E PLOTË/ Stoltenberg - Ramës: Ju falënderoj për angazhimin personal për udhëheqjen tuaj të fortë politike në drejtimin e Shqipërisë

Konferenca e PLOTE për shtyp e kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg

Mirëdita të gjithëve!

Kryeministri Edi Rama: Pata kënaqësinë të mirëpres sot në Tiranë, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg dhe besoj se mund ta them pa ngurrim edhe një mik të vendit tonë, i cili e ka vizituar edhe më parë Shqipërinë dhe ka qenë në vijimësi i interesuar për zhvillimet në vendin tonë dhe në rajon dhe një mbështetës i palëkundur i gjithë procesit të integrimit euroatlantik të rajonit.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm, kujtoj, përkon edhe me 10 vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe po ashtu është një afirmim i vëmendjes dhe i kujdesit ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit.  

Kemi diskutuar për aspektet e bashkëpunimit dhe të kontributeve tona, brenda NATO-s. Më vjen mirë që kemi ndarë edhe përshtypjen që forcat tona të armatosura, kudo ku kanë kontribuar kanë shfaqur cilësi të spikatura profesionale dhe nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për ecurinë e procesit të plotësimit të një kushti themelor për të gjithë vendet anëtare të NATO-s, përfshi edhe Shqipërinë, për kontributin buxhetor për mbrojtjen.

Dua t’i përcjell, me këtë rast edhe publikisht, do ta bëj edhe personalisht, familjeve të dy dëshmorëve tanë në misionin e NATO-s në Letoni edhe faktin e shprehjes së drejtpërdrejtë të ngushëllimeve dhe të mirënjohjes, nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm.

Ishte një ngjarje tejet e rëndë për familjet, për familjen e madhe të Forcave të Armatosura dhe për vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe një moment reflektimi, lidhur me sakrificat e Forcave tona të Armatosura dhe me vlerën e paçmuar të kontributit tonë në NATO.

Patjetër që Sekretari i Përgjithshëm është interesuar dhe kemi diskutuar edhe për këtë moment të veçante politik dhe shoqëror që po kalon  vendi ynë, qoftë në aspektin e marrjes së rekomandimit të fuqishëm pozitiv pa kushte nga Komisioni, për çeljen e negociatave, qoftë në aspektin e konfliktit politik që nuk i shërben vendit dhe patjetër nuk i shërben dhe procesit të mëtejshëm të vlerësimit të Shqipërisë, në raport me rekomandimin pozitiv.

Në fund, dua ta  falenderoj dhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm. Është gjithmonë i mirëseardhur në Shqipëri.

I kam kërkuar ndjesë për motin jotipikisht të Shqipërisë dhe të Tiranës në këtë fazë të vitit, por mbase, duke ardhur në një ditë me re dhe me shi është ndjerë si në shtëpinë e tij, në Norvegji.

Faleminderit!  

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg: Kryeministër Rama është kënaqësi e madhe për mua që kthehem përsëri në Tiranë!

Është kënaqësi të takohemi përsëri bashkë!

Faleminderit dhe për mikpritjen e ngrohtë!

Ne festuam 70-vjetorin e themelimit të NATO-s dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kështu që e çmoj këtë rast të jem këtu me ju për të shënuar këtë përvjetor të shquar me ju.

Që nga momenti që ju hytë në NATO, Shqipëria ka qenë e angazhuar dhe një anëtare shumë e vyer e NATO-s.

Forcat e Shqipërisë kanë shërbyer me misionin tonë në Letoni dhe dua të shpreh mirënjohjen për dy ushtarakët trima shqiptarë që humbën jetën në një aksident tragjik muajin që shkoi!

Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia!

Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për familjet e tyre dhe për popullin e Shqipërisë!  

Trupat tuaj kanë ndihmuar për të kontribuuar në stabilitetin në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar me trupa në misionin tonë në Afganistan.

NATO është e angazhuar gjithashtu për sigurinë e Shqipërisë. Ne kemi investuar 51 milion euro për të modernizuar objektet ekzistuese në bazën ajrore, duke përfshirë dhe projekte për logjistikën, të cilat do të na ndihmojnë të jemi më efikasë më elastikë dhe më të sigurtë.

