Rritja e kapaciteteve dhe dixhitalizimi i Policisë së Shtetit janë prioritete për të forcuar luftën ndaj krimit. Në fjalën e tij në Konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter në Tiranë, ministri i Brendshëm Ervin Demo theksoi se në luftën ndaj krimit s’ka vend për pushim.

Ai shprehu dëshirën për forcimin e bashkëpunimit me FBI dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese

“Në luftën kundër krimit nuk ka vend për pushim dhe vetëkënaqësi. Duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë. Policia e Shtetit, prokuroria, SPAK, institucionet e drejtësisë janë pjesë e një arkitekture bashkëpunimi. Uroj të vendosim një gur të mëtejshëm themeli në këtë takim. Eksperienca e FBI ka një vlerë të pazëvëndësueshme. Rritja e kapaciteteve tona është prioritet. Dixhitalizimi i Policisë së Shtetit është prioritet. Ky vit shënon 10 vit nga miratimi i reformës në drejtësi, shumë është bërë gjatë këtyre viteve, por kemi ende rrugë përpara. Do doja t’ju uroja punime të mbara dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Kjo është hera e parë e imja që shfaqem si ministër i Brendshëm në Shqipëri, mezi pres të forcojmë më shumë partneritetin. Shpresoj të keni pak kohë të vizitoni Beratin”, tha Demo.

Kreu i SPAK, Klodian Braho, u shpreh se Prokuroria e Posaçme është gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me ndërkombëtarët.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar ka pasur rol të rëndësishëm. Për SPAK-un bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve. Një informacion në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje. Falënderoj partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin që ndajnë me ne”, tha Braho.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela bëri thirrje për strategji të reja sa më parë, si rrjedhojë e krimit kibernetik dhe zhvillimit të teknologjisë.

“Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Krimi kibernetik gjithashtu dhe përdorimi i teknologjisë, na krijon nevojën të rrisim kapacitetet. Ne duhet të ndryshojmë strategjitë tona lidhur me luftën kundër krimit. Nuk ka kohë për ne dhe duhet t’i ndryshojmë strategjitë sa më shpejt të jetë e mundur. Letërporositë që ne bëjmë janë 2 herë më të larta sesa ato që na bëjnë partnerët. Shqipëria ka pasur një pjesë aktive jo vetëm të numrave, por edhe nga ana rajonale duke parë edhe pjesën e fondeve të limituara që ne kemi dhe punës së madhe që ne kemi bërë. Mund të kemi kapacitete pak të limituara, por duhet të kemi bashkëpunim sa më të mirë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Kërkohet një strategji e qartë dhe vizionare për të luftuar krimin”, tha Çela.

Kryepolici Hita, i cili renditi përparimet e Policisë së Shtetit, nënvizoi nevojën e bashkëpunimit përtej kufijve përballë sfidës së përbashkët ndaj krimit të organizuar.

“Informacioni shkëmbehet në kohë, ekspertiza dhe besimi midis agjencive përbëjnë diferencën në identifikimin e një krimi apo çmontimin e krimit ndërkombëtar. S’mund ta përballojmë këtë kërcënim të vetëm, duhet të ndajmë informacionin. Përballë krimit të organizuar kemi sfidë të përbashkët. Policia e Shtetit është e gatshme të bashkëpunojë dhe kontribuojë në çdo element të përbashkët që i shërben sigurisë”, tha Hita.

Lajm në përditësim...