet do vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme deri në 18 shtator.
Foto të tjera..
Axhenda e aktiviteteve
Datë 16 shtator
Ora 13:00 – Ekspozitë me fotografi, filmime, veshje të kohës etj. Gjithashtu hapet edhe dhoma muze.
Ora 14:00 – Koncert i Bandës së Qytetit.
Ora 15:00 - TIRANA ART FESTIVAL 30 Numra të ndarë përkatësisht në 15 këngëtarë dhe 15 performanca Break Dance.
Ora 18:30 – Koncert i Ansamblit Tirana.
Ora 20:00 – Koncert i madh festiv me pjesëmarrjen e grupeve muzikore të mirënjohur, këngëtarë soliste, Tirana Folk Band, DJ, etj.
Gjatë kësaj kohe në disa hapësira zhvillohen elemente festivë të ndryshëm: ndizen 5 zjarre të mëdhenj; instalohet këndi i barbeque; 15 biznese, Nata e gjelbër dhe shfaqje në ekran të madh i filmave me tematikë historike e heroike antifashiste, etj.
Datë 17 shtator
Ora 9:30 - Nisja nga Peza drejt Liqenit të Fjollës, një atraksion natyror i zonës së Pezës.
Deri në orën 16.00 në këtë zonë të Pezës do të zhvillohen: Barbeque, Lundrim me kanoe, Kampionat noti organizuar nga Federata e Notit, Gara Ëaterpol, 2-3 varka me drejtues profesionistë do të jenë në dispozicion të pjesëmarrësve për të shijuar lundrimin mbi liqen; Aeroshoë (fluturime me parashutë); ecje me kalë nëpër terrenin që rrethon liqenin nën drejtimin e kalorësve profesionistë; ngjitje në mal, Pedalon etj.
Ora 16:30 – Fillon minikampionati i volejbollit ndërmjet shkollave të Komunave dhe zhvillohen lojëra sportive të ndryshme.
Në të njëjtën kohë në hapësirë tjetër, në stage performojnë grupe artistike të zonës; zhvillohet pan/fest i produkteve artizanale, prodhimeve të zonës dhe kulinarisë karakteristike të zonës.
Ora 17:00 – Motoshoë në Sheshin tek (ish Turizmi i vjetër), 2 pozicione me motorra të mëdhenj dhe një me motorra Vespa.
Ora 17:00 – Lojra/Gara/Aktivitete me Kuaj, Painball tek Lëndina, Ping Pong, etj.
Ora 18:30 – Koncert festiv i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ora 20:00 – Koncert “Rock Music & Humor” me pjesëmarrjen e grupeve muzikore Rock të artistëve të rinj dhe artistë të mirënjohur të humorit (skeçe POP), karaoke, DJ, etj.
Gjatë kësaj kohe në disa hapësira zhvillohen element festivë të ndryshëm: ndizen 5 zjarre të mëdhenj; instalohet këndi i barbeque; Nata e gjelbër dhe shfaqje në ekran të madh i filmave me tematikë lufte, etj
Datë 18 shtator
Ora 9:00 – Parku gjigand i lojërave dhe argëtimit për fëmijë mirëpret me:
- Shfaqje teatri për fëmijë nga Teatri Kombëtar
- Teatri për fëmijë i Metropolit
- Teatri Shëtitës i Marionetave
Ora 11:00 – Koncert festiv dhe argëtues për fëmijë; performojnë grupe muzikore dhe shkolla të ndryshme vallëzimi për fëmijë.
Ora 13:00 – shfaqje për fëmijë nga Cirku Kombëtar.
Paralelisht vijojnë në hapësira të tjera lojërat dhe argëtim me animatorë, kllouna, lojëra elektronike, lojëra të mëdha zbavitëse (shah, ping pong, mos u nxeh, etj.
Panairi i gatimeve për/nga kalamajtë, pikturave, punimeve artizanale të fëmijëve të zonës kryesisht me produktet bio të zonës së tyre dhe material të riciklueshme.
Biblioteka e hapur për fëmijë gjatë gjithë ditës me këndet e leximit në natyrë.
Tapeti Magjik me Karateistët e Vegjël
Redaksia Online
(F.T/shqiprtarja.com)