Kjo tregon se si NATO përmes programeve të investimit po modernizon dhe investon forcat ajrore në vendet anëtare, sikurse po bën në Shqipëri.

Përmes punës së madhe, Shqipëria po jep shembullin e saj në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Europian ka rekomanduar që Bashkimi Europian të hapë bisedimet për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe është e rëndësishme që ky progres të vijojë.

NATO është aleancë e vendeve demokratike. Në demokraci do ketë gjithmonë mendime të ndryshme, debate. Kjo nuk është dobësi. Është në themel të asaj që e bën demokracinë të fortë, por dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike.

Është absolutisht e papranueshme!

Prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe me vetëpërmbajtje dhe të tregojnë konsensus politik të nevojshëm për të vazhduar në rrugën tuaj të integrimit euroatlantik dhe për të zgjidhur çdo diferencë që keni përmes dialogut dhe proceseve të vendosura politike, për shkak se kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për popullin e Shqipërisë dhe për të gjithë rajonin.

Zoti Kryeministër, jam shumë i kënaqur që jam këtu!

Ju falënderoj dhe njëherë për angazhimin e  fortë të Shqipërisë ndaj aleancës tonë dhe për angazhimin tuaj personal, për udhëheqjen tuaj të fortë politike në drejtimin e Shqipërisë, në rrugën e saj euroatlantike.

Gazetar -Pyetja ime është e përbashkët për zotin Stoltenberg dhe Kryeministrin Edi Rama. Gjatë muajve të fundit ne kemi parë një valë protestash në Serbi, në Malin e Zi, po ashtu dhe në Shqipëri, ku opozita ka lënë mandatet parlamentare dhe ka refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga informacionet që ju keni, a ka të dhëna që sugjerojnë se në këto protesta, ka një influencë ruse, e cila kërkon një Ballkan të destabilizuar, larg standardeve euroatlantike? Faleminderit!

z. Jens Stoltenberg: Debati politik, mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë dhe nuk është ndonjë shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë force. Ajo që nuk është e pranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe i çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Prandaj u bëj thirrje të respektoni plotësisht institucionet demokratike të të gjithë vendeve anëtare. NATO është aleancë politike, ushtarake bazuar në vlera themelore, demokracia, shteti ligjor dhe institucionet demokratike që janë pjesë e rëndësishme e tyre. Prandaj çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në procese demokratike. Zgjedhjet janë padyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtetet tona anëtare aleate të NATO-s, përfshirw Shqipërinë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve politikw të marrin pjesë e të kontribuojnë në dialog dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet, mendimet e ndryshme përmes dialogut dhe jo duke i minuar institucionet demokratike.

Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për t’u përfshirë në institucionet tona demokratike dhe proceset e brendshme politike në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe proceset demokratike të vendeve aleate të NATO-s. Kur vjen puna tek situata në vendin tuaj, këtë do t’ia lija kryeministri të flasë konkretisht pwr kwtw. Por, një përpjekje për t’u përfshirë në procese të brendshme politike, është gjithmonë e papranueshme. Ne duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe t’i zgjidhim mosmarrëveshjet, përmes proceseve demokratike dhe dialogut politik.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk është sekret ose mbase është sekreti më i madh publik që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj Bashkimit Europian, ndaj procese integruese, nuk është një qasje miqësore. Së dyti, unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur, çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe mesa duket do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte pa diskutim një njollë e pashlyeshme për vendin tonë, si një vend anëtar i NATO-s, e cila nuk është një aleancë ushtarake, por është aleanca ushtarake e një grupi vendesh që ndajnë me njëra-tjetrën vlera dhe parime që nuk negociohen.

Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet, as të NATO-s, as të Bashkimit Europian dhe si e tillë, me ose pa dashje, çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, as në NATO, as në Bashkimin Europian.

Gazetar -Pyetja ime është e përbashkët po ashtu. Si e lexoni ju situatën politike në Shqipëri, nga faktorë të brendshëm ose të jashtëm, a ka rrezik për destabilitet? Dhe në këto kushte, a shtrohet mundësia e përshpejtimit të investimit të NATO-s, në bazën e Kuçovës? Ju faleminderit!

z. Jens Stoltenberg:  Ne do të vazhdojmë me programin tonë të investimeve në bazën ajrore siç e kishim planifikuar. Trazirat politike, tensionet që kemi parë nuk do të ndikojnë në këtë vendim dhe në mënyrën se si ne do ta realizojmë sepse është një vendim i marrë në bazë të këshillës së planifikuesve tonë, të komandës tonë, kemi një buxhet, kemi një plan dhe ne investojmë në objekte ushtarake, përfshirë këtë bazë ajrore në Shqipëri e do të vazhdojmë me këtë.

Për mua ky është një shembull se sa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë, por dhe se sa e rëndësishme është Shqipëria për NATO-n. Ne mbështesim njëri tjetrin. NATO është një mënyrë për t’i bashkuar 29 vendet aleate dhe për sa kohë që ne rrimë bashkë me njëri-tjetrin e jemi të bashkuar, jemi të sigurt. Kjo është arsyeja që NATO të bëhet më e fortë, të investojë sepse kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar konfliktet. Këto na kanë mbajtur ne të bashkuar për 70 vite, e kështu do të vazhdojmë dhe në të ardhmen për sa kohë qw vazhdojmë të mbetemi të bashkuar. Edhe një herë, dua të falënderoj Shqipërinë, për kontributin e saj në aleancën tonë, për kontributin në misionet dhe operacionet e NATO-s dhe për njerëzit që dërgon në aktivitetet e ndryshme të NATO-s, përfshirë njerëzit që keni në shtabin e NATO-s, ministrja, njerëzit që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen e NATO-s sepse ju jeni pjesë e tryezës së rrumbullakët bashkë me 28 anëtarët e tjerë. Faleminderit shumë për kontributin tuaj të fortë, në aleancën tonë.

Kryeministri Edi Rama: Ashtu siç e tha Sekretari i Përgjithshëm, vendimi për të investuar në bazën ajrore të Kuçovës dhe programi i investimit për ta kthyer atë bazë në një pjesë integrale të infrastrukturës së NATO-s, nuk vihet në dyshim dhe as në diskutim dhe për më tepër shtoj unë tani, në Shqipëri nuk do të ndodhë, nuk do të lejojmë të ndodhë, asnjë formë destabilizimi që do të cënonte imazhin e vendit tonë përtej cënimit që i sjell këtij imazhi organizimi i shfaqjeve të dhunshme me një perimetër të ngushtë dhe pa mbështetje popullore.

Jam i bindur kur e them këtë sepse jam i bindur që çdo qytetar dhe çdo shqiptar që e do këtë vend, pavarësisht çfarë mendon për qeverinë, pavarësisht a voton a nuk voton për qeverinë që sot qeveris, nuk do marrë pjesë në një proces ku do të vërtetohej teza famëkeqe e armiqve historik të Shqipërisë, se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet se nuk dinë të respektojnë as rregullat që i vënë vetë. E fundit që kam është: Kjo nuk është një shfaqje e një shqetësimi të madh popullor, por është një inskenim politik dhe nuk ka shans që të shtrihet përtej kufijve të skenës politike. Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si një proces i patjetërsueshëm demokratik. Nëse opozita apo cilado parti e opozitës pengohet qëllimisht ose ligjërisht të hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë demokratike, por nëse dikush nuk preferon dhe vendos të mos hyjë në zgjedhje, kjo nuk i bën zgjedhjet jodemokratike.

Është koha që të marrë fund një histori shumë e zgjatur tekash politike, në raport me procesin demokratik.

Edhe një herë dua ta falenderoj Sekretarin e Përgjithshëm dhe siç e kam siguruar edhe gjatë bisedës, dua ta siguroj se gjithë angazhimet tona, në raport me Aleancën, janë angazhime, të cilave i qëndrojmë një për një dhe do t’i qëndrojmë deri në fund.

E nga ana tjetër, jam i bindur se edhe në këtë proces artificialisht të organizuar, Shqipëria si një vend i NATO-s, nuk do cenojë as imazhin e vet dhe as qetësinë e Aleancës Euroatlantike.

Shumë faleminderit! 


Lajmi kryesor:

Shefi i NATO-s mesazh të prerë opozitës 3 orë para protestës: Dhuna është e papranueshme! Hyni në zgjedhje /Video


G.M./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë